Aktivisti i Lëvizjes së Pajtimeve të Gjaqeve, Riza Krasniqi në një intervistë për Gazetën Insajderi ka folur lidhur me veprimtarinë e tij në bashkëpunim me Anton Çettën.
Përveç shumë detajeve nga veprimtaria e tij si aktivist për pajtim të gjaqeve, Krasniqi ka folur edhe për shtatoren e profesor Çettës të vendosur në Prishtinë.
Sipas tij, Çetta meriton edhe një memorial, pasi është simbol i faljes, paqes dhe mirëkuptimit.
Duke folur për prapaskenat e vendosjes së shtatores, Krasniqi tregon se nuk ka reaguar asnjëherë, pasi i janë kujtuar këshillat e profesorit Çetta. Ai i kishte thënë se “as me miq as me armiq gojen mos e fëlliq”.
Riza Krasniqi ka treguar edhe rastin më të ndërlikuar kur kishin arritur së bashku me profesorin Çetta të falnin gjakun mes dy familjeve.
Intervista e plotë:
Fillimisht a mund të na tregoni se si iu bëri të ndiheni vendosja e shtatores së prof. Anton Çettës?
Ndihem shumë mirë që pas një sage të vërtet u vendos shtatorja e Profesorit Anton Çettës. Profesor Anton Çetta është simbol i faljes, paqes dhe mirëkuptimit, si prelud i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.
Mendojë se e kemi kryer vetëm një pjesë të obligimeve ndaj Profesorit, sepse kjo shtatore nuk është vetëm e profesorit. Kjo shtatore është edhe e heronjve të vërtetë të Lëvizjes për Pajtimin e gjaqeve, atyre që falen! Profesori së bashku me ata që falen meritojnë një memorial, e që shpresojë që do e bëjmë. Ka vite që në historinë e popujve shënojnë një epokë, e viti 1990 ishte i tillë! Kosova para vitit 1990 dhe pas vitit 1990 nuk ishte e njëjta.
Si i keni vlerësuar prapaskenat para vendosjes së shtatores. Kishte nga ata që vlerësonin se nuk duhej të vendosej një shtatore e tillë.
Nëse duhet të flasim për prapaskenat para vendosjes së shtatores, atëherë më duhet të them se shpesh jam skuqur prej fjalëve e veprave të disa ish kolegëve të Profes Çettës. Është turpi i tyre. Nëse veç duhet me fol për ta, duhet të përdorim disa fjalë që nuk përkojnë shumë me fjalorin e Lëvizjes dhe shpesh në raste të tilla më kujtohen fjalët e Profes: As me miq as me anmiq gojen mos e fëlliq!
A mbani mend ndonjë këshillë që shpesh ua ka thënë i ndjeri z. Çetta?
Profesor Antoni edhe kur na jepte këshilla ato i jepte me anë të ndonjë tregimi ose ndonjë shprehje popullore p.sh. “Ma mirë është me të rrëshqit këmba se me të rrëshqit gjuha (goja)”, ose “ Gjithçka vlen diçka e dembeli asgjë”, por shprehja që në një mënyrë është amaneti i Profesorit është: Obligimet ndaj Kombit nuk kanë kufi!
Jam shumë i gëzuar që pikërisht kjo shprehje është e vendosur tek shtatoret e Profesorit në Prishtinë dhe në Klinë. Nëse Amerikanët e kanë Jon F. Kennedyn me shprehjen e tij të famshme: Mos pyet çfarë Amerika bënë për ty, por pyet çfarë t’i bën për Amerikën, ne shqiptarët e kemi profesor Antonin me shprehjen : Obligimet ndaj kombit nuk kanë kufij.
Ju keni qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Çettës, a mund të na tregoni ndonjë rast shumë të ndërlikuar kur keni arritur të pajtoni gjaqe?
Çdo rast ishte i rëndë në mënyrën e vetë dhe është shumë vështirë me i nda, por po ju përshkruaj njërin prej tyre.
Një të shtunde e filluam në shtëpinë Agronit, një ndër intelektualët e paktë të fshatit, të cilit ja kishin vrarë babain. Agroni na priti shumë mirë. Në odën e burrave kishte mbledhur të afërm, që për ne ishte shenjë se gjaku do të falej. Si zakonisht bisedën e filloi profesor Antoni dhe e kërkoi dorën e pajtimit nga i zoti i shtëpisë. “Ju kuptoj dhe ju falënderoj të gjithë juve”- ja ktheu Agroni dhe vazhdoi. “E di se e keni qëllimin e mirë. Nuk dyshoj aspak në qëllimet tuaja. Ju jam shumë mirënjohës për punën që po e bëni. Por…. “ “…por unë e kam një lutje për juve” – iu drejtua Agroni Profesor Antonit.. .
“Unë nuk kam vëlla” – foli Agroni. “Kam dy motra, Teutën dhe Zanen. Po ju marr leje ta sjell Teutën në Odë. Ajo ka qenë afër Babës kur është vra. Ju lus ta ndëgjoni rrëfimin e saj.
“Po si jo o burrë” – ju përgjigj profesori. “Siç po e shef edhe ne kemi me vete shumë motra. Dhe këto motra edhe filluan Lëvizjen.
Pas pak në odë hyri një vajzë rreth të tridhjetave, shumë e druajtur. Në fytyrën e saj vërehej vuajtje, vërehej nervozë dhe një shqetësim shumë i madh.. Profesori i bëri vendin afër.
“Nuk po di si me ja fillu muar guxim vajza me e hap gojën. E kam shumë vështirë. As armiku më i madh mos koft në lëkuren time. E di rëndësinë e pajtimeve. E di rëndësinë e punës që po e bëni…rasti im është krejt tjetër. Ditën e kobshme shkova me babën në livadh për të punuar së bashku. Aty pak para dreke, kanë ardhur dy, këtu nga fshati, dhe ashtu siç e do zakoni baba e la punën dhe u dëshiroi mirëseardhje. Dhe papritmas të dytë filluan të ma godasin Babën!!! Te dytë e kishin nga një shati me vete. Unë isha pak më larg dhe vrapova ta mbroj babën. Kur fillova të bërtas, të dytë ikën më të shpejtë. Me fol drejt, mua nuk ma thanë asnjë fjalë. As nuk më preken me dorë…. Ishte tmerr i tmerreve me e pa babën të përgjakur. Nuk kisha as nga kush të kërkoja ndihmë. Edhe moti u prish. Shiu filloj të rigonte… Më shumë vështirësi e hipa babën në qerre me kalë, me të cilën kishim ardhur për të punuar, dhe pa fryme u nisëm për në spitalin e qytetit. Rrugës gjendja ju keqësua. E pa baba punët si ishin dhe më fuqinë e fundit që pati më la një amanet. Me kerkoi se nëse i ndodh më e keqja, te mos e falë gjakun. Unë ja dhashë Besën babait tim. Babai vdiq pas dy ditëve në spital”.
Një heshtje u krijua në Odë. Teuta uli kokën për një çast dhe e ngriti prapë për të na shikuar ne sy.
“Dhe tani unë po ju pyes juve: A shkelet Besa shqiptare që ja dhashë Babës pak para vdekjes???”
“Plotësisht të kuptojmë i tha profesori”. Nuk po të ngushtojmë me fal gjak, por po te lusim diçka tjetër: A do i bashkangjitesh krushqve të pajtimit sot e nesër? A po vjen me ne nja dy ditë? Shumë na duhet një Teutë, shumë na duhet një motër si ti të jetë në mes nesh.”
Të gjithë morëm frymë më lirisht. Teuta e pranoj lutjen dhe na u bashkangjit. Atë ditë, tërë ditën e kaloi me ne, prej shtëpie në shtëpi., dhe nuk e foli asnjë fjalë. Edhe të nesërmen e vazhduam punën së bashku. Në një rast në Pejë, Teuta e mori fjalën dhe ishte shumë këmbëngulëse në një rast shumë të vështirë. Dikur pasdite, në makinë me Profesor Antonin, profesor Ramizin dhe me mua, Teuta me shumë ndrojtje na u lut, që nëse është e mundur ta ndërrojmë drejtimin e rrugës dhe të shkojmë në shtëpinë e saj. Nuk mund ta refuzonim propozimin e saj, dhe pas nja dy orëve, makinën e nisëm për ne shtëpinë e Teutës. Kur po i afroheshim varrezave të fshatit, Teuta foli prapë. Kësaj radhe na u lut ta ndalim makinën pak te varrezat. Bëme siç kërkoi ajo. Teuta doli nga makina dhe u nis kah varri i babës. E shoqëruam të gjithë që ishim në makinë. Ju afrua varrit dhe ja nisi me më shume lot se fjalë: “Babë e di unë që ta kam dhënë Besën. E dini edhe ju që më ke besnike. Por Babë, Kosova është ngushtë. Kosova po kalon nëpër kohë të liga. Kosova po e kërkon me e falë unë gjakun tënd babë. Që kur kanë filluar pajtimet, Teuta jote nuk ka shti gjumë në sy. Po frigohem se dojnë me më dale mentë prej kreje. Shumë vështirë me vendos o shumë i dashuri Baba im! Me e ruajtë Besën Shqiptare që ta kam dhënë, apo me i shërbye intereseit kombëtar? Të dyjat s’bëhën. Po Baba im,…. boma hallall se unë kam vendos me e fal gjakun! Të lutem boma hallall e mos mu idhno shumë i shtrenjtëi Baba im…!”.
Ne që ishim më Teutën po se po, por mu duk që edhe varrezat për rreth po vajtonin. Gur varrezash për rreth nuk mbet pa u lagur. Ishin lot dhimbjeje e ngadhnjimi.
A ka pas raste kur edhe tash kohët e fundit keni shkuar në ndonjë ndërmjetësim për falje gjaku?
Unë nuk kam shkuar pas lufte në asnjë pajtim. Nuk u falen që ne edhe pas 30 vitesh të merremi me gjakmarrje. Nuk hyhet në Evropë me gjakmarrje. Nuk kam asgjë kundër atyre që merren me pajtime, por mendoj se kur flitet për gjakmarrje duhet të themi: Të shkuara të harruara!
Si e sheh traditën e shqiptarëve për gjakmarrje? A duhet të ndryshojë?
Gjakmarrja lindi në mungesë e shtetit, dhe gjakmarrja është aplikuar për të vendosur rregull në vend të kaosit. Z. E. Corso ka shkruar se arsyeja kryesore e gjakmarrjes ka qenë parandalimi i dhunës kaotike përmes rregullit ndërsa sociologu, juristi e historiani gjerman, Z. Max Ëeber (1864-1929) shkruan: Gjakmarrja është një institucion universal, që ka ekzistuar të të gjithë popujt dhe në të gjitha kulturat, ndërsa ruajtja e rendit përmes institucionit të policisë është një dukuri kryesisht moderne dhe perëndimore.
Gjakmarrje kishte edhe në SHBA deri në fillim të shekullit 20. Arizona është shteti i fundit që u pranua në SHBA (1912), e shkaku kryesor ishte fenomeni i gjakmarrjes. Gjakmarrja në Pleasent Valley (Luginen e Këndshme) vetëm në mes të dy familjeve ka pas diku rreth 50 të vrarë. Gjakmarrja u zhduk kur ligji e bëri si duhet punën e vet. Prandaj ashtu siç në vitin 1990 luftuam për pajtime, sot duhet luftuar që të kemi një shtet në të cilin sistemi i drejtësisë do e kryen punën e vetë si duhet dhe gjakmarrja vetvetiu do të zhduket.
GAZETA INSAJDERI