×
  • Lajme
  • Insajderi

    Si u bë “armatura” pjesë e dialogut Kosovë-Serbi?

    Insajderi
    16 September 2022 - 19:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qëllim i vizitës së këshilltarëve franko-gjerman në Prishtinë dhe Beograd ishte “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”. Dhe, duket se një opsion i ri vërtetë doli në pah: ‘armaturat e reja’.

    Gazeta Insajderi

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, më 9 shtator vizituan Prishtinën dhe Beogradin.

    Qëllim i vizitës ishte “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”. Dhe, duket se një opsion i ri vërtetë doli në pah.

    Bëhët fjalë për frazën “armature e re”, shprehje kjo që u përmend fillimisht nga Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pak ditë pasi i takoi këshilltarët franko-gjerman të angazhuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz, për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

    Për këtë normalizim Vuçiq, tha se evropianët, këtë rast këshilltarët nga Gjermania dhe Franca, i paraqiten atij atë që quhet “armatura e re“ në bisedime, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, mbi këtë çështje as më të vogël informatë nuk e ka, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

    Ai tha të martën se nuk merr shumë vesh nga sektori i ndërtimtarisë, kur u pyet për deklaratat e Vuçiqit, që në mënyrë figurative u shpreh ditë më parë se evropianët kishin kërkuar “armaturë të re” për dialogun.

    “Unë jam zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës dhe nuk marrë vesh shumë nga armaturat, si dhe nuk kam qenë prezentë në takimin e përfaqësuesve të Gjermanisë dhe Francës me presidentin Vuçiq. Prandaj, pyetja është drejtuar në adresë të gabuar”, tha Bislimi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vuçiq deklaroi se ne takimin me përfaqësues të Francës dhe Gjermanisë si dhe emisarit Miroslav Lajçak të shtunën në Beograd i kishin kërkuar “armaturë të re” për dialogun.

    Megjithatë, as Lajçak që ishte pjesë e këtij takimi në Beograd, nuk ka ide mbi “armaturat e reja”. Madje shprehi habi, kur për këtë çështje u pyet dje gjatë vizitës së tij të befasishme në Prishtinë.

    “Po, u habita kur dëgjova fjalën ‘armatura’, po përpiqem të kuptoj se çfarë do të thotë armature sinqerisht…”, tha Lajçak duke qeshur, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai theksoi se është në Prishtinë për ta çuar përpara procesin e dialogut, dhe njoftoi se takimi i radhës do të ndodh sapo të përgatitet mirë.

    “E rëndësishme është që të dy liderët janë të gatshëm të takohen BE-ja është e gatshme t’i pres ata, por ne jemi duke u përgatitur”, tha tutje ai.

    Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.

    Pas angazhimeve të tyre diplomatike, dy vendet arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse.

    Serbia, për më shumë se një dekadë, ka lëshuar dokumente të posaçme për qytetarët e Kosovës, që kanë hyrë në territorin e saj.

    Kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa reciproke nga 1 gushti, disa serbë lokalë në veri të vendit janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada, për t’i penguar autoritetet në zbatimin e vendimit të tyre.

    Për shkak të rritjes së tensioneve dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Prishtina zyrtare ka shtyrë zbatimin e atij vendimi për 30 ditë.

    Por, ndërkohë, është arritur marrëveshja për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse/dalëse nga të dyja anët.

    Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

    Aktualisht, sfidë mbetet çështja e targave të makinave.

    Më 1 shtator, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit të saj për regjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

    Beogradi pret negociata edhe për këtë çështje, përkatësisht propozon targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por këtë gjë Prishtina e refuzon.

    Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 18 gusht, pas tensioneve në veri, por nga ai takim nuk doli asnjë marrëveshje./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark