Pushteti i Qeverisë Kurti, ka shpallur fituese një kompani të derivateve në tenderin për të mirëmbajtur rrugët e Komunës së Pejës, ndonëse ajo nuk ka eksperiencë në këtë fushë. Ministria e Infrastrukturës, ka rekomanduar për kontratën që peshon mbi gjysmë milioni euro kompaninë “Ex Fis” si pjesë e një konsorciumi. Kjo kompani njihet edhe si financuese e Lëvizjes Vetëvendosjes
Nuk janë shumë të shpeshta rastet kur kompanitë në Kosovë marrin tenderë publike, për fushën në të cilën nuk kanë kompetencë e as eksperiencë. Pushteti i ri që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti pati premtuar stopimin e kësaj “gjakderdhje financiare”.
Por, në kundërshtim me deklarimet si opozitar, pushteti i Kurtit është duke vepruar ngjashëm me ish-pushtetarët e PAN’it, për sa i përket milionave të tenderëve publik.
Gazeta Insajderi, ka zbuluar se kompania e derivateve, “EX-Fis”, si pjesë të një konsorciumi, është shpallur fitues në një tender për mirëmbajtje të rrugëve.
Ministria e Infrastrukturës, në kuadër të tenderit 30 milionësh për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve, në lotin “Peja 1” i dha hise edhe kompanisë se derivateve “Exx Fis” në konsorcium me “Alko Impex -General Construction”, shkruan Gazeta Insajderi.
Vlera e kontratës për një vit ishte caktuar të ishte 659 mijë euro.
Legjislacioni në fuqi e lejon që kompania lider në konsorcium gjatë procedurave tenderuese të plotësoj kriteret kryesore, derisa kompanitë tjera që nuk janë të fushës për të cilin aplikojnë në tender mund të plotësojnë pasqyrat financiare.
Përkundër që Ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu, e kishte rekomanduar për kontratë në tenderin “Peja 1”, kompaninë “Ex -Fix” e “Alko Impex -General Construction”, procedura u stopua.
Pas ankesave të kompanive që u eliminuan nga gara, ministria e pranoi se ka bërë shkelje gjatë procedurave kur i kishte shpallur ata fitues. Rrjedhimisht, e ka kthyer në rivlerësim edhe këtë lot të tenderit.
“EX FIS“ donatori i Vetëvendosjes që u denoncua për rritje të çmimeve
Kompania e derivateve Ex Fis, që u rekomandua për tenderin e Ministrisë së Infrastrukturës, njihet në publik edhe si financuese e Lëvizjes Vetëvendosje, sa kjo e fundit ishte në opozitë.
Madje e njëjta kompani është denoncuar nga gazetarët edhe për rritje të çmimeve të derivateve në kurriz të qytetarëve në fillim të luftës në Ukrainë.
Sipas drejtorit të Gazetës Insajderi, Parim Olluri me 3 mars kur qeveria mori vendimin për marzhën e fitimit të kompanive të derivateve, Administrata Tatimore e Kosovës, kishte kërkuar nga kompanitë të deklarojnë rezervat që kanë në stoqet.
Kompani “Ex Fis” sipas Ollurit, ka deklaruar se ka mbi 3 milionë litra në stok për shitje me pakicë.
Për të njëjtat, ajo ka nisur shitjen me çmime të fryra që kanë arritur deri në 1.80 euro.
“Njëra prej kompanive që është financuese e VV-së, kompania EX FIS thotë se i kam në stok 3 milionë litra e njëjta kompani prej datës 4-10 shtatë herë e rritë çmimin e naftës, nga 1.07 deri ne 1.80. dmth qato litra që i ka në stok e rritë shtatë herë çmimin për me i mashtru qytetarët. Kurti nën 1, për arsye që e ka financues të partisë, nën 2 për shkak që nuk ka inspektorë me kotrollu”.
“Na kemi pas raste të naftës kur në reklame është zbritë çmimi i naftës para dy tri dite kur ka shku qytetari me mbush kerrin a këtu në sistem ta qet ende me çmim të vjetër, punëtori thotë që kemi problem me sistem edhe nuk mujme me ta ndërru çmimin. Kjo bëhet për shkak se nuk ke inspektor në terren”, pati thënë Olluri në një debat televiziv.
Lidhur me rritjen e çmimeve nga kjo kompani e derivateve pati reaguar edhe gazetari, Valon Syla.
Ai tha se donatori i VV-së ka mashtruar me çmimet por nuk janë marrë masa ndaj saj.
“Pushteti i Kurtit e lejon Ex Fisin me manipulu me çmime se e ka donator të partisë. Donator të fushates. Nuk është punë bursë këtu. Po punë mashtrimi”, tha Syla në debatin televiziv në T7.
Shkelje e 9 neneve të Ligjit të Prokurimit – Anulohen tenderët që i përfituan familjarët e shokut të Hysen Durmishit
Nuk është vetëm loti i tenderi ku fituese është kompania Ex Fis që u kthye në rivlerësim, por edhe disa lote të tjera të tenderit 30 milionësh për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ministria e Infrastrukturës, e pranoi se shkeli 9 nene të Ligjit të Prokurimit në tri lote të tenderit të mirëmbajtjes së rrugëve, dy prej të cilave u fituan nga kompanitë e familjarëve të shokut të ngushtë të zëvendësministrit Hysen Durmishi, biznesmenit Bujar Shabani.
Pas ankesave të kompanive që ishin eliminuar nga gara, Ministria e Infrastrukturës e pranoi se ka bërë shkelje për çka edhe mori vendimin për anulimin dhe kthimin në rivlerësim të tenderit.
Gazeta Insajderi, sjell detaje të vendimit nga i cili pësojnë “Kosova Asfalt”, pronë e Valdrin Shabanit djalit të Bujar Shabanit dhe “Dio Bes SHPK”, e familjarit të tij Xhelal Shabanit si pjesë e konsorciumeve fituese.
Konsorciumet ku bënin pjesë këto dy kompani, në total do të përfitonin rreth 1 milionë euro të Ministrisë së Infrastrukturës, shkruan Gazeta Insajderi.
Kompania “Kosova Asfalt”, që në ARBK figuron se është në pronësi të Valdrin Shabanit, djalit të Bujar Shabanit, ka fituar në këtë tender lotin Prishtina 3.
Si pjesë e konsorciumit fitues, nga Ministria e Infrastrukturës pritej të merrnin shumën prej rreth 500 mijë euro, sipas këtij tenderi.
Derisa kompania e familjarit të dytë të Bujar Shabanit, “Dio Bes SHPK”, që figuron në emrin e Xhelal Shabanit, e ka fituar lotin Prishtina 1.
Si pjesë e konsorciumit ku merr pjesë kompania “Dio Bes”, pritej të merrnin shumën prej 617 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Vendimi për kthimin në rivlerësim të loteve të këtij tender u mor me 14 shtator. /Gazeta Insajderi