Parisi mirëpret mbrëmjen e sotme ceremoninë e Topit të Artë, ku do t’i dorëzohet lojtarit më të mirë për sezonin 2021-2022.
Momenti i shumëpritur ka ardhur, ndërkohë na ndajnë vetëm pak orë. Kureshtja nuk mungon, megjithse sportdashësit janë të bindur se lojtari që e meriton trofeun është francezi Karim Benzema.
Një ceremoni e tillë do të jetë ndryshe këtë vit, për faktin se rekordmeni me 7 topa të artë, Leo Messi nuk është renditur as në 30 lojtarët më të mirë. Rregullat kanë ndryshuar, pra lojtari që do të përzgjidhet vlerësohet vetëm për sezonin që ka kryer dhe jo për vitin kalendarik. Në këtë pikë, shancet e Benzemasë rriten ndjeshëm.
Francezi fitoi kampionatin, superkupën e Spanjës dhe Champions Leaguen me Realin e Madridit, duke u kthyer në një lider të pazëvendësueshëm për galaktikët. Ndërkohë ka vijuar paraqitje shumë të mira dhe me kombëtaren franceze ku triumfuan në Ligën e Kombeve.
48 gola dhe 15 asiste e rendisin në krye të Evropës, ndjekur nga Mane, Salah dhe Lewandowski. I pesti renditet Mbappe, pas tij vijnë Vinicius Junior, Modric, De Bruyne, Courtois dhe Haaland.