×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Stilistikë gjuhësore | Kundrime risimtare të filologjisë shqiptare

    Insajderi
    01 December 2023 - 16:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Shkruan: Prof. ass. dr. Valdet Hysenaj   

    Lahuta e Malsisë inventar holistik hulumtimi, me vlera shumë të larta, sidomos stilistike, estetike, epistemologjike, bihevioristike, hermeneutike etj., konstaton studiuesi Hasan Mujaj

    Stilistika gjuhësore ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e shumë gjuhëtarëve që janë marrë me studimin e gjuhës shqipe.  

    Hullitë e para për çështjet e stilistikës gjuhësore në letërsinë shqipe i ka vënë Luigj Gurakuqi, për të vazhduar më pas me tekstin e A. Xhuvanit dhe K. Cipos Fillime të stilistikës e letërsisë së të përgjithshme (1930).

    Nuk munguan përpjekjet dhe vështrimet stilistike në studimet për gramatikën e sidomos për leksikun, duke mos munguar as  trajtimi i anëve teorike dhe përpunimi i një metode të analizës stilistike nga Xhevat Lloshi. Mendojmë se krahas kontributit të studiuesve  të tjerë të eposit kombëtar të shqiptarëve Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, kontributi i prof. dr. Hasan Mujaj me këtë vepër është shumëdimensional në zhvillimin dhe pasurimin e fililogjisë shqiptare, është i pari i kësaj natyre dhe së bashku me veprat: Stilistika gjuhësore në epikën kreshnike, Gjuhësia e tekstit, Semiotika dhe zhvillimi i saj etj., ndoqi e solli këndkundrime risimtare filologjike madje disa (si p.sh. semiotika) të paprekura deri më sot.     

                                                                                                                
    Ajo që ka munguar në letërsinë shqipe  te Lahuta e Malësisw – stilistika gjuhësore, për herë të parë, gati pas 50 studimesh doktorale, u trajtua nga studiuesi Mujaj, i cili me kompetencë e shpuri përpara kwtw disiplinw, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar filologjik, unik, me trajtimin e sistemit të stileve e të ligjërimeve, mundësive e mjeteve shprehëse të shqipes dhe organizimin stilistik me veprën Lahuta e Malsisë në dritën e stilistikës gjuhësore, kundruar nga pikëpamje gjuhësore, letrare dhe artistike, duke i dhënë ndihmesë të paçmuar stilistikës letrare për analizën tërësore të krijimeve artistike.                                                                                    

    Që në parathënie Mujaj zbulon arsyet e analizës së kësaj vepre, si një borxh ndaj Fishtës dhe gjuhësisë shqiptare në përgjithësi: ”Për veprimtarinë letrare të Gjergj Fishtës, deri më sot, kanë shkruar shumëstudiues (rreth pesëdhjetë sish). S‘ ka dyshim se në këtë veprimtari të gjerë e të pasur madje lapidare e pregnante, persuasive e prominente, kryet e vendit e zë vepra Lahuta e Malsisë, e quajtur edhe epope kombëtare. Dhe, jo vetëm brenda krijimtarisë artistike të Gj. Fishtës, porse kjo vepër, si nga lajtmotivi, ashtu edhe nga forca stilistike e shprehësisë së tekstndërtimit, qëndron në shkallën sipërore të veprave me porosinë e përhershme programatike e kombëtare të letërsisë shqiptare”.    

                                                                                           

    Hulumtuesi Hasan Mujaj kësaj radhe ju rrek studimit  të stileve (llojeve) të të folurit përmes vargut, të përcaktuara nga kushtet, elementet situative, qëllimet e komunikimit etj., të cilat  ndryshojnë në mjetet gjuhësore të përdorura në to ose në shkallën e përdorimit të tyre deri te  përcjellja e porosive me peshë kombëtare:    

                                           “ lësho kushtrimin n ‘ toskë e n ‘ gegë, 

                                              mblidhnju bashkë si kokrrat n ‘ shegë.” ( 94 ) 

    Me një përmbajtje të pasur, fillimisht kundron Lahutën e Malsisë në dritën e shkencave të gjuhësisë, zhvillimin e  stilistikës në filologjinë europiane, stilin, temën, tekstin, mjetet e ndërtimit koheziv të tekstit, stilistikën gjuhësore, për të vazhduar me veçantitë e veprës, kundrimet risimtare, morfostilistika, lëvizja e veprimit të foljeve, stilistika e mënyrave emocionale, mënyrat, ndajfolja, mbiemri, vrojtime sintaksostilistike, kryefjala stilistike, kallëzuesi stilistik, kundrina stilistike, rrethanorët stilistikë, përcaktori, pyetjet retorike, semantostilistikë, onomastilistikë, toponimia e veprës, përshkrimi i disa fytyrave të Lidhjes së Prizrenit, hipokoristika e veprës, vëzhgime semiostilistike, linguistika dhe poetika, shenja të hapësirës e të kohës, dhe për ta përmbyllur me semiotikën mitologjike, semiotikën bimore e shtazore, semiotikën e fytyrave heroike, reagimin e përkorë të Pal Milanit, cilësitë e astritëve të betejave, përshkrimet semioetnografike dhe Franc Jozefi me të drejtën. 

    “Perandori i Austrisë – Franc Jozefi, i tumirur edhe nga Italia, reagon ashpër madje me ultimatum të prerë, ndaj okupimit të Veriut të Shqipërisë nga Mali i Zi. Fishta e shpreh me vargjet e përcaktimit dhe të mobilizimit ushtarak të perandorit austriak për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri dhe për ta mbrojtur sovranitetin territorial të saj p. sh.: 

                                              “ Franc Jozefi kur ka ndie, 

                                              se u rras Shkjau mbrendë n ‘ atë Shqipni, 

                                              se ç ‘ asht mbushë ai me mëni,  

                                              ….por çoi n ‘ kambë tetëqind taborre, 

                                               mirë e mprehi atë shpatë mizore,  

                                              mprehi shpatën e mejdanit,  

                                              e u çon fjalë Shkjeve t ‘ Ballkanit  

                                              n ‘ krye t ‘ tetë ditëve, tue marrë dielli,  

                                              prej Shqipnisë me dalë ju filli: 

                                              a për ndryshej mirë ta dini,  

                                              se, për Zotin, m ‘ shpinë më kini, “ ( 504 ) 

    Në këtë vepër  të stilistikës gjuhësore qëmtuesi Mujaj ndër të tjera ka përfshirë: 

    • Analizën e veprës duke përdorur stilistikën gjuhësore për të identifikuar veçoritë dhe nuancat semantike;
    • Analiza e mjeteve gjuhësore të përdorura në stile të ndryshme;
    • Ndihmesën se si ta kuptojnë më mirë se si përdoret gjuha për të krijuar efekte të ndryshme dhe për të ndikuar te lexuesi;
    • Studimin e koncepteve dhe termave bazë që lidhen me stilistikën;
    • Klasifikimin e stileve dhe veçorive të tyre;
    • Studimin e marrëdhënieve ndërmjet stilistikës gjuhësore dhe shkencave të tjera, si sociologjia, psikologjia dhe studimet kulturore;
    • Zhvillimin e metodave të kërkimit në stilistikën gjuhësore etj.

                                “Hiku Marku, hiku ushtria:  

                                “urra !” m’ shpinë iu lëshue Malsia,  

                                  mjerë i mbrami, lum i pari,  

                                  pse kë xu për vrap Shqiptari,  

                                  kurr n’ Mal t’ Zi ma s’kthei qyqari” etj. (Lahuta…, 166).   

    Kjo vepër, e para kësaj natyre veçohet për shumë specifika:                                                   

    Përmes  stilistikës gjuhësore studion dhe analizon gjuhën e autorit të veprës dhe rolin e tij në komunikim me lexuesin dhe transferimin e të dhënave historike te lexuesit.                 

    Me shembuj konkretë lexuesit i ofron përdorimin e gjallë të gjuhës dhe variacionin gjuhësor, duke i dhënë kuptimësisë së ligjërimit veçantitë në realizimin e përmbajtjes, të lidhura me kushtet e funksionet e kumtimit ose për të arritur një ndikim.

                                   “Hej, moj Zanë ! si t’ duket ty ? 

                                     A thue shoh un kurr me sy,  

                                     se Shqiptarët do t’ bien m’ nji fjalë,  

                                     zot Atdheut këta për t’i dalë ?  

                                     Se mbas flamurit kuq e zi,  

                                     Gegë e Toskë, fushë e malsi,  

                                     kanë me dalë ndo ‘i herë n’ ushtri,  

                                     me derdhë gjakun për Shqipni ?” (70 )  

    Vrojtimin e përpjekjeve krijuese autoriale, gjatë përdorimit të mjeteve e të ndërtimeve gjuhësore.                                                                                                                                              

    Shfaqja e stilit si veti e tërësisë sepse gjatë analizës përcakton elemente përbërëse që nga përftesat e stilemat si njësi fillestare etj. 

    Përmes analizës së stilistikës gjuhësore, lexuesi drejtohet drejt një burimi të përbashkët, mjeshtërisë së të shkruarit. 

                                 “se sot Shkjau n’Nokshiq ka hi. 

                                   Ku po ban t’madhe kërdi, 

                                   Shpia e stane tue i ba hi, 

                                   tue plaçkitun dhen e dhi,  

                                   tue vra pleq, e gra, e fëmi’” ( Lahuta…, 329) etj.  

    Në gjuhën shqipe, sikurse edhe në gjuhët e tjera, arti i të folurit si dhe arti i të shkruarit, ku autori i jep rezultatet e të shprehurit, lidhen me elementin gjuhësor dhe artistik. Prandaj, stili i autorit është mënyra më e mirë e ndërtimit të ndonjë pjese gjuhësore, si në rastin konkret, ku ai i mbështet kriteret e tij në mjetet stilistike dhe sipas kërkesave të stilit dhe të zgjedhjes së përbërësve të ndryshëm: 


                                “N’atë Cetinë kur Vulja zbriti,  

                                  atë Knjazi mirë e priti,  

                                  mirë e priti e n’odë e qiti,  

                                  i qiti duhan e kafe,  

                                  edhe nisi kështu t’bajë llafe: etj.” (Aty, 13)   

    Me mjete stilistike autori ngërthen ngjyrimet e tij sipas momenteve të përshkrimit të ndodhive.  

                                           “ Edhe u çueka, zogu i shkinës,  

                                          me trembëdhetë cuba t’ Cetinës ” etj. 

    Mujaj paraqet stilistikisht krahasimet fishtjane, të cilat shpesh bëjnë një jetë të pavarur brenda vargjeve, me gjithë forcën e çojnë lexuesin në kahe të ndryshme, e zhysin në mendime të reja dhe, pasi e freskon me stilin gjuhësor, e kthen në vete historinë, me imazhe të gjalla që ngjallin një ndjenjë të bukurisë së mahnitshme të mjeteve stilistike.  

                                                  “ e janë çue Shkjetë e Vraninës 

                                                 e janë ba me ushtri t’ Cetinës, 

                                                 për me marrë sot Oso Kukën,  

                                                  qi me ta ka pasë da bukën, “ ( 59 ) 

    Me elokuencë studiuesi Mujaj trajtoi:  

    • Mënyrat elokuente të përdorimit të gjuhës me veçori të caktuara të saj,  
    • Koleksionin e fjalëve të përdorura, burimore, autoktone të gegërishtes, duke përdorur  sistem rregullash metrike në funksion  të përdorimit sa më të  saktë të gjuhës, në  struktura dhe forma të ndryshme gramatikore, 
    • Sistemet zanore të gjuhës,  përdorinin e tingujve, shqiptime të ndryshme, efekte të ndryshme, shembuj të figurave stilistike etj.,  koncepte këto bazë të stilistikës gjuhësore, përmes të cilave prof. dr. Mujaj na ndihmon të kuptojmë më mirë se si përdoret gjuha për të krijuar stile dhe efekte të ndryshme në tekste, të realizuara me stil shkencor, akademik dhe artistik,  lehtë i dallueshëm në këto kundrime risimtare si:  
    • Përdorimi i terminologjisë së specializuar;  
    • saktësia dhe qartësia e shprehjes, përdorimit të imazheve, metaforave, shprehjeve emocionale;  
    • një larmi strukturash dhe ritmi duke e ndryshuar në varësi të stilit të autorit të veprës së kundruar, 

                                         “Prengë Bibë Doda, djalë zotni: 

                                           për kah mosha mjaft i ri,  

                                           por i vjetër për pleqni…”  

    Përdorimi i fjalëve të natyrshme dhe ndryshimin e tyre me ngjyrosjen funksionale, në përkatësinë e tyre në stile të ndryshme, e që  veçanërisht unik e paraqet stilin e të folurit poetik, ku krahas aspekteve leksikore dhe sintaksore, përdoren edhe ato fonetike:  

    • ritmi dhe forma e tij më e lartë – vargu, organizim ky i shëndoshë i të folurit, i përdorur me mjeshtëri të rrallë nga Fishta dhe analizuar slilistikisht po ashtu me mjeshtëri të rrallë nga studiuesi Mujaj:  

                                        Kur n’ Rrzhanicë na vojt’ ushtria,  

                                        aty krisi prap buria” ose: 

                                      “se n’ Berlin asht ba pleqnia, 

                                       nën kambë t’ Shkjaut me vue Shqipnia” etj. (Lahuta, 98.)  

    Mujaj hetoi edhe ndërveprimet e stilikës gjuhësore me fusha të tjera të dijes:  

    Sociolinguistike, paraqitjen e marrëdhënieve midis gjuhës dhe shoqërisë, faktorëve socialë si klasa, mosha, prejardhja kulturore, shqyrtimin se si faktorët shoqërorë formojnë veçoritë gjuhësore në kontekste të ndryshme. 

    Psikolinguistike, proceset njohëse të lidhura me gjuhën, të tilla si perceptimi, kujtesa, vëmendja dhe arsyetimi si qasje psikike dhe gjuhësore. 

    Semiotike, përdorimin e koncepteve semiotike për të analizuar stilet gjuhësore dhe kuptimin e tyre simbolik. Eksplorimin e shenjave dhe simboleve në kuptim të përdorimit për të krijuar efekte dhe kuptime të caktuara në tekste. 

    Pragmatike, duke përdorur gjuhën në situata specifike komunikuese dhe ndikimin e saj në ndërveprimin midis folësve. 

    “Ndërtimi i këtyre dy figurave stilistike nga pjesëmarrja e mitologjisë është një nga dukuritë e stilit muzë të Fishtës dhe e pragmatikës së stilistikës afektive p. sh.: 

                                  “ Orë e Zana atëherë nji zani 

                                     se të madhe ç’ kanë piskatë ! 

                                     Ka jehue bjeshka e Trojanit,  

                                     Maja e Hek’rave e Vermoshi,  

                                     e ajo Mokra e Shekullarir. 

                                     Idhtë dy ulkojat zunë me ul’rue, 

                                     Pika-pika lott tue u shkue.” (391) 

    Po ashtu, autori Mujaj përdori disa metoda kërkimore për stilistikën gjuhësore: 

    Vepra e tij u bazua në analizën e vëllimit më të madh në epikën tonë “Lahuta e Malcis”, pra analizën e korpusit, përmes së cilës studiuesi ynë mundi të identifikojë tiparet e stilit gjuhësor, bukurtingëllimën e përdorimit të fjalëve dhe shprehjeve të caktuara. 

                                               “ Kështu vajton të vëllanë Turkina: 

                                               e ndjeu L’qeni edhe Vranina,  

                                               edhe e ndieka ai Oso Kuka:” ( 29 ) dhe: 

                                             “ e i kanë vu njato calina,  

                                               se ç’ushtimë ka marrë Vranina!” ( 29 ) 

    Duke përdorur analizën krahasuese, studiuesi Mujaj  krahasoi stile të ndryshme gjuhësore dhe identifikoi ngjashmëritë dhe dallimet e tyre, si dhe ndikimin në përceptimin e tekstit. 

    Me mjaft elokuencë autori përdori edhe analizën konjitive (njohëse), në këtë vepër mjetet gjuhësore pasqyrojnë proceset dhe strukturat njohëse të të menduarit, duke përfshirë analizën e metaforave, epiteteve, personifikimit, hiperbolës, krahasimit, apostrofës, antitezës, paradoksit, paralelizmit, elipsës, peizazhit dhe fenomeneve të tjera njohëse në tekst. 

                                              “ e janë çue Shkjetë e Vraninës 

                                                 e janë ba me ushtri t’ Cetinës, 

                                                  për me marrë sot Oso Kukën,  

                                                  qi me ta ka pasë da bukën, “ ( 59 ) 

    Konkluzioni  

    Mujaj, para lexuesit vërtetoi se stilistika gjuhësore është një fushë e gjuhësisë që studion mjetet dhe teknikat gjuhësore të përdorura në stile të ndryshme të të folurit, duke analizuar dhe përshkruar në mënyrë të detajuar, përmes shembujve konkretë, mbi bazën shkencore, me gjuhën e argumetuar,  stilet e të folurit, si dhe klasifikimin e tyre, studimin e karakteristikave, analizën e tekstit, studimin e veçorive leksikore dhe gramatikore, si dhe studimin e kontekstit dhe situatës komunikuese. Lidhjen me shkenca të tjera, metodat kërkimore dhe llojet e analizave.  

    Mujaj analizon pjesët më thelbësore të veprës dhe talentin letrar të Gj. Fishtës, origjinalitetin artistik si dhe autenticitetin e veprës madhore Lahuta e Malsisë, zbërthimin e lidhjes së thellë të veprës letrare të shkrimtarit të madh me krijimtarinë e popullit, zbulimin dhe paraqitjen e bukurisë, pasurisë dhe shprehjes artistike unike të gjuhës në veprën e tij, zbulimin e theksuar të  stilit fishtjan, këtë të cilin e ilustrojmë me vargjet vijuese, sipas Mujajt “të cilat vezullojnë nga stilizimi e përshkrimi stilematik-figurativ i frymëzimit të krijuesit p.sh.: 

                                           “ Fort gjimue kanë bjeshkë e male,  

                                             fort shung’llue kanë përroje e zalle, 

                                             përroje e zalle edhe livadhe, 

                                             kur piskatë ka Zana e Madhe, 

                                             Zana e Madhe e Vizitorit: 

                                             ushtoi bjeshka e Durmitorit ! ” (407)  

    Nga pikëpamja gjuhësore, gjithçka që korrespondon me faktet e pranishme në gjuhë është e saktë, të kuptuarit nga gjuha është një mjet komunikimi i pranuar në tërësinë shoqërore,   

    Thjesht, rregullat analitike, stilistike që vendos nuk janë absolute, por janë tërësisht në varësi të rrethanave dhe qëllimit që autori i vendos vetes.  

    Përfundojmë se filologjia shqiptare kërkon për të trajtuar stilistikën gjuhësore në shumë kahe e dimensione, prandaj studiuesi Mujaj, duke e konsideruar Fishtën si autorin e të gjithë eposit historikdhe duke e cilësuar Lahutën e Malsisë një inventar holistik hulumtimi, me vlera shumë të larta, sidomos stilistike, estetike, epistemologjike, bihevioristike, hermeneutike etj.dhe duke qenë i vetëdijshëm se kjo fushë është ende e parrahur, llogaritur si një deficit të madh letrar e gjuhësor, shkencërisht  i hyri analizës stilistike gjuhësore të vargut epik fishtjan,  ku gjithçka e përshkoi me  profesionalizëm dhe e realizoi me mjaft kujdes. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark