×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Sulmi ndaj Top Channel që la të vdekur rojën – gazetari nga Shqipëria jep detaje për Insajderin

    Insajderi
    27 March 2023 - 13:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pak pas mesnatës së të dielës në zyrat e Top Media Group, cak i sulmit ishte televizioni, e ku për pasojë i vdekur mbeti roja i sigurisë, Pal Kola.

    Për rastin detaje për Insajderi ka dhënë gazetari i OraNews, Everest Dedaj.

    Dedaj konfirmoi se Pal Kola kishte vetëm gjysmë viti që kishte nisur punën si rojë ndërkohë që potencoi se i njëjti kishte gjendje të rëndë ekonomike.

    Pal Kola, 60 vjeç, kishte vetëm rreth 6 muaj që punonte si roje private pranë Top Channel! Kola, jetonte në periferi të Tiranës, në zonën e Sharrës”, tha ai për.

    “Një familje në vështirësi ekonomike. Kola kishte 3 fëmije të rritur.. 2 vajza dhe një djalë. Djali jeton në Itali”.

    Gazetari Dedaj po ashtu tha se kolegët e tij kanë tentuar ta kontaktojnë familjen e të ndjerit por të njëjtit nuk janë deklaruar.

    “Gazetarët kanë tentuar të kontaktojnë dhe të shkojnë tek banesa e të ndjerit por ata kanë refuzuar dhe i kane përzënë”, u shpreh ai.

    Mediat në Shqipëri kanë raportuar se dy kamera sigurie kanë filmuar qartësisht të gjithë momentin e atentatit.

    Bëhet fjalë për një kamera të subjektit Top Channel dhe një kamera tjetër vetëm pak metra metra më tej. Është bërë me dije se autorët përdorën një automjet tip Range Rover të vjedhur që u dogj në Kavajë pas ngjarjes.

    Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.

    Raportohet se Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.

    Gazetari Dedaj i tha Insajderit se gjendja e mediave në Shqipëri e rëndë, përmendi disa raste sulmesh ndaj mediave.

    Ngjarja në Top Channel, është shumë e rëndë. Tregon një problem serioz që Shqipëria ka me sigurinë, por edhe me median dhe fjalën e lirë. Prej kohesh ka nis një sulm ndaj mediave, ka nisur disa vite më parë me mbylljen e Agon Channel, me pas me shantazhe e sulme ndaj Kompanisë Ora News, e së fundi me gjoba ndaj disa operatorëve mediatik. Ky shqetësim është ngritur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili në raportin e pak ditëve më parë foli për presion e shantazh dhe kapje të medias nga Qeveria. Ngjarja ne Top Channel, kërkon një reagim të shpejte të autoriteteve“, u shpreh Dedaj.

    Për rastin kriminal tashmë kanë reaguar edhe krerët e shtetit.

    Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Top Channel pak orë pas mesnatës.

    Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Begaj u ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese për zbardhjen sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë të kësaj ngjarje kriminale. Po ashtu, Presidenti i ka shprehur ngushëllimet familjes së rojës Pal Kola, i cili mbeti viktimë.

    “Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, shkruan Begaj.

    Ka reaguar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili e cilësoi për agresion kriminal me pasojë të humbjes edhe të një jete.

    Rama ngushëlloi familjen e të vrarit dhe u solidarizua me kompaninë mediatike.

    “Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!”, shkruan Rama.

    Gazeta Insajderi ju sjell disa pamje nga godina e Top Channel-it pas sulmit:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark