Qeveria e Kosovë edhe për 24 orë ka shtyrë afatin për targat dhe gjobitjen e shoferëve që nuk i kanë kthyer targat në RKS. Rrjedhimisht ndodhi ajo që “pas së hënës vjen e martja” siç edhe tha me ironi zv/kryeministri Besnik Bislimi. Lidhur me këtë çështje, në Bruksel ka nisur një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq. Por çka pritet të ndodhë në Bruksel?
Kryeministri Albin Kurti, nuk e kishte përfillur thirrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e aftit për targat për veturat serbe në veri të vendit.
Madje pati paralajmëruar se nga 21 nëntori (sot), do të niste gjobitjen me nga 150 euro për të gjithë shoferët që nuk kanë kthyer targat në RKS. Por pak para 21 nëntorit, vendimi u shty për 24 orë. Rrjedhimisht sot nuk do të ketë gjoba për serbët në komunat veriore, shkruan Gazeta Insajderi.
Vendimi për shtyrje erdhi pak para nisjes së takimit në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiq.
Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.
“… t’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi ai në Twitter.
Në orët e para të së hënës kryediplomatit evropian, Josep Borrell, takoi ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimet e ndara, kanë zgjatur për rreth 1 orë secili veç e veç.
Ndërsa takimi trepalësh Borrell – Kurti – Vuçiq ka nisur para pak minutash. Mirëpo ende nuk ka informacione se çka po ndodhë brenda takimit dhe se a ka disponim për arritjen e ndonjë marrëveshje.
“Pas të hënës, vjen e marta”
Se është arritur marrëveshje për targat ishte raportuar në media javën e kaluar. Por një gjë të tillë e ka mohuar me ironi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pasi ishte kthyer nga Brukseli, nga takimi që kishte pasur me Lajcak.
Kur Bislimi u pyet se çfarë do të ndodh pas ditës së hënë kur pritet të hyjë në fuqi, pika për gjobat, ai ka thënë se “vjen e marta”.
Bislimi madje tha se kanë dërguar me shkrim tek emisari sllovak Miroslav Lajçak mënyrën se si Qeveria e Kosovës e sheh zgjidhjen për targat nga data 21 nëntor dhe periudhën e ardhshme.
Sipas tij, cilindo prej atyre propozimeve e përkrahin, dhe do ta bëjnë publike se për cilin propozim do të ketë pajtueshmëri.
Ne jemi ende në kontakt me z. Lajcak. Ne i kemi dërguar edhe me shkrim mënyrën se si ne e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e deri në muajt në vijim. Në atë moment që ne kemi dakordim, ne e bëjmë publike”, ka thënë Bislimi në Tëvë1.
Bislimi potencoi se Bashkimi Evropian është i interesuar që të mos ketë tensione në terren.
Nga ana tjetër shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari, deklaroi se arritja e një marrëveshjeje është cështje orësh.
Ajo gjatë një paneli të organizuar nga KDI, tha se ka informacione se çështja është duke u trajtuar tepër seriozisht dhe se ka komunikim intensiv në mes të Brukselit dhe kryenegociatorit Besnik Bislimi.
“Sa i përket marrëveshjes për targat unë jam e informuar që janë duke e marrë shumë seriozisht, dhe që ka pasur shkëmbime mes Besnik Bislimit, si kryenegociator me ndërmjetësit të BE-së në raport me hapat e radhës. Po besoj që është çështje orësh ndoshta të mos them ditësh, se kanë mbetur pak ditë që do të dilet me një zgjidhjeje për të cilën do të ketë ose besojmë që do të ruhet edhe stabiliteti, por natyrisht edhe ligjshmëria.”- tha Kusari – Lila.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Këto makina qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar. /Gazeta Insajderi