×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Tokë, banesë e biznes në Pejë dhe banesa në Prishtinë- kjo është pasuria e regjistruar e “Peshkaqenit”

    Insajderi
    07 December 2023 - 15:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Princ Dobroshi apo “Peshkaqeni”, i njohur si bosi i drogës, u arrestua një javë më parë nga autoritetet në Shqipëri. Të enjten atij iu bastis shtëpia e tij në Pejë, ku iu sekuestruan një veturë dhe disa pajisje teknologjike. “Peshkaqeni” me të kaluar kriminale të pasur ka të regjistruara një numër të madh objektesh banimi dhe tokash. Ai kishte edhe një biznes të regjistruar në emër të tij, por i cili është pasiv që nga 2022-a. Gazeta Insajderi ju sjell detaje ekskluzive:

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me atë të Gjermanisë ka bastisur shtëpinë dhe banesën e Princ Dobroshit, të njohur me nofkën “peshkaqeni”.

    Ai, siç raportoi Insajderi me burime më herët dhe sipas konfirmimit të Policisë, u arrestua në Shqipëri përpara më shumë se dy jave.

    “Në këtë operacion policor kanë qenë të angazhuara njësite të ndryshme policore, të cilat kanë kryer kontrolle në dy lokacione, banesë dhe shtëpi banimi të personit të dyshuar (P. D.), i cili me datën 22/11/2023 ishte arrestuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë si i dyshuar për vepra penale të trafikimit me narkotikë në nivel ndërkombëtar”, u tha në njoftimin e policisë.

    Cila është pasuria e tij?

    Dobroshi në vendlindjen e tij ka të regjistruara tri objekte banimi me vlerat si në vijim: 150 mijë euro, 45 dhe 13,965 euro.

    “Peshkaqeni” në të njëjtën komunë ka të regjistruara edhe pesë parcela bujqësore në Vitomericë dhe një parcelë pyjore në Brestovik të Pejës.

    Ndërkaq, në Prishtinë ka të regjistruara tri banesa në vlerat si vijojnë: 121,440 euro, 121 mijë dhe 4,224 euro.

    I kërkuari nga autoritetet ndërkombëtare ka të regjistruar edhe një parcelëMiradi të EpërmeFushë Kosovë.

    “Peshkaqeni” kishte edhe një biznes aktiv të regjistruar deri më 9 qershor 2022 me emrin “Princi D SH.P.K.” me kapital të regjistruar 5.000 euro dhe 100% për qindje të aksioneve.

    Në bazë të përshkrimit të biznesit, aktiviteti kryesor i biznesit ishte rikuperimi i materialeve të klasifikuara. Ndërkaq, aktivitetet e tjera përfshinin tregtinë me shumicë të kafes, çajit, kakaos dhe erëzave, tregtinë me shumicë të tekstileve, tregtinë me shumicë të mbeturinave dhe hekurishteve dhe tregtinë me shumicë jo të specializuar.

    Kush është “Peshkaqeni”?

    Princ Dobroshi, në Norvegji dhe Ceki njihet si bosi i mafia shqiptare të drogës. Mediat në këto dy vendi i referoheshin me nofkën “Peshkaqeni”.

    Dobroshi ishte dënuar për përfshirje në trafikun e drogës, saktësisht heroinës. Për këtë dhe vepra të tjera Dobroshit i ishte ndaluar hyrja në vendet e Bashkimit Evropian.

    Ai ishte larguar nga Kosova në vitin 1988. Fillimisht kishte shkuar në Gjermani, ku ishte marrë me biznesin e kazinove. Pas Gjermanisë ai kishte shkuar në Norvegji.

    Në vitin 1993, Princ Dobroshi, u arrestua nga policia norvegjeze nën dyshimin për trafik droge. Në një rrëfim për mediat në Kosovë pas kthimit të tij, ai thoshte se kishte qenë në kazino kur shoku i tij me emrin Zhuzepe i kishte kërkuar para.

    “Më tha nëse mund t’ia dërgoja 130 mijë marka. Kur jam afruar afër veturës për t’ia dhënë paratë njerëzve të tij, është shfaqur policia. Në makinën që më priste mua ishin 5.4 kilogram heroinë dhe rasti shkoi në gjykatë ku u dënuam”, pati thënë Dobroshi.

    Gjykata në Norvegji në vitin 1994 e kishte dënuar atë me 14 vite burgim.

    Dobroshi, kishte arritur të ikur nga burgu në vitin 1997, pasi që kishte korruptuar rojën e burgut. Pas ikjes, sipas shefit të antidrogës, ishte fshehur në Kroaci ku kishte bërë një operacion plastik në fytyrë.

    Autoritetet policore çeke kishin lëshuar një njoftim të përbashkët kur kishin zënë Princ Dobroshin në Pragë pas ikjes së tij nga burgu në Norvegji.

    Në aksionin e koduar “Kafaz”, operacioni i të cilit kishte zgjatur dy vjet, e që ishte mbështetur nga policia suedeze, daneze e veçanërisht ajo norvegjeze, kishte rezultuar me kapjen e Dobroshit, me 23 shkurt të vitit 1999.

    Prej 99-es kur ishte rikthyer në qeli, Dobroshi kishte qëndruar deri në vitin 2005 duke rrumbullakësuar nëntë vite burg përkundër dënimi prej 14 vite burgim. Dy vite kishte ikur nga burgu ndërsa tri vite tjera i ishin hequr nga autoritetet norvegjeze.

    Në vitin 2005 kur kishte kryer burgun, Princ Dobroshi ishte përcjellur nga autoritetet norvegjeze nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë.

    Kur u rikthye për të jetuar në vendlindjen e tij në Pejë, ai iu rikthye biznesit të lojërave të fatit.

    Në vitin 2012, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ai hapi biznesin “StarLotoSport”, e cila për aktivitet kishte bastvënien. Pas 14 ditësh ka bërë kërkesë për ndërrimin e emrit të biznesit duke e regjistruar si “Eurolive-24”. Kjo kompani është e regjistruar për bastvënie, bixhoz si dhe kafe.

    Çka tha policia kosovare për operacionin e përbashkët me policinë gjermane?

    Në njoftimin e PK’së, thuhet se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me shtetin e Gjermanisë dhe atë të Shqipërisë, kanë realizuar një operacion policor në rajonin e Pejës.

    “Në këtë operacion policor kanë qenë të angazhuara njësite të ndryshme policore, të cilat kanë kryer kontrolle në dy lokacione, banesë dhe shtëpi banimi të personit të dyshuar (P. D.), i cili me datën 22/11/2023 ishte arrestuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë si i dyshuar për vepra penale të trafikimit me narkotikë në nivel ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

    Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale të potencuar.

    Burime të Insajderit njoftuan se Princ Dobroshi përdorte identitet falso që të futej në territorin e Shqipërisë, i cili prezantonte pasaportën në emër të “Shkelqim Halitaj”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark