Shqipëria ka mësuar rivalët e saj në Ligën e Kombeve. Së bashku me ta në grupin B2 do të jenë edhe Rusia, Isalnda dhe Izraeli.
Megjithëse rusët shihen si favoritët e grupit, trajneri i tyre e sheh ndryshe. Në intervistën e dhënë pas hedhjes së shortit, Valeri Karpin vlerëson kundërshtarët dhe e quan grupin të barabartë.
Trajneri i Rusisë e bën të qartë se përballja me kuqezinjtë do të jetë 100% interesante dhe shton se mund ti shkaktojë nerva shumëkujt. Në fund jep edhe një lajm pozitiv për Kombëtaren shqiptare, teksa shprehet se do të dëshironte të provonte lojtarë të rinj në Ligën e Kombeve.
“Short interesant, skuadra interesante me stile të ndryshme loje. Islandezët, natyrisht, janë më shumë një stil force, Izraeli është futboll më teknik, i shpejtë dhe interesant, edhe Shqipëria është disi e ngjashme me Izraelin, megjithëse ka shumë futbollistë që luajnë në Evropë, kështu që kjo do të jetë një përballje interesante 100%.
Islanda është e njohur për ne, duke përfshirë edhe mua personalisht, sepse kishim katër futbollistë islandezë dhe të katër ishin lojtarë të Kombëtares. Prandaj, është shumë e njohur për mua. Ndoshta për momentin dhe këtë vit rezultatet nuk ishin më të mirat. Kështu që unë mendoj se grupi ynë është shumë i barabartë. Dhe nuk do të thoja që Islanda dhe Rusia do të luajnë për vendin e parë. Edhe Shqipëria edhe Izraeli do të prishin nervat e shumëkujt.
Situata është disi e dyfishtë. Po, ky është një turne i rëndësishëm, ka objektiva. Nga ana tjetër, do të doja të provoja lojtarë të rinj, që të kenë dëshirë të luajnë në Kombëtare. Ndaj duam të kombinojmë, që të mos pësojë rezultati, dhe njëkohësisht t’u japim futbollistëve praktikë loje, ndoshta jo më elementare. Por kjo nuk duhet të reflektohet në rezultat“, ka thënë Valeri Karpin.