×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Vepra poetike e Arian Lekës botohet në gjuhën greke

    Insajderi
    28 May 2023 - 20:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Libri poetik “Hartë memece për të mbyturit” i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Arian Leka, është përkthyer dhe botuar në gjuhën greke.

    Këtë vepër të njohur për lexuesit shqiptarë të poetit Leka në gjuhën greke e ka përkthyer Andrea Zarbella, ndërsa e ka botuar shtëpia botuese “Plethora”, me seli në Athinë, kryeqytetin e shtetit helen.

    Për lexuesit tanë, më poshtë do ta japim një fragment nga shënimi i botuesit grek për veprën poetike “Hartë memece për të mbyturit” të Arian Lekës:

    “Nisur nga vetja, për të mbërritur tek fati i vendit tim, duhej të rindërtoja një mjedis të brendshëm lirie, në madhësinë e kafazit tim të kraharorit. Brenda tij duhet të ishin dy detet e kulturës prej nga unë vij. Duhet të gjendeshin aty edhe dy rrjedhat ujore, që të çojnë drejt Mesdheut, të përjetshmit Mare Nostrum, shndërruar tashmë në Mare Mortum.”

    Deti, që dikur bënte që Kreta, Aleksandria, Roma, Athina, Izmiri, Delfi, Kartagjena, Korinti, Kostandinopoja, Livorno, Raguza, Venecia, Epidamn-Durrachium-Durrësi, dhe shumë qytete të tjerë të ngjajnë me rruaza, shkuar në të njëjtin fill ujor, sot bashkon të mbyturit, që nisen nga të njëjtat brigje të kulturave të lashta, për t’u mbytur në Mare Nostrum – Detin Tonë….

    Vepra u drejtohet marrëdhënieve njerëzore që janë shndërruar në shkëmbime tregtare dhe apatisë së një shoqërie dënuar me amnezi, në një kohë kur sistemet ngrenë struktura mikpritjeje për refugjatët në tokë dhe kampre për të mbyturit në thellësi të detit.

    Ndërthurja mes vargjeve poetikë të fuqishëm, prozës poetike, publicistikës dhe teksteve letrare plot shije të Arian Lekës, gërshetojnë një fill që lidh të tashmen kaotike me periudhën e mëparshme komuniste, duke depërtuar thellë në histori.”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark