×
  • Lajme
  • Insajderi

    Veriu i barrikaduar qe 17 ditë, Sveçla vazhdon të tregohet i ashpër në Facebook

    Insajderi
    26 December 2022 - 10:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në shenjë pakënaqësie për arrestimin e serbëve dhe pranisë së forcave të Policisë së Kosovës, sot janë bërë 17 ditë që serbët kanë barrikaduar veriun e Mitrovicës.

    Serbët kanë deklaruar se do t’i largojnë barrikadat vetëm kur të lirohet Dejan Pantiq, Miljan Axhiq e Sllagjan Trajkoviq, si dhe kur forcat speciale të policisë të tërhiqen nga veriu.

    Mbrëmë KFOR ka konfirmuar se ka pasur të shtëna në Zubin Potok, por se nuk ka të lënduar e as dëme materiale.

    Ndërsa Policia e Kosovës bëri të ditur se nuk ka pasur sulme ndaj tyre dhe as shkëmbime zjarri.

    Në ndërkohë, gjenerali serb, Milan Mojsiloviq më urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq mbrëmë është nisur për në Rashkë. Ai tha se situata është tejet komplekse dhe ushtria duhet të ruaj vijën administrative.

    Pas këtyre raportimeve ka reaguar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

    Ministri i cili ende është në pritje që KFOR-i t’i largojë barrikadat, është treguar i ashpër në Facebook.

    Ai ka thënë se barrikadat duhet të hiqen menjëherë, dhe se Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale, që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës.

    Sveçla shkroi se “lojërat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë”.

    “Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, shkroi ai. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark