×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Vetëm dy kompani të proceduara penalisht – si dështoi Dogana që të vë kontroll mbi ‘mallrat e autobusëve’ nga Turqia

    Insajderi
    29 November 2022 - 09:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Operacioni u nis në mënyrë të fshehtë. Ishte i destinuar që të kapte shmangiet doganore kryesisht nga firma që sjellin të ashtu-quajturat ‘mallrat e përziera’ që dyshohet se për vite të tëra po bëjnë shmangie doganorë. U kapën veç dy kompani. Për vite, dyshohet se kompanitë që merren me këtë biznes, krijuan profite milionëshe vetëm nga shmangia e taksës doganore. Insajderi sjell detaje nga dështimi i Doganës së Kosovës për të vënë kontroll mbi ‘mallrat me autobus”.

    Gazeta Insajderi

    Më 13 tetor 2022 Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu nisi një operacion konfidencial në këtë institucioni. Qëllimi ishte kapja e shmangies doganore që shkaktohet nga transportuesit me mallra kryesisht nga Turqia, e që njihen si ‘mallrat e autobusëve’, ose ‘mallrat e përziera’.

    Më 12 tetor disa nga doganierët që ai i konsideronte me integritet u përfshinë në një “Task Forcë’ ad-hock me qellim të testimit të riskut në mallrat e njohura nga zyrtarët doganor si mallra të autobusëve, që kryesisht janë mallra tekstili me origjinë nga Turqia, e që ndër vite konsiderohet se të njëjtit kanë evazion fiskal me miliona euro, për shkak te mos-deklarimit të mallit ose deklarimit të pasaktë të mallrave të importuara.

    Ajo që konsiderohej si aksioni më sekret në Doganën e Kosovës kishte filluar duke kontaktuar zyrtarët e përzgjedhur nga Drejtori i përgjithshme e nga Burimet Njerëzore, ku me datë 12 tetor 2022 ishin ftuar këta zyrtarë për takim. Takimi u mbajte më 13 tetor 2022 në drejtori të Doganës, në ora 08:30 – pa sqaruar arsyen e takimit. Tek pas takimit ishin njoftuar se do fillohej me testimin e riskut në mallrat e autobusëve, ku nga ky takim zyrtarëve doganorë të përzgjedhur i ishin dhënë rekomandime se si duhej kryer puna në terren me këtë kategori të mallrave, pasi që të njëjtit dyshoheshin për mos-deklarim apo deklarim të pasaktë të mallit të paraqitur për zhdoganim.

    Cilat janë kompanitë që u kapën në vepër penale me mallra nga Turqia?

    Menjëherë pas fillimit te punës nga zyrtaret e doganës te angazhuar ne planit operativ te përkohshëm, caktuan për kontrollim detal këto dy kompani “Megkos Trans” dhe “Saimir Tours”.

    “MEGKOS TRANS SH.P.K” del qe është regjistruar si biznes në mars të këtij viti dhe është në pronë të Albin Hasanit.  “MEGA TRANS SH.P.K.” është një biznes tjetër i shuar, që ishte në pronësi të biznesmenit të njohur llapjan, Muhamet Hasani i arrestuar ,muaj më parë në operacionin e njohur si “Reflektorët” ku u kapën 83 kilogramë heroinë.

    Hasani siç merr vesh Gazeta Insajderi, ka në pronësi “Albba trans SH.P.K.” dhe “Eurotexdantel”. Ai është i njohur në Podujevë edhe për gjestin “patriotik” që kishte bërë në 20 vjetorin e çlirimit të kësaj komune – vendosjen e shqiponjës gjigante në hyrje të qytetit.

    Biznesmeni që e vendosi shqiponjën në Podujevë në mesin e të arrestuarve me 83 kg drogë

    Kompania “Albba trans SH.P.K.”, në pronësi të biznesmenit Hasani, sipas regjistrimit të bizneseve (ARBK), merret me transportin rrugor të mallrave, transporti detar dhe bregdetar i mallrave, magazinimi dhe ruajtja, tregtia me shumicë e veshjeve dhe këpucëve dhe aktivitetet të tjera të transportit.

    Aksionar në këtë kompani bashkë me Hasanin është edhe biznesmeni tjetër Shefket Demi. I njëjti po ashtu është arrestuar si pjesë e grupit që u kapën me 83 kilogramët e drogës.

    Në ARBK ky biznes është regjistruar në vitin 2019 dhe ka të regjistruar dy punëtorë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në operacionin e Doganave për kontroll të mallrave të përziera më 15 tetor 2022 u kap biznesi “MEGA TRANS SH.P.K.” e Albin Hasanit, firmë që për aktivitet primar ka transportin e mallrave.

    Kjo firmë u zë duke bërë shmangie doganore mbi 10 mijë euro e që më nuk është veprim kundërvajtje, por kalon në fushëveprimin e veprave penale.

    Me mbi 10 mijë euro shmangie doganore më 14 tetor 2022, u kap edhe bisnesi “SAMIRI TOURS SH.P.K”, pronë e Merita Gashi e Sebajdin Janova. Edhe veprimi i tyre tashmë ka kaluar në drejtim të veprës penale, pasi që e tillë konsiderohet çdo shmangie mbi 5 mijë euro.

    “Ajo çka është me rëndësi është se këto kompani asnjëherë nuk i kane kaluar shmangiet doganore mbi 5000 euro, ndërsa me themelimin e një grupi zyrtarëve të përkohshëm dhe në një mënyrë shumë sekrete, rezultoi me sukses”, i ka thënë Gazetës Insajderi një burim brenda Doganës.

    Si dështoi dogana për vite të tëra me ‘mallrat e përziera’

    Burime të insajderit brenda Doganës së Kosovës kanë bërë me dije se brenda këtij institucioni për afro një dekadë ekziston edhe Sektorit për Menaxhimin e Përgjithshëm të Cilësisë.

    “Ky sektor duhej të ishte i specializuar për kontrollime të detajuara  ashtu e ka përshkrimin e punëve, mirëpo i njëjti me qindra herë ka kontrolluar këto dy kompani, dhe asnjëherë nuk ju ka gjetur mallra të pa deklaruara që ti dërgoi në Gjykata- për shmangiet mbi pesë mijë euro. Në kryer të këtij sektori është Ardian Jashari i cili ka një ekip me mbi 10 persona”, bëjnë të ditur burime të Insajderit brenda Doganës.

    Këto burime i kanë thënë Insajderit se drejtori aktual i Doganës së Kosovës ka vështërsi serioze për të gjetur edhe së paku 15 doganierë të besueshëm, të pa korruptueshëm që mund të ushtronin kontroll mbi këto mallra.

    Çka janë ‘mallrat e autobusëve’?

    “Mallrat e autobusëve janë mallra që në Doganë konsiderohen si mallra me risk të lartë edhe që nder vite të njëjtit janë importuar nga disa kompani (5-7 sosh) e të cilat janë shmangur nga pagesa e detyrimeve doganore me miliona euro, e që të njëjtat shpesh here i ndërrojnë numrat fiskal dhe emrat e subjekteve me qëllim qe te humbin ndërlidhshmërinë në Doganë dhe ATK”, i kanë thënë Insajderit burime brenda Doganës.

    Sipas këtyre burimeve këto kompani me këto mallra nga viti 2014 e deri ne vitin 2019 për maune kane paguar mesatarisht taksa doganore rreth 50 mijë euro, kurse nga fundi i vitit 2019 e tutje kane filluar ti ulin pagesat e taksave doganore, e qe aktualisht pagesat e tyre sillen mesatarisht në rreth 30,000 euro.

    “Vetëm nga ky ndërrim shihet se çfarë evazioni fiskal janë duke kryer këto kompani, marre parasysh edhe faktin se krahasuar me vitin 2014 kemi një rritja të çmimit të produkteve në treg diku nga 25% deri 30 %, e që konsiderohet se këto kompani minimalisht do te duhej te paguanin për maune rreth 75 mijë euro nëse shumice e mallit do le ishte kontrolluar në detaje”, thotë një burim i Insajderit në Dogana.

    A jenë kontrolluar me parë këto kompani nga Dogana e Kosovës?

    Burime të Insajderit brenda Doganës kanë bërë me dije se këto kompani vazhdimisht në çdo ngarkesë janë subjekt kontrolli nga ana e zhytarëve doganor, të cilat kontrollohen nga zyrtaret doganor në  terminale.

    Në kushte anonimiteti doganierët kanë bërë me dije se kontrolli ndaj tyre kryhet formalisht, a u lëshuar në detaje dhe pse kompanitë nuk i deklarojnë mallrat e përziera në mënyrë të detajuar.

    Këto kompani shpesh herë kontrollohen nga ‘Task Forca’ e cila emërtimin zyrtar e ka Sektori për Menaxhimin e Përvitshëm të Cilësisë si dhe nga Sektori i Anti-Kontrahandes, e të cilat sektorë sikurse vet zyrtarët e ekzaminimit të mallrave, shpesh herë këto kompani i kalojnë pa evidentuar parregullsi apo aty -këtu ndonjë kundërvajtje doganore sa për të krijuar përshtypjen se kanë kryer kontrolle.

    Nga bisedat që kemi pasur me disa zyrtare doganor kemi kuptuar se sikur te kontrollohesh në mënyrë të detajuar këto dërgesa do te evidentoheshin parregullsi të mëdha dhe se në çdo dërgesë do të haseshin shmangie të mëdha e të cilat do te rezultonin si raste penale dhe jo kundërvajtje doganore.

    “Këto kompani nder vite kanë pasur mbështetje nga struktura brenda menaxhmentit të Doganës dhe në rastet kur dikush nga zyrtarët doganor ka tentuar të ndërmarrë hapa më qellim të rregullimit të situatës me këto kompani menjëherë është transferuar në pozitë tjetër nga menaxhmenti i Doganës”, bëjnë të ditur ëpr Insajderin zyrtar doganorë në kushte anonimiteti.

    Cili është roli i Sektorit për Menaxhimin e përgjithshëm të Cilësisë?

    Sektori për Menaxhimin e Përgjithshëm të Cilësisë (Task Forca) është krijuar ne vitit 2014 nga ish-drejtori i Doganës Lulzim Rafuna. Ky sektor ishte përfshirë në strukturën organizative të Doganës dhe në kuadër të përshkrimit të detyrave të punës ka mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit doganor nga sektorët e ndryshëm si dhe testimin e riskut në çështjet të cilat konsiderohen me risk të lartë, dhe shpesh here merren me testime të procedurave që i përcaktohen nga menaxhmeti i Doganës.

    Sipas burimeve tona nga viti 2014 deri vitin 2019 ky sektor kryesisht ka përmbushur rolin dhe mandatin e besuar. Ne atë kohë mallrat me rrisk- mallrat e përziera po të autobusëve me origjinë nga Turqia kanë paguar taksa doganore për maune diku rreth 50 mijë, kurse nga fundi i vitit 2019 fillon rënie e pagesave për këto mallra për te arritur piken me të ulet ne vitin 2022 ku për një maune këto kompani paguajnë rreth 30 mijë euro.

    “Roli i “Task Forcës” siç shihet kohëve te fundit ka filluar të zbehet sepse pagesat e këtyre mallrave në vend që te rriteshin pas gjithë inflacionit të viteve të fundit, të njëjtat janë ulur në mënyrë drastike, Zyrtarët që aktualisht punojnë në ‘Task Forcë’ janë të përzgjedhurit dhe të përkëdhelurit edhe të menaxhmentit aktual të Doganës”. I ka thënë Insajderit një burim brenda Doganës.

    Si po rrjedhe aksioni tanishëm ndaj mallrave të autobusëve?

    Aksioni i filluar me date 13 tetor 2022 I cili kishte si qellim qe te konstatonte gjendjen faktike ne terren ne lidhje me mallrat e njohura si të autobusëve duket qe nuk po shkon sipas planifikimeve të menaxhmentit aktual të Doganës. Grupi i dytë i caktuar nga njerëzit e besueshëm të drejtorit aktual të Doganës, Agron Llugaliu, ishte në një formë “Task Forcë” mbi ‘Task Forcën’ e vitit 2014 që veç është brenda strukturës së Doganës.

    “Përveç në dy raste ku janë iniciuar hetime penale për shkak të shtrëngimeve të detyrimeve doganore mbi 5 mijë euro, në të gjitha rastet tjera këto kompani janë trajtuar me kundërvajtje doganore dhe mallra të konfiskuara për shkak të shkeljes së markave tregtare. Vetëm pak ditë pas fillimit të aksionit këto kompani kanë filluar të rrisin deklarimin dhe pagesat deri ne shumë rreth 40 mijë euro”, thonë burime të Insajderit brenda doganës, por bëjnë me dije se rezultatet e arritura deri tani janë larg atyre të pritura dhe qe edhe ky aksion mund të shkoi po ashtu drejt dështimit.

    Muaj më parë Insajderi kishte kërkuar nga Dogana e Kosovës që të merrte listën e kompanive të cilat merren me veprimtarinë e importimit të ‘mallrave të përziera’, por Dogana nuk i kishte dërguar listat e tyre dhe as informacione të tjera të kësaj veprimtarie biznesore.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark