×
Insajderi

Vjen reagimi i ashpër nga BE -qorton Qeverinë që “bëri aksion të njëanshëm” dhe serbët që bllokuan rrugët

Insajderi
01 August 2022 - 14:45

Pas zhvillimeve në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për qetësi. Brukseli qortoi Qeverinë që “bëri aksion të njëanshëm” por edhe serbët që bllokuan rrugët.

“Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Sipas Brukselit, mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është dialogu dhe bisedimet, andaj konfirmoi që kanë ftuar të dy palët – Kosovën dhe Serbinë – të takohen në Bruksel “për të diskutuar rrugën përpara”.

“Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Joseph Borrell dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”, njofton BE.

BE thotë se fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Kryeministri Albin Kurti pak më heret u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë duke e dënuar “dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës”.

“I bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë, kryeqendrave perëndimore demokratike, Bashkimit Europian dhe NATO-s që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës të cilat janë qartazi të nxitura, përgatitura dhe financuara nga Beogradi”, tha Kurti në një konferencë për media.

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark