Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është duke mbajtur mbledhjen e radhës.
Sërish në këtë mbledhje ka pasur përplasje mes anëtarit të LVV-së në KQZ, Alim Rama dhe kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.
Rama ka kërkuar nga anëtarët e KQZ-së të tregojnë pse janë kundër që zarfet me fletëvotime nga diaspora të pranohen të shtunën.
“Edhe për votën që voton kundër secili nga ju duhet me dhanë përgjegjësi. Me bindje të plotë po e shkelni ligjin me dy këmbët duke filluar nga kryesuesja. Secili të arsyetohet pse është kundër që zarfet mu pranua të shtunën”, ka thënë Rama.
Pas kësaj ka reaguar edhe anëtari i LDK-së, Sami Hamiti i cili iu drejtua Ramës se përgjegjësi japin para ligjit.
“Përgjegjësi japim ndaj ligjit, por jo ndaj teje, kush je ti me të dhanë arsyetim”, tha Hamiti.
Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka u përfshi në këtë mes duke kërkuar që të ndalen.
“Ju lutem ne në gjyq nuk jemi, e as në bankën e të akuzuarve. Japim arsyetim para ligjit, për të gjitha vendimet secili mbanë përgjegjësi edhe penale dhe morale. Po dilni jashtë temës e mandej po del mbledhja jashtë kontrollit”, tha Daka. Mbledhja është duke vazhduar.