×
Insajderi

Vrasja e gruas me sëpatë nga burri që tronditi vendin mëngjesin e sotëm – Gjithçka që dihet deri tash

Insajderi
25 November 2022 - 12:15
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Arsimtarja e Gjeografisë Sadije Miftari-Godeni të dielën kishte planifikuar që bashkë me kolegët e shkollës “Dardania” në Prishtinë të udhëtonte për në Shqipëri për festën e 28 nëntorit. Por goditjet e pamëshirshme me sëpatë nga bashkëshorti i saj Izet Godeni, ia morën jetën mëngjesin e sotëm, duke e ndarë jo vetëm nga kolektivi por përjetësisht nga jeta, familja e më të dashurit e saj. Ky krim i rëndë ndodhi në shtëpinë e tyre në lagjen “Tophane” në Prishtinë, pas së cilës 70 vjeçari Godeni u dorëzua në polici. Motivi i vrasjes makabre sipas organeve të drejtësisë ende nuk dihet

Jeta e arsimtares së Gjeografisë, Sadije Miftari-Godeni u ndërpre pamëshirshëm mëngjesin e hershëm nga bashkëshorti i saj, Izet Godeni.

Vrasjen e rëndë, e dyshuari Godeni sipas konfirmimit të Policisë e Prokurorisë e kreu me sëpatë, derisa pas krimit u është dorëzuar organeve të rendit.

E ndjera ishte 63 vjeçare derisa dorasi 70 vjeçar.

Gazeta Insajderi, ka mësuar se çifti kanë dy fëmijë, njëri prej të cilëve nuk jeton në Kosovë. Derisa viktima ka qenë edhe arsimtare e gjeografisë në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë.

Rastin për vrasjen e rëndë për Gazetën Insajderi, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci konfirmoi se pas intervistimit i dyshuari Godeni është dërguar në mbajtje.

“Dërgohet në mbajtje një person i dyshuar për vrasje të rëndë. Sot rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë në një shtëpi në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë. Bazuar në hetimin preliminar si dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar vrasje e rëndë. Lidhur me rastin është vetë dorzuar një person i dyshuar: I. G, mashkull 70 vjeç”.

“Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Borovci.

Sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, 70 vjeçari Idrizi e kishte goditur të ndjerën me sëpatë në shtëpinë e tyre aty ku ndodhi ngjarja makabre.

Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”, thuhet në deklarimin zyrtar të Prokurorisë.

Trupi i viktimës është dërguar për obduksion derisa në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer kjo vepër penale.

“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”.

Sipas prokurorisë nuk dihet motivi i kësaj vrasje të rëndë, por ky institucion brenda afatit ligjor do të kërkoj masën e paraburgimit ndaj Izet Godeni.

Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti” thonë tutje ata.

“U befasova, ajo kurrë nuk mungonte e telefonova se hapte” – Flet drejtori i shkollës

Fqinjë të lagjes ku edhe ndodhi krimi i rëndë, i kanë thënë Insajderi se janë tronditur me lajmin.

Sipas tyre qifti nuk kishin pasur probleme më herët.

“Kanë qenë fqinjë shumë të mirë, as burri nuk është dokë që ka ndonjë problem, jemi tronditë”, i ka thënë njëri nga ta Insajderit.

Për të ndjerën për Insajderin ka folur drejtori i shkollës, Isak Bregaj, ai është shprehur i tronditur me rastin teksa ka theksuar se mësuesja Sadije asnjëherë nuk ka munguar.

“Jemi shumë të tronditur, në mëngjes nuk ka ardhur në shkollë, edhe jam befasu sepse ajo çdo herë kur mungon dikush më raporton dhe kolegëve ju thashë a mos po e dini Sadija mungon, arsimtarja ska lajmëru, më thanë nuk e dimë. Tentova me thirrë në telefon nuk e hapke telefonin, biseduam me kolegë prapë, lidhje pas lidhje e mësuam se e ndjera ka ndërruar jetë”, tha Bregaj për Insajderin.

Bregaj shtoi se ajo ka qenë shumë e dashur për nxënësit, e mësimdhënëse e zonja.

Madje ai shtoi se këtë të dielën kishin për të udhëtuar si kolektiv për festë të 28 nëntorit në Shqipëri.

“Ka qenë një mësuese në moshë por e ka përdor një metodologji për procesin e mbajtjes së orëve pedagogjike me projektor ka qenë e përgatitur profesionalisht, komunikative e dashur për nxënës. Dje bile në zyre e kam pyet, për disa nota që vendosen në dy periudha, i sqarova. Nuk kemi vërejtur asnjë dukuri negative tek ajo. Bile ka qenë duke e përgatit një program, në një takim që do të shkojmë të dielën për festë në Shqipëri por që fatkeqësisht ajo nuk do të jetë me neve më”, deklaroi ai. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark