×
  • Lajme
  • Insajderi

    Vuçiqi e sheh si rrezik të madh për Serbinë votimin e Haradinajt për president të Kosovës

    Insajderi
    09 February 2021 - 13:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Ai është i rrezikshëm”, “Shqipëria e madhe është kërcënim për të gjithë”, ishin disa nga deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, drejtuar kandidati për president të Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Se Vuçiq e sheh rrezik të madh për Serbinë, votimin e Haradinajt për president të Kosovës, e vërtetojnë edhe shkrimet e medieve më të mëdha serbe, kundër Haradinajt, shkruan Insajderi.

    Ballinat e mbuluar me emrin e Ramush Haradinajt në Serbi, nuk mungojnë tash e disa ditë.

    Krejt kjo, erdhi nga programi qeverisës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti e cila prijës ka Haradinajn dhe idenë e tij për një lloj referendumi për bashkim më Shqipërinë në vitin 2025, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën.

    Nga kjo ide e cila po jehonë në gjithë Kosovën gjatë kësaj fushate elektorale e jo vetëm, Vuçiq nga Serbia nuk kurseu fjalë të rënda drejtuar liderit të kësaj partie në Kosovë.

    Ai tha se Haradinaj është një njeri i rrezikshëm dhe një politikan serioz që lutet të bëhet presidenti i ri, sipas tij, i të ashtuquajturës Kosovë.

    “Haradinaj është një njeri i rrezikshëm. Deklarata e tij është një kërcënim për të gjithë. “Shqipëria e Madhe” është një koncept i rrezikshëm. Në rast se do të ketë referendum për bashkimin e Kosovës e Shqipërisë, Serbia do të ketë përgjigje adekuate për këtë” ka thënë Vuçiq.

    Vuçiq po ashtu deklaroi se do të dëshironte të dëgjonte më shumë reagime nga Ëashingtoni, Brukseli dhe qendrat e tjera të fuqisë në botë lidhur me deklaratën e Haradinajt.

    “Zoti na ruajt që dikush nga pala jonë të flasë për ndonjë lloj tjetër të bashkimit në Ballkan… jo vetëm që do të na vendosnin sanksione, por ata gati do të na bombardonin”, kishte deklaruar ai.

    Por këtyre deklaratave iu përgjigje thjeshtë dhe qartë kandidati për president Ramush Haradinaj.

     “Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë! Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon. Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, ishte përgjigjur Haradinaj në Facebook.

    Tutje, Haradinaj tha se Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB.

    “Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejtën tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës. Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!”, shkroi Haradinaj.

    Vuçiq vazhdon të frikësohet dhe këto deklarata kundër Haradinajt, po vazhdon t’i përsërit.

    Madje, para pak ditësh ai tha se për këtë ka biseduar me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sam Fabrici, dhe ka shtuar:

    “Sikur unë vetëm të kisha përmendur bashkimin e tokave serbe, mendoj saktësisht se ata do të më varnin në atë flamur para Berlaymont-it në Bruksel”.

    Ai gjithashtu ka pretenduar se “papërgjegjësia për disa është e lejuar, ndërsa për ata që janë seriozë nuk lejohet”.

    “Kështu që Serbisë nuk i lejohet asnjë lloj papërgjegjësie”, pretendon Vuçiq.

    Ramush Haradinaj, në zgjedhjet e 14 shkurtit, garon për president të Kosovës, derisa është bartës i listës së AAK-së dhe bartë numrin 1./ Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark