×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    VV e Prishtinës reagon pas arrestimeve të zyrtarëve komunalë

    Insajderi
    09 September 2023 - 12:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tre zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, janë arrestuar dje nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. 

    Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka reaguar pas kësaj, duke thënë se qyteti i Prishtinës është shndërruar në kampion të padrejtësisë.

    “Arrestimi i Shefit të personelit të Komunës së Prishtinës, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryetarit Rama, ish-asamblisti dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, z.Fadil Aliu – Hërtica, arrestimi i ish-Drejtorit të Qendres për Punë Sociale të Prishtinës, z.Vehbi Mujku, i dorëhequr ditë më parë, arrestimi i shefes së Njësisë së Shërbimeve Sociale, Znj.Valbona Makiqi, si dhe intervistimi i Nënkryetarit të Prishtinës, z.Alban Zogaj, është dëshmia më e mirë dhe e pakontestueshme e kaosit ligjor në të cilin është zhytur Komuna e Prishtinës”, thuhet në shkrimin e publikuar në në “Facebook”.

    Tutje, në reagim VV-ja ka përmendur LDK-në dhe PDK-në, dy partitë që janë në koalicion në Komunën e Prishtinë.

    “Si opozitë lokale vazhdimisht kemi ngritur zërin për parregullësitë dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin tash e dy vjet në çdo segment të qeverisjes në Kryeqytet. Prishtina tani, nën qeverisjen LDK-PDK, është shndrruar në qytet kampion për paligjshmëri, padrejtësi e anarki. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesor për këtë gjendje bie mbi të parin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, për shkak të veprimeve të tij paligjshme, e të cilat tashmë çdo ditë po shpërfaqen në opinion”.

    Gazeta Insajderi raporti dje se zyrtarët Fadil Aliu- Heretica dhe Vehbi Mujku ndodhen prapa grilave.

    Lidhur me këtë u intervistua edhe nënkryetari Alban Zogaj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark