Grupacioni gjerman Volkswagen ka hapur fabrikën e parë për montimin e automobilave në Ruandë, që duhet të jetë pikë kthese në përpjekjet e vendit të Afrikës Lindore për të ulur importet e automjeteve nga Azia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Paul Kagame, presidenti i Ruandës tha se Afrika nuk do të duhet të jetë deponi për gjëra të përdorura.
“Afrika dhe Ruanda meritojnë më mirë dhe kjo është një nga mënyrat të tregojmë se mundemi”, theksoi Kagame.
Sipas të dhënave të autoriteteve vitin e kaluar në Ruandë, vend me rreth 12 milionë banorë, janë regjistruar 300.000 automobila. Shumica e automobilave, që tashmë janë të përdorura, janë të importuara nga Japonia.
Thomas Schafer, drejtor ekzekutiv i Volkswagen në Afrikën e Jugut tha se siguria dhe stabiliteti relativ i Ruandës inkurajuan VW-në të hapte një fabrikë në këtë vend.