Mbrëmja e së martës së 26 marsit qe e kobshme për kryeqytetin. Në lagjen Kolovicë të Prishtinës u një 30 vjeçar pas plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri. Viktima është Egzon Haziri nga Podujeva. Ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Ndërsa nga të shtënat është plagosur edhe një kalimtare e rastit. 48 vjeçarja Zejnie Gashi, fatkeqësisht nuk arriti t’i përballoj plagët dhe ndërroi jetë të mërkurën në QKUK. Prokuroria bëri të ditur se janë të plagosur edhe dy persona tjerë. Insajderi sjell detaje nga dosja e prokurorisë se si kishte nisur krejt konflikti.
Në dosjen e prokurorisë përmendet Lum Halimaj, Kaltrim Gashi, Bilal Kqiku si dhe i ndjeri tashmë Egzon Haziri në njërën anë, dhe, në anën tjetër përmend vëllezërit Ahmet e Naim Berisha, të cilët janë duke u kërkuar nga Policia tash e ca ditë.
Sipas prokurorisë ekzistonte një mosmarrëveshje mes palëve, e me që rast vetëm në mbrëmjen e 26 marsit, u shtie me armë zjarri.
Vëllezërit Ahmet dhe Naim Berisha thuhet se kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të vetures së, Egzon Haziri e ku ndodheshin edhe Lum Halimaj, Kaltrim Gashi e Bilal Kqiku.
Si pasojë e këtyre të shtënë i vdekur në vend ka mbetur Egzom Hazir, kurse Bilal Kqiku ishte lënduar në këmbë dhe në dorë.
Pas kësaj, të dyshuarit tjerë, Lum Halimaj, Bilal Kqiku dhe Kaltrim Gashi shtinë me armë zjarri në drejtim të veturës së vëllëzërve Berisha, e pasojat qenë fatale edhe për persona tjerë të pafajshëm.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Lum Halimaj në bashkëkryerje me të pandehurit Kaltrim Gashi dhe Bilal Kqiku në njërën anë pas njëmosmarrveshje paraprake me të pandehurit Ahmet Berisha Naim Berisha dhe personat e panjohur NN në anën tjetër, ashtu që me dt.26.03.2024 rreth orës 21:10 minuta në rrugën ” Butrinti”, në Prishtinë, ashtu që derisa të pandehurit Ahmet Berisha Naim Berisha dhe personat e panjohur NN kanë qenë në veturën Golf 8 ngjyrë bardhë, me qëllim të privimit nga jeta, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të të ndjerit Egzon Haziri dhe të pandehurve Bilal Kqiku Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi të cilët ishin në veturën Hyundai ngjyrë e zezë me targa 01-174 IQ, e me ç’rast nga të shtënat me armët e zjarrit, si pasojë e plagëve të marra nga zjarri ka ndërruar jetë Egzon Haziri, kurse i pandehuri Bilal Kaiku ka pësuar lëndime në këmbë dhe në dorë…”, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.
Të shtënat e synuara në drejtim të dy vëllezërve, morën jetën e një gruaje 48 vjecare e cila u varros dje (28 mars), dhe e plagosur mbeti edhe një grua tjetër.
Të dyja sipas prokurorisë ndodheshin para shtëpisë së tyre kur ky akt makabër ndodhi.
Tutje bëhet me dije se nga tentimi për të ikur nga vendi i ngjarjes, është lënduar edhe i Lum Halimaj, i cili e kishte përplasur murin me veturë.
“..në ato momente të pandehurit Lum Halimaj dhe Bilal Kqiku dhe Kaltrim Gashi të cilët ishin në veturën e të ndierit Egzon Haziri kanë shtënë me armë të zjarrit në drejtim të të pandehurve Ahmet Berisha Naim Berisha dhe personave te panjohur NN, e me çrast nga të shtënat e armëve të zjarrit nga ana e të pandehurve Lum Halimaj në bashkëkryerje me të pandehurit Kaltrim Gashi dhe Bilal Kqiku ne njëren anë dhe të pandehurit Ahmet Berisha Naim Berisha dhe personat e panjohur NN ne anën tjetër, ku për shkak të shtënave me armë të zjarrit janë rrezikuar edhe personat e tjerë, ku ka pësuar lëndime trupore e ndjera Zejnije Gubetini- Gashi e cila si pasoje e plagëve te marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jete në SHSKUK në Prishtinë me datë 27.03.2024, dhe e dëmtuara E.Mi ka pësuar lëndime trupore nga predhat e shkrepura nga armët e zjarrit në këmbën e majtë e cila ka qenë në veturën Vë Golf 7 me targa te Belgjikës me të ndjerën Zejnije Gubetini- Gashi e parkuar para shtëpisë së tyre, po ashtu i pandehuri Lum Halimai dyshohet se është lenduar nga vetura e tii duke tentuar të largohet nga vetura e ka përplasur për muri dhe i njëjti ka pësuar lëndime trupore”.
Prokurori i ka ngarkuar me veprën penale “vrasje e rëndë” Lum Halimajn, Kaltrim Gashin dhe Bilal Kqikun.
Lum Halimaj, akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzon edhe Ahmet dhe Naim Berishën që në bashkëkryerje me persona të panjohur kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë” si dhe për veprën penale “mbajtje në pronësi, në kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Si rrjedhojë, prokuroria ka kërkuar paraburgimin e Lum Halimajt, nën arsyetimin se nëse i njëjti lihet në liri mund të ndikojë tek dëshmitarët, si dhe në të pandehurit e tjerë të cilët gjenden në arrati Bilall Kqiku si dhe Kaltrim Gashi, pasi që ende nuk janë dëgjuar nga Prokuroria.
“Andaj, me qëllim të zhvillimit të rregullt dhe të pa pengesë të procedurës penale në këtë çështje penale juridike është e nevojshme që të pandehurit Lum Halimaj t’i caktohet masa e paraburgimit pasi që me asnjë masë tjetër alternative nuk do të arrihet që të sigurohet prania e tij gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje penalo – juridike dhe procedura të zhvillohet pa pengesa”, thuhet në dosje.