×
  • Lajme
  • Analiza

    Drejtësi për ASTRITIN. Krejt çka dihet deri tash për zhdukjen e mostrave të tij

    Insajderi
    08 December 2022 - 19:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në tetorin e vitit 2021, për herë të fundit ishin kontrolluar mostrat e Astrit Deharit në institut. Mbrëmë ato janë zhdukur nga vendi që rrjedhimisht do të duhej të ishte më i sigurti.

    Gazeta Insajderi

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, doli sot në konferencë për media, dhe tha se mbrëmë është njoftuar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë.

    “Mbrëmë jam informuar për zhdukujen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë”, ka thënë Haxhiu para gazetarëve.

    “Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, dy epruveta me gjak ja ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për AND”, tha Haxhiu në konferencën e jashtëzakonshme për media, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ajo tutje njoftoi se vetëm tre persona kanë pasur qasje në to.

    “Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urnës dhe një e lukthit. Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, tha Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas saj, kjo situatë e rëndë vë hije dyshimi mbi të gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Dhe nëse ndiqet protokolli, ajo ka thënë se do të jetë e thjeshtë që të gjenden përgjegjësit.

    “Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt, dhe nëse ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë as nuk zmbrapsen nga protokolli e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale. Këtë guxim mund ta kenë vetëm ata që për motiv kanë dëmtimin final të rastit Dehari”, tha tutje e para e drejtësisë, Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më tej minstrja tha se rasti do të zbardhet deri në fund.

    “Autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht, s’ka dyshim e as kompromis”, tha Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi.

    Menjëherë pas njoftimit për zhdukejen e mostrave të Deharit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka konfirmuar nisjen e hetimeve për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

    Pak pas nisjes së hetimeve, rreth orës 17:30, ministria e Drejtësisë ka dalë me një njoftim të rëndësishëm, ka treguar se ka pezulluar katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

    “Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore”, thuhet ndër të tjera në njoftim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndërkohë, deri tash asnjë person nuk është arrestuar për rastin, apo edhe dorëhequr për çështje morale.

    Madje, me shumë theks është kërkuar dorëheqja e Albulena Haxhiut, ministres së Drejtësisë.

    Ndërkohë, vetëm në tetorin e vitit 2021, për herë të fundit ishin kontrolluar mostrat e Astrit Deharit në institut.

    Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark