×
  • Lajme
  • Insajderi

    E frikshme: Dy Fake News kundër gjyqësorit brenda një postimi të kryeministrit Kurti

    Insajderi
    08 September 2022 - 22:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi ka siguruar dokumentet që dëshmojnë se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit nuk kanë heshtur ndaj kërkesës Qeverisë për vendosjen e masës së sigurisë kundër investimit milionësh në Prishtinë, por në të dy shkallët është vendosur kundër saj.

    Gazeta Insajderi

    Kryeministri Albin Kurti në përpjekje për ta kapur sistemin e drejtësisë ka bërë sot një status që përmban dy gjëra të pavërteta brenda tij.

    Ai ka akuzuar gjyqësorin se ka heshtur një lëndë për bllokimin e një investimi, por e vërteta qëndron ndryshe.

    Insajderi ka siguruar dokumentet që demantojnë kryeministrin.

    Ai tha se Gjykata Themelore të Prishtinës ka heshtur për një muaj ndaj kërkesës së asamblistëve të tij në Prishtinë për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë.

    “Masa e sigurisë, analoge me atë të masës së përkohshme, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë”, ka shkruar Kurti, në profilin e tij në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.

    Por, kjo nuk është e vërtetë, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës, qysh në shkurt të këtij viti, i ka kthyer palës propozuese paditëse, atëherë Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.

    Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, që mban datën 22 shkurt 2022, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi thuhet se: Refuzohet si i pabazuar propozimi për caktimin e masës së sigurimit të paditëses-propozuese Qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilën ka kërkuar që të caktohet masa e sigurimit ndaj 17 mijë m2.

    Që i bie, se Themelorja e Prishtinës nuk ka heshtur ndaj propozimit të Qeverisë që e ka bërë përmes Avokaturës Shtetëore për vendosjen e masës së sigurisë, por e ka refuzuar atë.

    Dy muaj më pas, më 21 prill 2022, kundër kërkesë së Qeverisë për vendosjen e masës së sigurisë kundër investimit milionësh ka vendosur edhe Gjykata e Apelit, duke e vërtetuar vendimin paraprak të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Duke mos i marrë parasysh këto vendime, asamblistët e Kurtit, i janë rikthyer edhe një herë kësaj çështjeje, në gusht.

    Por, ligjërisht ata nuk kanë të drejtë që në civile të propozojnë mase sigurie sepse nuk janë palë në proces.

    Ndryshe, investimi për të cilin LVV ka ngrtur padi kap vlerën e 120 milionë eurove, duke qenë një prej projekteve më të mëdha në Prishtinë, e që është goditur nga Qeveria Kurti.

    Me projektin e ri që ka filluar tash e dy disa vjet, ndërmarrjes NPB do të i rritet pasuria për 50%.

    Të hyrat vjetore nga qiratë e objektiti shumëkatësh do të rriten për mbi 400%, sipas NPB-së duke rritur kështu fitimin nga qiratë prej 1.2 milionë euro në vit, në 5.1 milionë euro.

    Çështja e rrymës dhe përfshirja e PDK-së dhe VV-së

    Çështjen e parë, kryeministri e krahasoi me një rast tjetër, duke thënë një të pavërtetë të radhës për gjyqësorin.

    Kurti ka fshehur të vërtetën kur tha se Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për tri ditë për ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, kur dihet se Gjykata Supreme në fund vendosi në favor të ZRRE, ashtu siç kishte kërkuar qeveria Kurti.

    “Në vendosje e sipër, në bazë të ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për 3 ditë”, tha Kurti, duke u ankuar se lënda e tyre u “hesht”.

    “Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike”.

    Lidhur me këto, ai pyet se “Kush vendosë për shpejtësinë e reagimit të gjyqtarëve? Si ndahen lëndët dhe pse nuk përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve? Kush udhëheqë me pavarësinë e gjyqësorit”?

    Por, si u vendos për rrymë?

    Në fund, gjatë muajit qershor Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës vendosur pro kërkesës së Qeverisë duke aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji ZRRE për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor dhe ka marrë vendim që të ndryshojë vendimet e Gjykatës së Apelit dhe atë të Gjykatës Themelore, duke e konsideruar kërkesën e PDK-së për shtyrje të vendimit të ekzekutimit të vendimit për tarifat e reja të energjisë si të pa bazuar.

    Kundër këtij vendimi pata reaguar menjëherë Partia Demokratike e Kosovës duke thënë se Gjykata Supreme i ka dhënë të drejtë ZRRE-së për tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike dhe ka anuluar vendimet e Apelit dhe Themelores që i kishin dhënë të drejtë PDK-së në kërkesën e tyre.

    Nga PDK-ja patën thënë se një vendim i tillë i Gjykatës Supreme është i ndikuar politikisht dhe se do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetues.

    Derisa, Gjykata e Apelit në 19 maj maj të këtij viti e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.

    Apeli kishte refuzuar si të pabazuar ankesën nga ZRrE-ja.

    “Është refuzuar si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundër propozueses Zyra e Rregullatorit për Energji, me arsyetimin se janë të drejta dhe të ligjshme qëndrimet e gjykatës së shkallës së parë dhe se në rastin konkret janë plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë me nenin 22 paragrafi 2 dhe 6 të Ligjit për Konfliktet Administrative”, thuhej në vendimin e Apelit,

    Sië edhe Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë më 9 prill kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses dhe propozueses, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

    Ky vendim, kishte ardhur pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përfaqësuar nga sekretari i Përgjithshëm, Bajrush Xhemajli, me propozim për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

    “Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative në konfliktin administrativ të paditëses – propozueses Partia Demokratike e Kosovës kundër të paditurës – kundërpropozueses ZRRE me seli në Prishtinë, për shkak të anulimit të vendimit Nr.077/22 të datës 09.02.2022, i publikuar me datë 16.02.2022 me propozim për shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit, jashtë seancës me datë 08.04.2022 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses-propozueses PDK-së”.

    “Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022, i publikuar me datë 16.02.2022 të paditurës ZRRE me seli në Prishtinë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”, thuhet në njoftim e Gjykatës.

    Padia e parashtruar në mars nga Partia Demokratike e Kosovës ishte kundër Vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), me të cilin janë aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

    PDK-ja pretendonte se ZRrE-ja duke mos e përfshirë strukturën e re tarifore të pagesës së enërgjisë elektrike, katër komunat veriore, përveç diskriminimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit.

    Po ashtu, PDK-ja kishte pretenduar se vendimi i ZRrE-së ka mangësi në pikëpamje të plotësimit të kushteve ligjore të procedurës administrative.

    “Vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës për të paditur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, vjen pasi Grupi Parlamentar ka parashtruar edhe kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar, në të cilin do të hetohen vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë, veçanërisht në muajt e krizës energjetike në të cilën u keqpërdorën dhjetëra miliona euro, pa plan, pa strategji, pa transparencë dhe në mënyrë të kundërligjshme”, thuhej në njoftim, nga PDK-ja./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark