×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Fahredin Spahija: “Jam kundër aktiviteteve kinse kulturore, por me prapavije politike, si “Mirëdita, Dobar dan!”.

    Insajderi
    01 May 2023 - 19:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fotografi i mirënjohur shqiptar, Fahredin Spahija, ka reaguar ashpër ndaj aktivitetit kulturor multietnik, të quajtur “Mirëdita, Dobar Dan!”, që mbahet në Beograd dhe Prishtinë. Ai ka theksuar se aktivitetet e tilla, të etabluara kinse kulturore, kanë prapavijë politike në favor të shtetit të Serbisë.

    Spahija, mes të tjerash, shpreh habinë se si një taraf artistësh ngarendin për t’u “vllazëruar” me artistët serbë, kur ende kemi mungesë të aktiviteteve të përbashkëta e njohje të mjaftueshme mes artistëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

    Postimi i plotë i profesorit të njohur të fotografisë, z. Fahredin Spahija:

    “Para ma shumë se nji ore bana nji postim provokues e ironizues lidhun me nji festival tashma tradicional të quejtun “Mirëdita-Dobar dan” i lansuem prej nji OJQ-je beogradase për mbrojtjen e të drejtave civile, i cili mbahet herë n’Beograd e herë n’Prishtinë! Parimisht, jam kundër marifeteve të tilla kinse kulturore me prapavijë strategjike të Serbisë sepse, mendoj që pajtimi Kosovë-Sërbi duhet të jet politik me nji njohje të ndërsjellë e mandej kemi mundësi të pakufishme me zhvillue aktivitete kulturore, varësisht nga interesi i dy shteteve. Më kujtohet “pluhuni” që u çue kur në vitet e para të pasluftës me iniciativë të Shkëlzen M. Maliqit, në Qendrën Kulturore Studentore të Beogradit u hap nji ekspozitë e ashtuquejtun “Arti bashkëkohor i Kosovës” brenda saj edhe nji poster, e brenda tij figura e Adem Jasharit dhe e Elvis Preslit, me autor, nipin e Shkëlzen M. Maliqit, Dren Maliqi (asnjiherë se kam kuptue domethënjen apo porosinë e asaj “vepre”!). Ekspozita kishte nji kurator të Prishtinës dhe nji kuratore të Serbisë. Kjo e fundit pati deklaru për mediat e Serbisë se këto aktivitete kulturore si kjo ekspozitë, kanë për qëllim bashkëpunimin dhe njohjen ma të mirë mes kulturave që zhvillohen brenda Serbisë! Pra, ekspozita ishte nji farsë tipike me prapavi politike të Sërbisë! Farsë është edhe ky Festivali që unë e mora si shkas për postimin e mëhershëm dhe për këtë që po e shkruej tash! Mjafton me hy në Wikipedia ku jepen shënimet për këtë festival (me alfabet qirilik) dhe të ndaleni tek mestitulli “Vërejtje”(Napomena) e të kuptohet krejt prapaskena e festivalit!

    Fundja, na, nji festival të formatit të tillë nuk po arrijmë me e ba me ata që jemi “t’nji barku” pra, me Shqipninë sepse kemi hala dallime, moskuptime e keqkuptime të bollshme të cilat duhet me u eliminue tuj organizue aktivitete t’përbashkëta domethanëse kulturore, e po “vrapojmë” me u “vllaznu” me ata apo me pasardhesit e atyne që na kanë vra e masakru, dje…

    Ajo që m’bani përshtypje tek postimi jem provokues ishte hezitimi i miqve të mij me e pëlqy ate. Kaloi mbi nji orë pa u pëlqy nga askush!

    Miq e artista! Koha e Titos dhe e Enver Hoxhës ka perendue e nuk kthehet ma! Pra mos keni frikë prej postimeve të tilla!”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark