×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Konfliktet 10 vjeçare që i paraprinë rrahjes brutale – Insajderi sjell dosjen ekskluzive të rrahjes së imamit nga Podujeva nga tre ekstremistët

    Insajderi
    02 August 2022 - 12:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    E enjtja e 21 korrikut tronditi Lupçin e Poshtëm të Podujevës. Imami, Zeqiri Berisha u rrahë për vdekje nga tre vëllezërit  Shkodran, Atdhe e Behar Murturi. Këtij rasti i paraprijnë konfliktet para se 10 vitesh. Rrahja dyshohet të ketë ndodhur si shenjë ‘hakmarrje’ ndaj hoxhës i cili ka kritikuar tre vëllezërit, duke i quajtur vehabistë, për shkak mënyrës së faljes së namazit. Të dyshuarit ndodhën prapa grilave, atyre iu është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaj. Gazeta Insajderi ju sjell dosjen ekskluzive se si ndodhi i gjithë rasti, çka deklaruan tre vëllezërit, hoxha e dy djemtë e tij.

    Imami u rrahë për vdekje sapo doli nga vetura e tij teksa po futje në xhami, rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Bazuar në dosjen e policisë të cilën e ka siguruar Insajderi, hoxha u goditë me mjete të forta.

    Ai ka pësuar thyerje tre vende në kokë dhe i është lënduar rëndë dora e djathtë. Siç mëson Gazeta Insajderi tash e afro 2 javë, imami është ende duke u trajtuar në QKUK më konkretisht në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Gjendjen shëndetësore e ka pak më të mirë, por, ende nuk po mund t’iu kryhen intervenimet nga mjekët sepse po kërkohet kohë për shërim.

    Tre vëllezërit 26,27 dhe 29 vjet dyshohen se kanë kryer veprën penale “vrasje në tentativë” e “bashkëkryerje”.

    “Ekziston dyshimi se të dyshuarit Shkodran Murturi Atdhe Murturi dhe Behar Murturi me datë 21.07.2022 rreth orës 22:00 kanë sulmuar me mjete të forta viktimën Zeqir Berisha, imami në xhaminë Lupç i Poshtëm, komuna e Podujevës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore (nga të cilat tri fraktura në kokë dhe një frakturë në dorën e djathtë) i cili menjëherë i  është nënshtruar operimit. Deri te ngjarja kishte ardhur kur viktima kishte shkuar në xhami ku është imam dhe më të dalë nga vetura e tij e kishin sulmuar me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.

    Paraprakisht vepra u hetua si “lëndim i rëndë trupor” por vetëm pastaj me kërkesë të prokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë u bë rikualifikim i veprës, e rasti po hetohet nën veprën penale “vrasje në tentativë”.

    Si u njoftua policia për rastin e rrahjes?

    Imami Zeqir Berisha ka deklaruar se rastin e lajmëroi vetë në polici, madje edhe në një rast tjetër të më hershëm që kishte pasur problem me vëllezërit Murturi.

    Rasti i fundit ishte para 3 jave siç ka deklaruar edhe i dyshuari, Atdhe Murti në polici, sipas tij rasti kishte ndodhur pasi donte ta pastronte xhaminë dhe hoxha se kishte lejuar.

    “Njësiti policor i është përgjigjur rastit ku në vendin e ngjarjes ka takuar personin (viktimën) si dhe qytetarin Atdhe Murturi i cili ka njoftua se derisa ka qenë me vëllain e tij duke shkuar në xhami për të fal namazin e Jacisë në momentin që ishte afruar te dera e oborrit të xhamisë kishte vërejtur viktimën, Zeqir Berisha të shtrirë në tokë dhe të gjakosur. Për këtë qytetari deklaron se ka njoftuar emergjencën dhe ka deklaruar se në të kaluarën diku para 10 viteve kanë pasur problem me viktimën rreth mënyrës së faljes”, thuhet në dosje.

    Në gjendje të rëndë shëndetësore imami për në emergjencë të QKUK-së u përcoll nga Policia e Kosovës. Nga aty deklaroi se persona që e kanë sulmuar janë Shkodran, Behar e Atdhe Murturi.

    “Derisa ishte duke u transportuar nga QKMF e Podujevës për në emergjencë të QKUK-së në Prishtinë, policët që ishin në sigurim të viktimës e kishin pyetur se kush ju ka sulmuar dhe i njëjti kishte potencuar emrat e Atdhe, Behar e Shkodran Murturi”.

    Çka deklaruar në polici Behar Murturi, Atdhe Murturi e Shkodran Murturi?

    Të tre vëllezërit kanë refuzuar të kenë avokatë mbrojtës teksa kanë thënë se janë të pafajshëm. Behari, të cilit policia ia kishte vërejtur edhe një shenjë lëndimi në dorë tha se nuk kanë qenë fare i pranishëm në vendin e ngjarjes. Njësoj deklaroi edhe Shkodrani. Tha se ishte në shtëpi pranë familjes. Teksa Atdheu, më i madhi nga vëllezërit thoshte se e pa për toke hoxhën e se vet e lajmëroi emergjencën.

    Dëshmitë e plota:

    I dyshuari Behar Murturi i cili ka refuzuar avokatin mbrojtës ka deklaruar se me datë 21.07.2022 rreth orës 22:00 nuk ka qenë fare te xhamia pasi i njëjti ka qenë duke ujitur ë. Ka deklaruar se nuk ka të bëjë asgjë me rastin në fjalë duke potencuar se në të kaluarën ka pasur mosmarrëveshje me hoxhën dhe se mosmarrëveshja e fundit ka qenë vitin e kaluar. Ndërsa për lëndimin që kishte në dorë saktësisht në gishtin e dorës së djathtë thotë se e kishte lënduar me çekan duke i lidhur fidanët.

    I dyshuari Atdhe Murturi, në cilësinë e të dyshuarit ka refuzuar prezencën e avokatit mbrojtës në intervistë, i njëjti lidhur me rastin deklarohet i pafajshëm dhe qëndron prapa deklaratës fillimisht të dhënë në cilësinë e dëshmitarit.

    I dyshuari Shkodran Murturi, në cilësinë e të dyshuarit ka refuzuar prezencën e avokatit mbrojtës në intervistë, i njëjti lidhur me rasti deklarohet se nuk e ka kryer veprën dhe në kohën kur ka ndodhur rasti ka qenë në shtëpi me anëtarët e familjes (gruan, motrën dhe fëmijët). Po ashtu deklaron e ai nuk ka pasur asnjëherë probleme me hoxhën ndërsa vëllezërit e tij kanë pasur, pasi që hoxha i kishte quajtur vehabista.

    Çka tha imami Zeqir Berisha?

    Imami i Lupçit të Poshtëm, Zeqir Berisha ka deklaruar se me të vetmit persona që ka telashe janë vëllezërit Murturi. Pohon të ju ketë thënë vehabistë.

    “Me të vetmit këta persona ka mosmarrëveshje dhe askush tjetër nuk ka pas motiv ta sulmojë. I njëjti potencon se incidentin e ka paraprirë çështja se të dyshuarit faljet i kryejnë në mënyrë tjera jo sikurse të tjerët në xhami dhe se për këtë shkak ju kishte thënë se jeni vehabista”, thuhet në kallëzimin penal të policisë të siguruar nga Insajderi.

    Për rastin u intervistuan edhe dy djemtë e hoxhës. Amir e Suad Berisha. Të dy deklaruan se personat e vetëm që babai i tyre ka pasur probleme janë vëllezërit Murturi.

    “Lidhur me ngjarjen është biseduar me djalin e viktimës Amir Berisha, lindur më Lupç i Poshtëm i cili verbalisht deklaroj se nuk kanë probleme me askënd tjetër përveç me të dyshuarit dhe se dyshon se po këta janë personat që kanë sulmuar babain e tij dhe shton se nuk ishte prezent në momentin kur kanë biseduar policia me babain e tij”.

    “Po ashtu Saud Berisha, verbalisht deklaroi se nuk ishte prezent në momentin kur ka biseduar policia me babain e tij tani viktimën lidhur me atë se kush e ka sulmua, por potencon se nuk kanë me askënd tjetër probleme apo mosmarrëveshje përveç me të dyshuarit në fjalë”, thuhet në dosje përcjell Insajderi.

    Policia konfiskoi kamerat e sigurisë së xhamisë si dhe telefonin e njërit prej të dyshuarve

    Kamerat e sigurisë në xhaminë e Lupçit të Poshtëm në Podujevë janë marrë një ditë pas rrahjes brutale ndaj imamit, me 22 korrik. Por sipas policisë vendi i ngjarjes nuk është i monitoruar nga kamerat.

    Ndërkohë si dëshmi është përdorur edhe telefoni i tipi Iphone 8+ i të dyshuarit, Atdhe Murturi.

    “Me datë 22.07.2022 Shkodran Murturit i është sekuestruar telefoni mobili Iphone 8+ dhe kërkohet nga ana e Prokurores së çështjes të analizohet se a ka nevojë për ekzaminim dhe nëse po të lëshojë urdhëresë për ekzaminim të telefonit si dhe ti parashtrojë gjykatës kërkesën për nxjerrjen e aktvendimit për sekuestrim për përkohshëm të telefonit në afat ligjor, kurse të dyshuarit e tjerë nuk posedonin telefona”, theksohet në dosje.

    Behar e Atdhe Murturi në polici deklaruar se hoxha ka pasur probleme edhe me të tjerë persona.

    Deklarimi në detaje i Behar Murturit:

    Pyetje: A ka ndodhur që edhe herëve të tjera përveç këtij rasti ti apo vëllezërit e tu te keni probleme me hoxhën Zeqir Berisha?

    Përgjigje: Jo, nuk kemi pasur telashe por marrëdhëniet tona që nga ai rasti i kemi të shkëputura me hoxhën ne shkojmë kryejmë ritualet në xhami por me hoxhën nuk kemi kontakte as unë as vëllezërit e mi.

    Pyetje: Nga kush e keni kuptuar se është sulmuar hoxha?

    Përgjigje: Unë e kam kuptuar nga vëllau im Shpati i cili me tregoi se e kishin gjetur hoxhën e shtrirë dhe të gjakosur tek xhamia e po ashtu më tregoi se Atdheu kishte mbetur duke dhënë deklaratë për policin.

    Pyetje: Siç shihet edhe gjatë kësaj interviste ju e keni të lënduar gishtin e madhe të dorës së djathtë, ku e keni lënduar?

    Përgjigje: Unë gishtin e dorës e kam lënduar deri sa isha duke i ujitur mjedrat pra me datën 21.07.2022, në atë kohë kur Atdheu dhe Shpati shkuan në xhami unë derisa isha duke e drejtuar një dru me të cilin ishin të lidhura fidanët e mjedrës e kam goditur me çekiç dhe e kam lënduar thoni e gishtit të madh të dorës së djathtë.

    Pyetje: A keni nevojë për tretman mjekësorë?

    Përgjigje: Jo, nuk kam nevojë pasi nuk e kam shumë të lënduar vetëm thonin që e kam gërvishur dhe veç pyete: Po vëllai juaj Shkodrani a mendon se mund ta këtë sulmuar hoxhën ku ka qenë ai në kohën e namazit të Jacisë të datës 21.07.2022 rreth orës 22:00?

    Përgjigje: Unë nuk besoj se Shkodrani ka mundur ta sulmojë hoxhën ai në momentin kur kam dalur tek mjedrat e kam lënë në shtëpi, ai gjithashtu nuk ka shkuar në xhami me vëllezërit Atdheun dhe Shpatin pra ai ka qëndruar në shtëpi dhe nuk e kam pa që ka dalë nga shtëpia, ndërsa kur jam kthyer në shtëpi nuk e kam pa pasi sipas familjarëve ai ka shkuar në dhomë për të fjetur, pasi ai është i martuar dhe zakonisht shkon më herët me fjet e po ashtu ai rrallë vjen për ta falur namazin e jacisë me mua, Atdheun e Shpatin.

    Pyetje: Pasi ju veç po mohoni se keni sulmuar hoxhën Zeqir Berisha, a keni ndonjë ide se kush ka mundur ta sulmoj?

    Përgjigje: Nuk e di, pasi ai me shumicën e xhematit ka pasur konflikte me fjalë nuk di se kush ka mundur të jetë.

    Pyetje: Për çfarë konfliktesh e keni fjalë pse hoxha ka konflikte me xhematin e tij?

    Përgjigje: Një pjesë e xhematit përfshirë mua dhe vëllezërit e mijë, ritualin e namazit e bëjmë me tekbire e gjithashtu tespitë që i themi pas farzit veçmas, ndërsa hoxha me një pjesë tjetër të xhematit tespit i thonë pasi e kryejnë namazin dhe i thënë bashkërisht me xhematin, ndërsa kjo mënyra e jonë që ne mendojmë që është e drejtë i pengon hoxhës pasi ai mendon se ne falemi ndryshe nga ata dhe kjo ka bërë që shpesh hoxha na ka kritikuar për këto dhe ka ndodhur që ndonjëri nga ne jemi fjalosur me hoxhën.

    Pyetje: A mendon se ndonjëri nga grupi i juaj ka mundur ta sulmojë?

    Përgjigje: Nuk e di s’mund të them asgjë për këtë.

     Pyetje: A keni për të shtuar diçka tjetër?

    Përgjigje: Unë nuk kam çka të shtojë vetëm më vjen keq për rastin e hoxhës që i ka ndodhur të cilit i urojë shërim të shpejt dhe të kthehet prapë në mesin tonë.”

    Deklarimi i detajuar i Atdhe Murturit:

    Deklarohem se me datë 21.07.2022 rreth orës 22:00 bashkë me vëllain tim Shpat Murturi, 16 vjeçar ishim duke shkuar në xhamia për ta falë namazin e jacisë. Kur kemi arritur tek hyrja e oborrit të xhamisë e kemi vërejtur hoxhën, Zeqir Berisha të shtrirë në tokë dhe të gjakosur. U afrova dhe e pyeta, hoxhë çfarë ka ndodhur. Ai u përgjigje nuk e di, gjendja e tij ishte e rëndë dhe mezi fliste nuk dija si ta ndihmoja dhe menjëherë e kam lajmëruar emergjencën.

    Pyetje: A ka pasur probleme hoxha me dikën, a ke njohuri?

    Përgjigje: Ka pasur probleme me disa persona kryesisht rreth mënyrës së faljes së namazit.

    Pyetje: Ju personalisht a keni pasur mosmarrëveshje me hoxhën?

    Përgjigje: Po kemi pasur mosmarrëveshje rreth 10 vite, kryesisht rreth faljes së namazit, ku unë dhe një pjesë e xhematit e praktikojmë faljen e namazit me dallime të vogla.

    Pyetje: A keni pasur përleshje fizike me hoxhën?

    Përgjigje: Vetëm fjalosje ka pasur.

    Pyetje: Kur ke ardhur në xhami a ke vërejtur ndonjë person tjetër afër xhamisë. A pretendon dikush t’ia zë vendin hoxhës si imam i xhamisë ose a mund të jetë ky shkaku i sulmit ndaj hoxhës?

    Përgjigje: Në fshatin tonë nuk ka ndonjë pretendent sepse nuk ka persona të kualifikuar për hoxhë.

    Pyetje: A tregojë hoxha se kush e ka sulmuar?

    Përgjigje: Jo nuk tregojë vetëm thoshte nuk e di nuk e di.

    Pyetje: A dyshon tek dikush që ka mundur ta sulmojë?

    Përgjigje: Jo nuk dyshojë tek askush.

    Pyetje: A ka kamera të vendosura në xhami.

    Përgjigje: Po ka hoxha ka qasje në to.

    Pyetje: Kur keni pasur fjalosjen e fundit me hoxhën

    Përgjigje: Para rreth tre jave, ku unë me disa persona kemi dashur ta pastrojmë xhaminë kur hoxha ka ardhur dhe më ka thënë mua dil jashtë. Unë i thashë nuk jam duke bërë diçka të kundërligjshme. Ai e ka telefonuar policinë ndërsa unë jam larguar. Ne kemi dallime mirëpo po vetëm kemi pasur diskutime jo diçka më shumë.  

    Pyetje: Kush janë të tjerët persona që kanë mos marrëveshje me hoxhën?

    Përgjigje: Unë nuk mund të përgjigjem janë një pjesë e xhematit, nuk mund ta vë gishtin tek dikush.

    Rasti u dënua edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës

    Përmes një komunikate për media BIK-u ka dënuar sulmin e rëndë që ndodhi ndaj imamit, Zeqir Berisha.

    “Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”, thuhej në komunikatën e 21 korrikut.

    BIK-u iu ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga ky sulm, dhe drejtësia ta thotë fjalën e saj.

    “Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës. Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete”, vijonte komunikata.

    Shkodran Murturi, Atdhe Murturi e Behar Murturi janë duke qëndruar në paraburgim deri në vendimin e radhës së gjykatës. Teksa imami është duke e vazhduar trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Asnjëri nga të përfshirët në rast nuk kanë të kaluar kriminale.

    “Është bërë verifikimi i të kaluarës kriminale për të dyshuarit dhe viktimën dhe në bazë të gjeturave nga Sistemi Informativ i Policisë së Kosovës (SIPK), të njëjtit nuk kanë të kaluar kriminale”, thuhet në dosjen e siguruar nga Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Temtim-vrasja kundër imamit të Lupçit, Prokuroria i dërgon në burg tre vëllezërit

    Këta janë të dyshuarit që rrahën imamin në Podujevë

    As rrahja nga ekstremistët e dyshuar nuk e ndali xhumanë, Insajderi raporton nga xhamia e Lupçit

    “Gjobë, nuk ka vepër penale”, ekstremistët kërcënuan vazhdimisht imamin, u amnistuan dy herë nga prokuroria

    Kreu i BIK në Podujevë: Në Xhaminë ku u rrah imami, u tentua të instalohet tjetër islam

    Rrahja e imamit që tronditi fshatin Lupç, si u rrahë për vdekje imami Zeqir Berisha nga tre ekstremistët

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark