×
  • Lajme
  • Insajderi

    Maliqi për Insajderin: Escobar dhe Lajçak po përpiqen që të mos eskalojë situata në veri, më 1 shtator

    Insajderi
    26 August 2022 - 19:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Analisti kosovar, Shkëlzen Maliqi, i ka komentuar për Gazetën Insajderi takimet e fundit që emisari amerikan dhe ai europian i kanë pasur me krerët e shtetit të Kosovës, dhe atij të Serbisë.

    “Dy emisarët po përpiqen që të gjejnë zgjidhje për momentin e krizës së përsëritur më 1 shtator, që të mos ndodh ekskalimi. Për dallim nga 1 gushti kësaj here kemi mobilizim të plotë të ndërkombëtareve”, ka thënë Maliqi për Gazetën Insajderi.

    “KFOR-i, që është forcë e NATO-s ka paralajmëruar serbët në Veri se nuk do të lejojnë vendosjet e barrikadave, kurse emisarët Lajçak dhe Escobar kanë bërë presion te Kurti e tanii edhe te Vuçiqi që të gjejnë një zgjidhje simetrike rreth targave dhe dokumenteve për kalimin e kufirit”, ka thënë tutje Maliqi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai ka treguar se nëse nuk ka marrëveshje, Gabriel Escobar dhe Miroslac Lajçak “do te kërkojnë me gjasë edhe një afat që masat e paralajmëruara të shtyhen edhe për ca kohë, me gjasa deri në fund të vitit, në mënyrë që të vazhdojnë negociatat për marrëveshjen përfundimtare”.

    Shkëlzen Maliqi

    Ndryshe, nga 1 shtatori, Kosova pritet të fillojë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla thotë se Policia e Kosovës është e gatshme të zbatojë vendimin.

    Ai beson se qytetarët serb në veri e kanë kuptuar nevojën e zbatimit të këtij vendimi i cili është me përfitime për ata.

    Zbatimi i vendimit më herët, thotë ministri i Brendshëm i Kosovës është penguar nga strukturat kriminale që janë pasuruar dhe fuqizuar me ndihmën e Beogradit për të luftuar shtrirjen dhe sundimit dhe ligjit në atë zonë.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillojë zbatimin e këtyre dy vendimeve dhe pa asnjë hezitim ne ato vendime do t’i realizojmë. Bëhet fjalë për një lëshim të dokumentit për hyrje-dalje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, gjë e cila ndodh me shtetasit e Kosovës tashmë për 11 vite. Dhe vendimi i dytë është kalimi i veturave me targa ilegale në vetura me targa legale”, ka thënë sot Sveçla, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Edhe ky një vendim plotësisht i ligjshëm dhe i bazuar në marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel. Po, ka pasur tendenca destabiliteti nga struktura kriminale në veri të mbështetura dhe të drejtuara nga Beogradi e të shtyra nga Moska. Por unë jam i bindur se institucionet e sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi, janë plotësisht të pjekura, të gatshme dhe mjaftueshëm të forta që të zbatojnë këto dy vendime”, tha tutje Sveçla.

    P.S. Intervistën e plotë të Shkëlzen Maliqit dhënë për Gazetën Insajderi mund ta lexoni nesër.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark