×
Insajderi

Mbi 60 raste të serbëve monitorohen nga EULEX’i – A po rrezikohet veriu nga trazirat e reja?

Insajderi
16 May 2023 - 20:18
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka bërë të ditur se është në monitorim të 60 rasteve tek serbët në Kosovë, sipas të cilëve mund të ndikojnë në rrezikim të raporteve ndër-komunitare.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke përcjellë nga afër zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës përmes pranisë së Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë si dhe këshilltarëve tanë policorë të lartë dhe stafit tjetër të pranishëm në atë zonë, në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Përveç kësaj, Misioni, përmes Njësisë së tij për Monitorimin e Rasteve, vazhdon të monitorojë nga afër mbi 60 raste që përfshijnë serbë të Kosovës, apo që mund të ndikojnë në raportet ndërkomunitare”, kanë deklaruar nga EULEX-i për Gazetën Insajderi.

Deklarimi i EULEX-it vjen pasi emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, në vizitën e tij të fundit në Kosovë shprehi shqetësim nga ajo çfarë dëgjoi pas takimit me përfaqësuesit serbë në zonat veriore.

“Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me përfaqësues të ndryshëm në mënyrë që të fitoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale. Ajo që dëgjova më shqetësoi. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, deklaroi Lajçak në ‘Twitter’ teksa informonte për takimin.

Misioni i ruajtjes së sundimit të ligjit në Kosovë ka bërë të ditur tutje për Insajderin se ofron raporte të rregullta për emisarin Lajçak dhe zyrtarë të tjerë evropianë.

A po rrezikohen trazirat nga hapja e Urës së Ibrit dhe betimi i kryetarve të rinj?

Hapja e Urës së Ibrit, vendim ky i cili u votua nga Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës së Veriut, ngjalli reagimin e ndërkombëtare lidhur me atë se a duhet të gjejë zbatim. Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun ka thënë se hapja e Urës së Ibrit duhet të jetë “kontribut i stabilitetit”.

“Është në duart e dy palëve dhe ata duhet të arrijnë pajtueshmëri. Dua që hapja e urës të jetë një kontribut i i një stabiliteti, kjo është më e rëndësishmja. Prandaj e përsërisë gjithmonë se duhet ta përdorim platformën e dialogut për të ecur para”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, KFOR-i ka kërkuar që çështja e hapjes e urës për qarkullim duhet të zgjidhjet nëpërmjet dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Hapja e urës, që lidh pjesën veriore me atë jugore të Mitrovicës, ka ngelur në dorën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, dje u deklarua për hapjen e Urës së Ibrit dhe tha se është në trajtim.

“Vendimi është marrë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës, aktualisht është në trajtim në Ministrinë tonë, kurdo që të përfundojë vlerësimi i ligjshmërisë së aktit ne do e dërgojmë te instancat tjera”, deklaroi ai.

Katër kryetarët e komunave veriore e kanë vlerësuar si të vështirë qasjen fizike në objektet komunale dhe kanë kërkuar ndihmën e Qeverisë së Kosovës për t’u bërë betimi i tyre. Për këtë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tërthorazi ka bërë të ditur se e ka ngritur si shqetësim në Bruksel.

“Ne kemi informuar z. Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës”, ka thënë ai.

Ministri Krasniqi dje tha se ka pranuar informacion nga Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës së Veriut se të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit.

“Nuk digjet mandati i kryetarëve dhe asamblistëve të komunave, janë të parapara afatet ligjore që janë tri herë nga 15 dhe mandej prej momentit kur konstituohet Kuvendi fillon rrjedha e afatit prej 30 ditësh, për dhënien e betimit të kryetarëve të komunave. Me ta jemi dakorduar individualisht që me secilën komunë do ta organizojmë seancën e betimit të kryetarit dhe aty ku ka nevojë edhe të konstituimit të Kuvendit. Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në MAPL që të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit në mes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, në sallën e Kuvendit Komunal aty ku e kanë vendin asamblistët dhe kryetari i komunës”, tha ai.

Kanë kaluar më shumë se tri javë që nga vendimi për hapjen e Urës së Ibrit dhe zgjedhjes së kryetarëve të rinj. Ende as nuk është bërë betimi i tyre e as nuk është hapur ura. /Insajderi.org/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark