×
Insajderi / Insajderi

“Nëse Asociacioni bazohet në rekomandimet e Kushtetueses, s’kemi pse të jemi të frikësuar”

Insajderi
11 November 2022 - 20:51
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se nëse krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të bazohet në rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, nuk ka, sipas saj, asnjë arsye për të ndihemi të frikësuar apo të cenuar.

Duke komentuar thirrjen e aleatëve për kryeministrin Albin Kurti që të fillojë formimin e Asociacionit, Çitaku theksoi se ndërkombëtarët nuk do të ripërsërisin opsionet që iu kanë sjell shumë kokëçarje, siç është rasti i Bosnjës.

“Asociacioni në vete nuk është shumë keq. Ajo çfarë do të jetë Asociacioni do ta bëjë dallimin. Nëse krijimi i Asociacionit bazohet në rekomandimet e Kushtetueses, ne nuk kemi asnjë lloj arsye të ndihemi të frikësuar apo cenuar. Askush në BE dhe SHBA nuk do të ripërsërisë opsionet që iu kanë sjell shumë kokëçarje në rajon, siç është Bosnja. Në marrëveshjen për themelimin e Asociacionit shkruhet se ‘ky tekst do të rishikohet nga Gjykata Kushtetuese’. Këtë marrëveshja e ka nënshkruar edhe Serbia. Ne duhet të insistojmë që të respektohet marrëveshja. SHBA-ja po kërkon që ne të bëhemi të përgjegjshëm. Vendimi i Kushtetueses duhet të jetë udhërrëfyes për statutin e Asociacionit”, ka thënë Çitaku në “Java Sonte Me Rronin” në KTV.

Sipas saj, kryeministri Kurti e ka demonstruar me vepra që nuk i dëgjon aleatët.

“Ka demonstruar me vepra të kundërtën e asaj që thotë kryeministri. Aleatët nuk kanë kohë të merren me fjalimet e politikanëve, por merren me vendimet. Ne kemi nevojë më shumë për atë marrëveshje sesa Serbia. Serbisë i konvenon të merret me targa, letra të bardha, sesa të nënshkruajë një marrëveshje. Pas luftës në Ukrainë, e kemi një kontekst të ri gjeopolitik. Është një situatë që shkon në favor të Kosovës. Nuk e dimë edhe sa kohë do të zgjasë ky unitet transatlantik dhe në BE. Duhet ta shfrytëzojmë”, deklaroi Çitaku.

Çitaku vlerëson se shoqëria kosovare ka mbetur peng i botëkuptimeve që janë faktuar më 1999. Por thotë se bota nuk na sheh ashtu.

“Jam e shqetësuar për shkak të reagimit të SHBA-së. Kryeministri është sovranist. Por duhet të jesh realist dhe pragmatik. Nuk duhet t’i humbim aleatët tonë. SHBA-ja nuk na ka borxh. Ne kemi mbetur peng i botëkuptimeve që janë faktuar te ne më 1999. Ne mendojmë se bota e sheh rajonin si në vitin 1999. Kosova viktimë, Serbia okupatore. Sot, nuk na shohin të tillë. Na shohim shtet demokratik. Na shohin si dy shtete që kanë telashe e që duhet t’i zgjidhin përmes bisedimeve. A është fer kjo pastaj është tjetër çështje”, ka thënë nënkryetarja e partisë më të madhe opozitare.

Çitaku përsëriti se do t’i gëzoheshin çdo suksesi të Kurtit në politikën e jashtme, veçanërisht në raport me Serbinë.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark