×
  • Lajme
  • Insajderi

    Parlamenti Studentor padit senatin e Universitetit të Prishtinës

    Insajderi
    22 September 2022 - 22:53

    Pas pretendimeve për shkelje të Statutit të Universitetit Publik të Prishtinës (UP), “Hasan Prishtina” sipas studentëve nga rektori i UP-së, Naser Sahiti dhe U.D i Sekretarit të UP-së, Besfort Krasniqi, Parlamenti Studentor ka paditur Senatin e UP-së

    Insajderi

    Gazeta Insajderi ka raportuar për zhvillimet që kishin ndodhur në UP vazhdimisht, duke nisur nga shkeljet e statutit e deri tek manipulimet në zgjedhjet studentore nga ndikimi i pushtetit e zgjedhja e Këshillit Drejtues në këtë institucion.

    Parlamenti Studentor, tashmë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka ngritur padi ndaj senatit për anulimin e vendimit nr. 2/13 për zgjedhjen e pesë anëtareve të Këshillit Drejtues.

    Për këtë çështje, studentët kishin organizuar edhe protesta saktësisht për shkak të një parregullsie, ku sipas Parlamentit Studentor, U.D. i Sekretarit të Universitetit të Prishtinës, Besfort Krasniqi, ka shkelur rregullohen e Statutit të UP-së, duke ndërprerë “dhunshëm” mandatet e ligjshme të senatorëve aktual, të cilët kanë mandat deri më 30 shtator 2022.

    Në padinë e Parlamentit thuhet se nuk janë aplikuar drejtë dispozitat ligjore dhe nuk është vërtetuar gjendja faktike si dhe është nxjerr konkluzion jo i drejtë.

    “Përkundër që, unë si kryetar i PS-UP anëtar i sentatit ex-offico se bashku me 6 studentët senatorë parashtrues të kësaj padie, kemi mandat të vlefshëm deri me 30.09.2022, në mënyrë të kundërligjshme na është mohuar pjesëmarrja në këtë mbledhje dhe në votim nga ana e menaxhmentit të Universitetit, përmes përdorimit të forcës nga Policia e Kosovës. Pra, nuk na është lejuar hyrja në sallën ku po zhvillohej mbledhja Senatit për zgjedhjen e anëtarëve të KD-së”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Insajderin.

    Në padi thuhet se në vend të pjesëmarrjes së anëtarëve aktual të senatit, në mbledhje kanë marrë pjesë senatorët e rinj të cilëve mandati u fillon veç nga 1 tetori.

    Këto ngjarje, sipas PS-së u krijuan pas interpretimit që u.d i Sekretarit, Besfort Krasniqi nga ku i dha të drejtë senatorëve të rinj që të votojnë.

    “Në vend të pjesëmarrjes tonë, në mbledhje janë ftuar edhe kanë marr pjesë senatorët e rinjë nga radha e studentëve, të zgjedhur nga Parlamenti i ri i studentëve (i dalë nga zgjedhjet studentore të 10.06.2022) e që e fillojnë mandatin me 01 tetor 2022, dhe jo në korrik kur është mbajtur kjo mbledhje e Senatit. E gjithë kjo situatë u krijua pas një interpretimi të njëanshëm të U.D. Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së zt. Besfort Krasniqi të datës 20.6.2022, ku i jep të drejtë senatorëve të rinjë nga radha e studentëve, pjesëmarrje në mbledhje të senatit e rrjedhimisht edhe të drejtë vote”, thuhet në padinë e Parlamentit Studentor.

    Sipas vendimit të senatit, pesë anëtaret e zgjedhur të KD-së janë:

    Prof. Dr. Naser Kabashi- Fakulteti i Ndërtimtarisë

    Prof. Dr. Azem Hajdari- Fakulteti Juridik

    Prof. Asoc. Dr. Selim Bezeraj- Fakulteti Filozofik

    Prof. Ass. Dr. Arian Krasniqi- Fakulteti i Arteve

    Ass. Rifat Krasniqi- Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.

    Votimi i kandidatëve të lartpërmendur në UP, shkaktoi një katrahurë të madhe mes studentëve e pjesëtareve të stafit akademik.

    Kjo si fillesë pati shkeljen e Krasniqit dhe Sahitit në Statutin e UP-së duke iu mohuar të drejtën e votimit të kandidatëve potencial për KD të UP-së studentëve që ishin fitues në zgjedhjet e kaluara, mandati i të cilëve përfundon më 1 tetor të këtij viti.

    Që në përbërje të KD-së të ketë persona të afërt me VV-në e të thjeshtë për tu dirixhuar, e drejta për votë kaloi në duart e organizatës studentore të afërt me VV-në, Studim, Kritikë dhe Veprim (SKV).

    Dhe ky plan “korri” suksesin e pritshëm, në detyrën e antarit të Këshillit Drejtues u vendos militanti i VV-së, Rifat Krasniqi.

    “Sot, nga Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me shumicë votash u zgjodha si anëtar i Këshillit Drejtues që është organi më i lartë drejtues i institucionit kryesor të Arsimit të Lartë në Kosovë. Edhe pse asistentët përbëjnë 50% të stafit akademik të UP-së, kjo është  hera e parë që një asistent bëhet pjesë e këtij organi”, shkroi Krasniqi.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark