×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Pasi nisën hetimet për stadiumin 680 mijë eurosh të Dobrajës, deklarohen nga komuna

    Insajderi
    11 February 2023 - 15:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një javë pas rastit në stadiumin e fshatit Magure të Lipjanit, Policia e Kosovës, saktësisht Departamenti për Krime Ekonomike, ka vendosur shirita dhe ka nisur hetime për projektin e ndërtimit të stadiumit të futbollit në fshatin tjetër të kësaj komune, në Dobrajë të Madhe, shkruan Insajderi.

    Lidhur me këtë rast, opozita ka kërkuar nga organet e drejtësisë të hetohet ky projekt, pasi që kanë dyshuar për keqpërdorim dhe keqmenaxhim.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK‘së në Komunën e Lipjanit, Arsim Jashari për Gazetën Insajderi ka thënë se kohë më parë kanë kërkuar përgjegjësi nën dyshimin e keqpërdorimit të parasë publike nga menaxherët e kontratave.

    Ne si parti opozitare kemi bërë kërkesë për qasje në dokumente, na u ka kthye se një pjesë e dosjes të tenderit të stadiumit të Dobrajës së Madhe i ka marrë Policia e Krimeve Ekonomike dhe se janë nën hetim dhe janë ardh e kanë rrethu me shirita terrenin. Është keqpërdorim, është keqmenaxhim edhe mashtrim. Stadiumi as nuk është në rend me u funksionalizu“, deklaroi Jashari.

    Jashari tha se për këtë projekt janë ndarë mjetet financiare prej 680 mijë euro, por, që nuk është as afër për tu përfunduar.

    Stadiumi as nuk është në rend me u funksionalizu. Zëdhënësja e komunës ka dalë ka thanë që stadiumi i Dobrajës ka përfunduar komplet, ndërsa drejtori i financave thotë se sivjet kanë me i kry edhe Dobrajën edhe Magurën. Une pyeta drejtorin se a u kry stadiumi a nuk është kry. Nëse është kry çka keni me rregullu ju ma. Domethënë ka diskrepancë“, u shpreh zyrtari i PDK’së.

    Asamblistja e Kuvendit Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besiana Syla ka thënë për Insajderin se po presin nga prokuroria që të ndërmarrin veprime pas keqpërdorimeve në këtë projekt.

    Ngjashëm si në stadiumin e fshatit Magure, keqpërdorime ka pasur edhe në projektin e ndërtimit të stadiumit në fshatin Dobrajë e Madhe. Madje investimi këtu ka qenë edhe më i madh se në fshatin Magure. Presim nga prokuroria që të ketë veprime edhe këtu“, tha Syla.

    Insajderi ka kontaktuar edhe pushtetin aktual të Lipjanit. Shefi i kabinetit të kryetarit Imri Ahmeti, Avni Jashari ka thënë se hetuesia ia kanë kërkuar dosjen e këtij projekti. Por, tha se nuk mund të deklarohen për dyshimet për shkak se lënda është nën hetim.

    Nuk kemi asnjë informatë zyrtare përveç kërkesës zyrtare për dosjen e këtij projekti nga hetuesia. Këtë dosje e kemi dorëzuar sipas kërkesës, përndryshe se në cilën fazë janë hetimet ne nuk e dimë. Sa i përket asaj se a ka pas keqmenaxhim apo jo, ne nuk mund të deklarohemi derisa kjo çështje është në hetim e sipër“, tha ai.

    Për mos përfundimin e punimeve në stadium, Jashari tha se nuk kanë pasur buxhet të mjaftueshëm.

    Nuk kemi pas mjete të mjaftueshme për të përfunduar stadiumin në tërësi, atje është punuar në dy faza, aq sa janë ndarë mjete për këtë stadium nga kuvendi. Atje kanë mbetur edhe pak punë të cilat duhet të investohet në vijim për çka po angazhohemi të gjejmë burime financiare. Përndryshe se a është funksional apo jo është çështje e klubit që funksionon në fshatin Dobrajë sepse mirëmbajtjen e stadiumit nuk mund ta marr përsipër komuna“, ka thënë Avni Jashari.

    Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark