×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Shteti nuk “guxon” ta hetojë Martin Berishajn për skandalin financiar

    Insajderi
    25 January 2023 - 17:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryediplomati kosovar në Zagreb, Martin Berishaj, në prill të vitit të kaluar, dyshohet se ishte përfshirë në skandalin për shpëlarje parash në Slloveni. Pavarësisht kësaj, ai nuk është shkarkuar, dhe as nuk ka nisur një hetim zyrtar kundër tij.

    Gazeta Insajderi

    Shteti ende nuk ka nisur një hetim kundër Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci, për dyshimet mbi skandalin financiar.

    Së paku kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria e Shtetit dhe as nga Prokuroria Speciale pavarësisht interesimit të Gazetës Insajderi.

    Kryediplomati kosovar në Zagreb, në prill të vitit të kaluar, sipas mediave në Lubjanë dyshohet se ishte përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni.

    Mbështetur në raportimet e asaj kohe, Berishaj dyshohet se i kishte bartur rreth 600 mijë euro para kesh nga kompania e tij MB Consulting te politikani slloven, Robert Golob, tash kryeministër i vendit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Këto para Berishaj dyshohet t’i ketë marrë nga kompania GEN, me degë në Serbi.

    Kjo e fundit përgjatë viteve 2015-2022 ka derdhur mbi 1 milion euro në xhirollogarinë e MB Consulting, biznes ky në pronësi të diplomatit kosovar.

    Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë komplet transaksionet bankare të firmës së dyshimtë të Martin Berishajt, dhe ka zbuluar se saktësisht 1 milion e 470 mijë e 707 euro janë transferuar në llogarinë e MB Consulting nga kompania energjetike GEN.

    Kompania e Berishajt paratë e para nga GEN-i, dega në Serbi i ka marrë më 10 shkurt 2015, shumë kjo prej 66 mijë e 528 euro.

    Kjo shifër i bashkohet asaj prej 395 mijë e 805 eurove të marrë nga biznesi i Berishajt vetëm përgjatë vitit 2015, zbulon Gazeta Insajderi.

    Më 2016 të hyrat e Berishajt nga GEN duket se kanë rënë pak, gjatë atij viti ai ka arkëtuar 262 mijë e 302 euro, sipas dokumenteve që posedon Gazeta Insajderi.

    Një vit më vonë, më 2017 nuk ekziston asnjë transaksion i bërë nga GEN drejt llogarisë së MB Consulting, gjersa më 2018, 2019 dhe 2020, të hyrat kanë qenë më të ulëta ndër vite, përkatësisht 55 mijë e 440 euro, 67 mijë e 879 euro dhe 95 mijë e 947 euro.

    Të hyrat e Berishajt arrin kulmin në vitin 2021. GEN gjatë atij viti ka transferuar saktësisht 473 mijë e 889 euro, zbulon Gazeta Insajderi.

    Një vit më vonë më 2022, janë transferuar edhe 119 mijë e 445 euro të tjera.  

    2015-2022, kaq para tërhoqi kesh Martin Berishaj nga xhirollogaria e MB Consulting

    862 mijë e 264 euro ka tërhequr Martin Berishaj nga xhirollogaria e kompanisë së tij, MB Consulting, zbulon Gazeta Insajderi. Tërheqja e parave kesh pa përshkruara arsyetim zyrtar është e pazakonte në afarizëm.

    Sipas dokumenteve që posedon Gazeta Insajderi, ai këto para i ka nxjerr përgjatë viteve 2015-2022, siç shkruan për “nevojë të biznesit”. Nuk ka përshkrim më të detajuar se sa ky shënim sipërfaqësor.

    Për çështjen e fundit ai më 2015 ka marrë 280 mijë euro, më 2016 edhe 234 mijë e 200 euro të tjera, derisa më 2017 nuk figuron asnjë tërheqje.

    Tërheqjen ai e vazhdon në vitin 2018 dhe 2019, duke marrë 43 mijë euro përkatësisht 36 mijë euro.

    244 mijë euro e 528 euro ai i ka marrë për “nevoja të biznesit” me 2021, derisa më 2022 i ka marrë edhe 60 mijë euro të tjera, zbulon Gazeta Insajderi.

    Mëgjithatë, Martin Berishaj ka dy kallëzime të tjera penale, njëri lidhet me shmangie të taksave dhe tjeri me mosdeklarimin e pasurisë.

    Rasti 1 – Shmangi taksat për paratë e marra nga GEN-i i Serbisë, hetohet Martin Berishaj  

    Hetuesit e Policisë së Kosovës në fund të vitit të kaluar kanë ngritur kallëzim penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

    Kallëzimi penal kundër tij është dorëzuar në Prokurorinë Speciale, sipas KOHËS dhe dhe pas pas hetimit preliminar të nisur muaj më parë, dyshimet janë që Berishaj ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN me seli në Serbi për periudhën 2019 e deri në prillin e vitit 2022.

    Sipas këtyre burimeve, këto para janë transferuar në xhirollogari të kompanisë së Berishajt në një nga bankat me seli në Kosovë. Transferet janë bërë me përshkrim si pagesa për konsulencë.

    Burimet brenda hetuesisë kanë deklaruar që Berishaj ka përfituar në periudha të ndryshme këto shuma parash – disa herë nga dy herë muaj. Shumat e transfereve janë nga 20 mijë e deri në 70 mijë euro. Sipas këtyre burimeve, çdo herë pas transferit këto para janë tërhequr nga ambasadori Berishaj.

    Pretendohet që për paratë që i janë paguar gjatë kësaj kohe, kompania e Berishajt është dashur t’i paguajë tatimet në vlerë të 73 mijë eurove, por që sipas tyre nuk janë bërë.

    Përveç kësaj, sipas burimeve, hetuesia në Kosovë ka kërkuar raport financiar edhe nga Mali i Zi. Kjo kërkesë është përcjellë përmes Njësisë së Inteligjencës Financiare që është në kuadër të Ministrisë së Financave.

    Në përgjigjen që sipas burimeve në hetuesi i është kthyer Kosovës nga autoritetet e Malit të Zi është që xhirollogarisë së kompanisë së Berishajt i janë transferuar 1.5 milionë euro po ashtu nga GEN-i. Por sipas këtij burimi, në dokumentin e pranuar nga Mali i Zi është e dhënë vetëm shuma dhe jo periudhat kur janë transferuar këto para.

    Rasti 2 – Martin Berishaj hetohet për mosdeklarim të pasurisë

    Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria e Shtetit kishte konfimruar se ka pranuar kallëzim penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nga Agjencioni Kundër Korrupsionit, tash Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit kallëzim penal kundër personit me inicialet M.B. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kallëzimin penal e ka dërguar në kompetencë në Prokurori Themelore në Prishtinë”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Insajderi.

    Kallëzimi penal kundër Berishajt kishte ardhur tre muaj pas raportimit të Gazetës Insajderi se ambasadori kosovar në Kroaci ka fshehur së paku dy biznese.

    Pas pyetjeve të Insajderit, më 26 prill të këtij viti, Agjencia kudër Korrupsion i kishte konfirmuar Gazetës Insajderi se kishte nisur një hetim për zyrtarin e lartë, ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

    “Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon që ka pranuar këtë informatë në fund të  javës së kaluar dhe e njëjta do të trajtohet sipas ligjit dhe brenda afateve ligjore. Rrjedhimisht, AKK ka inicuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj. Verifikimi administrativ (sipas nevojës edhe hetimi administrativ) që kryhet nga AKK bëhet në formë të pavarur”, kishte thënë në atë kohë për Gazetën Insajderin, Yll Buleshkaj, tash drejtor i APK-së.

    Ky hetim kishte nisur pasi që Gazeta Insajderi publikoi artikullin “Bizneset e ndërmjetësimit të Martin Berishajt në Kosovë që nuk iu përmendën nga Qeveria kur u bë Ambasador”.

    Gazeta Insajderi raportoi se Martin Berishaj, ka të regjistruar edhe në Kosovë një firmë për ndërmjetësim.

    “Ndërmjetësimet e tjera monetare”, është aktiviteti kryesor i firmës “Myloja L.L.C”, pronë e Martin Berishaj. Për ortak në këtë firmë me nga 33 përqind të aksioneve ai ka edhe Janez Bukovnikun  e Anton Eerne. Firma është e regjistruar në vitin 2008 dhe adresën e ka në fshatin Hajvali të Prishtinës.

    Po në Hajvali është e regjistruar edhe firma tjetër “Zaslon Kosova L.L.C”, ku 15 përqind të aksioneve i ka Martin Berishaj.

    Edhe ajo është regjistruar në vitin 2008 dhe si aktivitet i listuar aty përsëri është ‘ndërmjetësimi”. Në këtë firmë Berishaj ka për ortak Benjamin Erazem Pintar.

    Ndaj këtij rasti ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nga organet gjegjëse.

    Ambasadori hedh poshtë të gjitha akuzat kundër tij

    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është deklaruar publikisht pas akuzave për përfshirje në “skandalin financiar” që u zbulua në Slloveni.

    Berishaj ka thënë më 18 janar këto akuza janë të pabaza, teksa ka thënë se nuk është as aksionar e as pronar i ndonjë ndërmarrjeje në Republikën e Kosovës, të Malit të Zi, në rajon apo botë.

    Përmes një deklarate publike të pulikuar në Facebook, Berishaj ka thënë se pretendimet se ka fshehur apo deklaruar rrejshëm pasurinë nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta.

    “Sa i përket firmës Zaslon L.C.C. dhe Myloja sh.p.k., nuk janë në pronësinë time dhe për këtë e kam njoftuar edhe Agjencionin Antikorrupsion të Republikës së Kosovës në email zyrtar me datën 5 korrik 2022. Ndërsa për dy kompanitë tjera, MB consulting d.o.o. në Mal të Zi, dhe MB consulting sh.p.k. në Kosovë, sqarimi dhe e vërteta është si vijon: MB consulting d.o.o. në Mal të Zi nuk ka pasur qarkullim që nga viti 2020 dhe mbyllja e saj fizike sipas organeve të Malit të Zi, pas kërkesës sime për mbyllje, ka qenë çështje ditësh dhe meqenëse bëhet fjalë për një kompani që nuk ka pasur aktivitet që nga vitit 2020 dhe ka qenë në proces të mbylljes, nuk ka pasur arsye të deklarohet si pronë”, ka shkruar ai, transmeton Gazeta Insajderi.

    Berishaj ka pretenduar se MB consulting d.o.o. si person juridik ka pranuar të hyra në periudhën 2017-2020, dhe të gjitha transaksionet janë bërë në mënyrë transparente përmes llogarisë bankare, dhe janë paguar të gjitha tatimet sipas legjislacionit në fuqi.

    “Në lidhje me pretendimet e ngritura, Prokuroria atje ka zhvilluar hetimet, dhe ka mbyllur rastin sepse nuk ka gjetur asgjë nga pretendimet. Prandaj, akuza se jam nën hetime në Mal të Zi është e pavërtetë, sepse kjo është një çështje e mbyllur tashmë. Pas shpifjes që është bërë ndaj meje me datën 21 prill 2022 nga Vitomir Petroviq në Planet TV, i cili po citohet nga mediat tona, kam bërë padi në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë dhe lënda është në proces gjyqësor”, ka theksuar ai, shkruan Gazeta Insajderi.

    Berishaj ka sqaruar se në MB consulting sh.p.k. ka qenë aksionar deri me datën 13 tetor 2021.

    “Prandaj në datën e deklarimit të pasurisë me 13 janar 2022 (tre muaj pas heqjes dorë nga pronësia), unë nuk kam qenë aksionar në këtë kompani, dhe nuk kam pasur se si ta deklaroj si pronë timen”, ka thënë ai, shkruan Gazeta Insajderi

    Berishaj e ka cilësuar si të paqenë edhe akuzën se kompania GEN është ndërmarrje serbe, duke thënë se është tërësisht në pronësi të Sllovenisë.

    “Ndërmarrja GEN-I, trgovanje in prodaja električne energije, d.o.o. Krško, Slloveni, është kompani me të cilën kam pasur marrëdhënie kontraktuale si këshilltar në kohën kur nuk isha as shtetas i Republikës së Kosovës. Kjo kompani është kompani sllovene e cila për themelues ka kompaninë GEN ENERGIJA d.o.o. e cila është në pronësi të plotë të Republikës së Sllovenisë, dhe ka filiale nëpër shumë shtete në rajon, ngjashëm sikurse ka ta zëmë edhe NLB Banka, e cila përveç filialeve në Slloveni, ka degë edhe në Prishtinë, Shkup, Beograd, etj. Prandaj pretendimi se GEN-I është kompani serbe, është gënjeshtër e pastër, që për qëllim ka mjegullimin e opinionit publik, dhe krijimin e situatave të paqena, me synimin e vetëm, sulmin dhe denigrimin e karakterit tim”, shkruan tutje ai, transmeton Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, në vitin 2018, Martin Berishaj do të bëhej edhe zyrtarisht anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuar nga Albin Kurti.

    Në shkurt të vitit 2021, ai ishte emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci, pozitë kjo nga e cila nuk është shkarkuar pavarësisht dyshimeve për skandalin financiar.

    Madje Berishaj është marrë në mbrojtje nga kryeministri Albin Kurti dhe shefja e tij, Donika Gërvalla-Schwarz.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark