×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Sulmet nga qentë endacak që tronditën qytetarët e Kosovës gjatë vitit 2022

    Insajderi
    02 January 2023 - 20:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qentë endacak kanë qenë një problem permanent i vitit 2022 për qytetarët e Kosovës, e sidomos në kryeqytet. Derisa rrugët janë të mbushura plot me qenë endacak, institucionet nuk kanë as të dhëna se sa është numri i tyre. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, detyrën e parë e pati nisur me iniciativën për trajtimin e problemit të qenve endacakë.

    Rama nënshkroi kontratë me një organizatë që merret me kastrimin e qenëve, kontrollin dhe sigurimin e ushqimit. Madje, komuna e Prishtinës pati hapur edhe disa pika ushqyese. Gjatë këtij viti ka pasur mjaftë raste të raportuara në media apo rrjete sociale, të qytetarëve që janë sulmuar nga qentë endacak.

    Raportime të sulmeve nuk ka pasur vetëm nga qytetarët e Kosovës, por edhe turistë e shtetas të huaj, madje edhe deputetë e policë kosovar, kanë rënë pre e sulmeve nga qentë endacak.

    Madje madje, në raste të caktuara viktima kanë qenë edhe fëmijët.

    Jo më larg se në nëntor u raportua një rast ku një turiste nga Çekia e ka pësuar nga qentë.

    Sipas njoftimit të faqes Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë turistja ishte kafshuar pranë kampusit të universitetit të Prishtinës.

    Rasti i dytë në muajin nëntor nga sulmi i qenve endacak u raportua nga Faqja “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë”, ku në një video një qytetareje i vërsulen qentë endacak.

    Ndonëse u rrezikua, fatmirësisht gruaja shpëtoi pa ndonjë incident.

    Derisa, në muajin tetor rast tjetër i sulmit nga qentë endacak, ishte një fëmijë 4 vjeçar në Prishtinë i cili u kafshua nga një qen endacak në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë” në Ulpianë, duke i shkaktuar plagë në këmbë.

    Jo vetëm qytetarët gjatë vitit 2022 kanë qenë pre e sulmeve nga qentë endacak, ishte raportuar se edhe deputeti i Guxo”, për pak e kishin kafshuar qentë gjatë një lidhje direkte.

    Derisa po fliste, Meta është penguar nga dy qenë që ishin afër.

    Më pas, në video shihet që Meta mundohet t’i largojë, por ata i qëndrojnë shumë afër.

    Pas një kohe, qentë largohen, derisa Meta nuk ka pësuar ndonjë lëndim.

    Në muajin gusht të 2022, ishte raportuar poashtu një rast i sulmit. Në një video të publikuar në faqen “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë”, shihej teksa një djalë ndiqej nëpër shesh nga një tufë e qenve.

    Komentet ishin të shumta, teksa gati secili po ka përvoja të hidhura me qentë endacakë.

    Pre e sulmeve të qenve endacak gjatë 2022 kanë qenë edhe VIP-ar shqiptarë. Artisti i njohur Yll Limani gjatë muajit gusht pati njoftuar se qentë endacak ia kishin sulmuar macen meqë rast edhe i kishte ngordhur. Një ditë më pas pre e sulmeve pati rënë edhe këngëtarja e njohur, Fjolla Morina.

    Përmes një Instastory ajo kishte treguar se qeni ia kishte kafshuar çantën.

    Qentë endacak nuk kanë sulmuar vetëm qytetarët e Kosovës, pre e sulmeve kanë qenë edhe shtetas të huaj, apo turistë. Basketbollisti i njohur Brad Waldow, eksperiencën e tij në Kosovë në muajin gusht të vitit që po lëmë pas nuk e kishte nisur në mënyrën më të mirë të mundshme.

    Basketbollisti amerikan kishte qenë viktimë e një sulmi të qenve endacakë në Pejë.

    Përforcimi më i ri i KB Peja e ka postuar një fotografi në Instastory, ku e ka shfaqur gjendjen e këmbës së tij, të qepur me penj në ditën e parë të përvojës së tij në Kosovë.

    Në fillim të muajit gusht, poashtu u raportua se një qen endacak e ka sulmuar një fëmijë të moshës 8-vjeçare në Rrugën “C” në Prishtinë.
    Pas këtij rasti nëna e fëmijës ka raportuar rastin tek “Vrojtuesit e Lagjes” e cila është shprehur e shqetësuar.
    “Eshte qene qe tash e sa kohe rrine ne lagje dhe djali im eshte personi i 4 qe une po e njohe qe e ka kafshuar”, kishte thënë ajo.

    Rast tjetër, ishte raportuar nga Gjykata Themelore në Pejë e cila kishte aprovuar pjesërisht kërkesë padinë e paditëses F.S, me të cilën obligohej Komuna e Pejës që t’ia kompensojë dëmin me shumën 3 mijë e 200 euro, për shkak të kafshimit nga qentë endacakë në qytetin e Pejës.

    Në aktvendimin e Gjykatës, thuhej se paditësen më 30 maj 2020, në orën 08:30, në afërsi të shkollës fillore “Dardania”, në Pejë, derisa ishte duke ecur në rrugë dy qenë endacakë e sulmojnë dhe e kafshojnë në pjesë të ndryshme të trupit, duke pësuar kështu lëndime trupore.

    Në muajin maj u raportua për një sulm të qenve endacak ndaj një vajze e një djali. Në video shiheshin qentë endacakë në lagjen Lakrishtë teksa i vërsulen një vajze e një djali.

    Rasti tjetër ishte kur një familje kishte rrëfyer se qentë endacak ia kishin hëngër 103 pula.

    Qentë endacakë i kishin shkaktuar dëm mbi 3 mijë euro Mihrije Mirenës nga fshati Nakaradë e Fushë Kosovës, pasi asaj ia hëngrën mbi 100 pula.

    Mirena kishte thënë se tash qentë endacakë nuk ia lanë asnjë pulë, me të cilat është marrë tash e dy vjet.

    “Qentë endacakë m’i kanë hangër 103 pula. Tash s’e kam më asnjë pulë, ndonëse i kam mbi 2 hektarë tokë e të cilat i kam mbajtur qe pothuajse dy vjet. Jam e papunë, jam marrë me këtë biznes dhe tash kam falimentuar”, është shprehur Mirena.

    Në prill të 2022 ishte raportuar se në oborrin e QKUK’së u sulmuan tre mjekë nga qentë endacakë, lajm i cili bëri bujë në Kosovë e sidomos në Prishtinën duke qenë se problemi me qentë e rrugëve ende nuk po mund të zgjidhet në kryeqytet. Pas sulmit pati reagime të shumta, e njëri ndër ta ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tregoi se qeni që e ka kryer sulmin është “në mbajtje”.

    Madje komentet e Ramës u bënë virale dhe u shndërruan në objekt përqeshje, por familja e njërës prej viktimave ndjehet e fyer nga komentet e kryetarit.

    Pre e sulmeve nga qentë endacak kanë qenë të shumtë edhe studentë, rast konkret ka qenë në prill të vitit që lamë pas, studentja e Fakultetit Juridik, njëherësh anëtare e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Flora Halimi, ka thënë se ishte sulmuar nga qentë endacakë pranë këtij fakulteti.

    U nisa për në fakultet, mbarova në Qendër të Mjekësisë Familjare! Falë Zotit, iu shpëtova kafshimeve të qenve endacakë, por jo edhe lëndimeve që i mora si pasojë e përpjekje për të ikur nga ta”, ka shkruar Flora Halimi në Facebook.

    Kujtojmë gjithashtu kur për një ditë ndodhën dy raste të sulmeve në Prishtinë, kur u publikuan pamje të frikshme, ku një grua sulmohet nga qentë endacak në afërsi të rrugës C në kryeqytet.

    Madje e njëjta nga sulmet që po i bëheshin shtrihet e tëra në tokë, derisa bën zgjidhje që të ikën prej tyre.

    E lidhur me këtë rast e shumë raste të tjera të ndodhura në Prishtinë, organet kompetente nuk kanë bërë asgjë konkrete.

    Pa sulme nga qentë endacak nuk ka mbetur as muaji shkurt, ku ishte raportuar për një vajzë e cila i ka shpëtuar për pak sulmit nga disa qenë endacakë që ishin nisur drejt saj teska ishte duke ecur rrugës në Ferizaj.

    Nga një video e publikuar nga mediat lokale shihej se momenti kur një tufë qenesh nisen ta sulmojnë vajzën.

    Në ato momente andej kalon një veturë me disa persona që i dalin në ndihmë vajzës.

    Sulmit nga qentë endacak nuk i kishin shpëtuar madje as Policia e Kosovës. Një punëtor i Policisë në Prizren ishte sulmuar nga qentë endacak në orët e hershme të mëngjesit në 11 shkurtin e 2022, derisa po shkonte në punë.

    Rastin në Gazetën Insajderin e kishte raportuar një familjare e punëtorit, e cila tha se i njëjti ka marrë kafshime në këmbë dhe është trajtuar në Spitalin e Prizrenit.

    Tutje, ajo kishte treguar se punëtori i policisë tashmë është vaksinuar dhe gjendje e tij është stabile.

    Rasti kishte ndodhur në lagjën ‘Ortakoll’ në Komunën e Prizrenit. Në këtë lagje edhe më herët ishte raportuar për numër të madh të qenëve endacak që bredhin rrugëve.

    Derisa, në fund të këtij viti, më 29 dhjetor të 2022, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, më në fund solli një lajm të edhe për qytetarët edhe për qentë endacak.

    Ai ka njoftuar se strehimorja është afër përfundimit me fokus të qenve endacak.

    “A ju besohet? Qendra për Trajtimin e Kafshëve (me fokus në 🐕 endacak) gati u përfundua 💪🏼“, ka shkruar Rama.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark