×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Tenderi i dyshimtë i Prishtinës së Ramës me dy vëllezërit biznesmenë, flasin nga komuna

    Insajderi
    01 February 2024 - 15:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi javë më parë ka raportuar lidhur me dyshimet për kurdisje për tenderin “Furnizim me pelet” në Komunën e Prishtinës. Shpërblimi me kontratë për këtë tender filloi qysh në shtator të 2023’ës, por, ky aktivitet i prokurorimit ende nuk ka marr epilog përfundimtar. Kjo për shkak të kërkesave të refuzuara, ankesave e vendimeve për pezullim. Organi Shqyrtues i Prokurimit me 9 janar 2024 ka marr vendim që lënda të kthehet në rivlerësim. Nga Komuna e Prishtinës konfirmuan se po e zbatojnë vendimin e OSHP’së.

    Këtë vendim të PSH është duke e zbatuar në tërësi Komuna e Prishtinës ashtu që komisioni përkatës është në zhvillim e sipër të procedurës së rivlerësimit. Aktiviteti i prokurimit aktualisht ndodhet në proces të rivlerësimit sipas vendimit të OSHP dhe ende nuk ka marrë epilog përfundimtar që nënkupton se ende nuk është përcaktuar tenderuesi fitues me të cilin do të nënshkruhet kontrata e prokurimit publik“, thuhet në përgjigjen e komunës për Insajderin.

    Zyrtarja për media në Komunën e Prishtinës, Arlinda Kastrati tha se ‘DHF Company SH.P.K” ishte rekomanduar si fitues pasi kishte ofertën më të lirë.

    Sa i përket OE DHF, qëndron konstatimi se para procesit të rivlerësimit ky OE është rekomanduar si fitues për shkak se ka qenë tenderuesi i përgjegjshëm me çmimin më të lirë. Ende nuk është përcaktuar fituesi përfundimtar për të cilin do të publikohet edhe njoftimi për nënshkrimin e kontratës.”, tha Kastrati.

    Tutje, nga komuna thanë se nuk ka qenë kërkesë në dosjen e tenderit që të jetë primare aktiviteti me pelet.

    Nuk ka qenë kërkesë që kodi primar i veprimtarisë të jetë furnizim me pelet pasi që një kërkesë e tillë nuk ka qenë e përcaktuar me dosjen e tenderit.“, thuhet në përgjigje.

    Sipas tyre, komuna është detyruar të zhvilloj procedurë të negocuar pa publikim të njoftimit për kontratë, pasi që në mungesë të furnizimit me pelet do të mungonte ngrohja në shkollat e kryeqytetit.

    Duke marrë parasysh faktin se ky aktivitet i prokurimit është shpallur me kohë mirëpo nuk ka përfunduar ende për shkak të kërkesave për rishqyrtim dhe ankesave në OSHP, autoriteti kontraktues – Komuna e Prishtinës është detyruar që të zhvilloj procedurë të negocuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Me këtë rast Komuna e Prishtinës ka marrë miratimin paraprak edhe nga KRPP sikurse përcaktuar me LPP në fuqi.”

    Kjo është bërë pasi që në mungesë të furnizimit me pelet do të mungonte ngrohja në institucionet e arsimit në Komunën e Prishtinës dhe për pasojë jo vetëm që do të rrezikohej mbarëvajtja e procesit mësimor por do të mund të rrezikohej edhe shëndeti i mijëra nxënësve – fëmijëve në Kryeqytet.“, tha Kastrati.

    Komuna thotë se me kërkesën e Drejtorisë së Arsimit në kryeqytet janë ftuar për negocim tri kompanitë me çmimin më të lirë dhe kontrata është nënshkruar me ofertën më të lirë që ishte dorëzuar.

    Sa i përket procedurës së negocuar, me kërkesën e njësisë kërkuese për këtë aktivitet të prokurimit – Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, janë ftuar për negocim tri kompanitë me çmimin më të lirë dhe kontrata është nënshkruar me ofertën më të lirë të dorëzuar në këtë rast.“, thuhet në përgjigjen e komunës për Insajderin.

    Kujtojmë se, Kompania DHF në pronësi të Hysen Jusajt u rekomandua dy herë për tenderin në fjalë, vendime të cilat u kthyen në rivlerësim nga OSHP’ja. Ndërsa, për herë të tretë u rekomandua “Bek Fluids” në pronësi të vëllait të Hysen Jusajt, Hysniut.

    Për këtë tender garuan gjithsej 12 operatorë ekonomik. Kundër vendimit të komunës dolën disa kompani të cilat nuk u përzgjodhën për tenderin në fjalë.

    “Kompania DHF” dhe “Bek Fluids” nuk kanë primare në aktivitetin e tyre furnizimin me pelet.

    Aktiviteti kryesor i “DHF Company” sipas ARBK’së është ‘tregtia me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuar’. ‘Peleti’ nuk përmendet askund në aktivitetet e kësaj kompanie.

    Në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë për ‘Bek Fluids’ nuk është e përmendur askund ‘peleti’. Aktiviteti kryesor i kësaj kompanie është prodhimi sapunëve, detergjenteve.

    Kurse, aktivitete sekondar është prodhimi i produkteve të plastikës, pijeve freskuese, prodhimi i produkteve të duhanit dhe disa të tjera.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark