×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    The Guardian: Nëse serbëve të Kosovës s’u jepet autonomi politike rreziku për konflikt është real

    Insajderi
    09 January 2023 - 13:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duken më së keqti në 20 vitet e fundit, ka shkruar “The Guardian” në një editorial ku analizon situatën politike në Ballkanin Perëndimor, raporton Insajderi.

    Duke shkruar për tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, gazeta prestigjioze britanike konsideron se nëse Marrëveshja e Brukselit për dhënie të autonomisë për serbët e Kosovës nuk realizohet sivjet, rreziku për konflikt është real.

    “Kapacitetet e Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar janë komplikuar edhe më tej nga varësia e Serbisë ndaj gazit rus, dhe nga refuzimi i Beogradit që të vendos sanksione ndaj Rusisë. Por, nëse Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 përfundimisht nuk zbatohet sivjet – që lidh autonomi politike për serbët e Kosovës si normalizim i marrëdhënieve mes dy vendeve – rreziku për një konflikt iminent është real. Po të ndodhte kjo, pasojat më të gjera do të ishin serioze, jo më pak në aspektin e një krize të re refugjatësh”, shkruan gazeta britanike.

    “Ky fokus i ripërtërirë perëndimor është shumë i nevojshëm, por, duke pasur parasysh një kontekst të errët, kërkohet më shumë se fjalë të ngrohta. Muajin e kaluar, mosmarrëveshjet lokale çuan në ngritjen e barrikadave për një kohë të shkurtër në pjesën më veriore të Kosovës, e cila është kryesisht serbe etnike. Marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit – e cila gëzon mbështetjen entuziaste të Kremlinit dhe refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës – duken më keq se në çdo moment gjatë 20 viteve të fundit”, shkruhet në editorial.

    Në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e shumëkontestuar nga Qeveria e Kosovës, zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, ka thënë se bisedimet për formimin e saj do të fillojnë “me ose pa” pjesëmarrjen e qeverisë kosovare.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thirret në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, ku konstatohet se rreth 23 pika të marrëveshjes së vitit 2015 nuk janë në pajtim me frymën kushtetuese./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark