×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Titanët” e diplomacisë dikur synonin Presidencën, në “regjimin” e Kurtit mjaftohen me poste dytësore

    Insajderi
    27 July 2022 - 15:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Veton Surroi dhe Blerim Reka si titanë të diplomacisë dikur synonin poste presidenciale, njëri në Kosovë dhe tjetri në Maqedoninë Veriore. Në qeverinë Kurti 2, Surroi është propozuar për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për periudhën 2022-2024, dhe Reka për Konsull të Përgjithshëm të Kosovës në New York.

    Gazeta Insajderi

    Publicisti Veton Suroi është i propozuari i Qeverisë së Kosovës për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për periudhën 2022-2024.

    Kështu ka raportuar ditë më parë portali Kosovo-Online bazuar në burime diplomatike.

    Në dokumentin zyrtar, thuhet se Qeveria e Kosovës ia ka dërguar propozimin Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës.

    Tutje shkruhet se Surroi është i njohur në rajon për përkushtimin e tij ndaj paqes, si dhe për aspiratat evropiane e euroatlantike të popujve të Evropës Juglindor.

    Gjithashtu thuhet se në tri dekadat e kaluara, ndër të tjera, Surroi ka treguar kapacitetet e tij si themelues dhe publicist i gazetës “Koha ditore”, si dhe pjesëmarrës në procesin e negociatave në Rambuje në vitin 1999, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Nga posti i Presidentit tek Sekretari i Përgjithshëm i (RCC)

    Qytetarët e Kosovës e dëbuan Veton Surroin nga skena politike kosovare në nëntorin e vitit 2007 kur partisë së tij, ORA-s, nuk i dhanë vota të mjaftueshme për të kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind.

    Një dëbim i dhimbshëm e traumatik për multi-milionerin publicist që prej asaj kohe e ka rritur etjen për pushtet.

    Ai ka përdorur madje edhe grupin e tij medial për të promovuar veten, një herë dëshirën për president e kur kjo i dukej shumë e madhe për t’u arritur, edhe atë për ministri të Punëve të Jashtme.

    E gjithë kjo, edhe pas shuarjes së partisë ORA që nuk u votua nga qytetarët e Kosovës dhe u përzu nga jeta parlamentare kosovare.

    Por, Surroi në janar të vitit 2020 kishte guxuar të përzihej në koalicionin potencial ndërmjet LDK-së dhe VV-së, e të cilave iu shpjegonte se çfarë duhej të bënin për pozitën e presidentit.

    “LVV dhe LDK mund t’u rikthehen negociatave për koalicion prej një këndi tjetër, atij të zgjedhjes së Presidentit/es.” – shkruante Surroi, duke harruar që qytetarët e Kosovës e njohin mirë ambicien e tij jolegjitime për president.

    Ai thoshte se presidenti nuk i përket asnjë partie politike dhe “andaj zgjedhja e Presidentit/es duhet të jetë pjesë e së paku dy rrathëve të ndërtimit të konsensusit: një brenda koalicionit qeverisës dhe një tjetri me opozitën.

    Ndryshe, nga viti 2004 deri në vitin 2007, Surroi ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, ndërsa nga prilli i vitit 2021 është këshilltar qeveritar në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

    Tash ai është pretendent për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për periudhën 2022-2024.

    Zyra e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal drejtohet nga një këshilltar politik i emëruar nga Kryeministri dhe njëkohësisht shërben si Koordinator Kombëtar për RCC.

    Fillimisht si pasardhëse e Paktit të Stabilitetit për EJL, kjo zyrë është krijuar për të mbuluar bashkëpunimin rajonal në sektorët siç janë ekonomia dhe zhvillimi social, energjia dhe infrastruktura, zhvillimi i kapitalit njerëzor, drejtësia, punët e brendshme dhe bashkëpunimi parlamentar si dimension gjithëpërfshirës.

    Tani e koordinon gjithashtu Planin e Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale (MAP REA) i miratuar nga gjashtë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor më 12 korrik 2017 në Samitin e Triestes, në kuadër të procesit të Berlinit.  Si dhe nga Samiti i kaluar i Procesit te Berlinit udhëheq me agjendën e saj në vazhdim të quajtur Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM).

    RCC-ja po ashtu shërben si Sekretariat i SEECP-së dhe pjesëmarrësit e saj  përfshijnë të gjitha vendet e EJL-së, Bashkimin Evropian dhe disa shtete anëtare të BE-së.

    Sekretariati i RCC-së ndodhet në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe ka poashtu edhe një zyre ndërlidhëse në Bruksel, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nga dëshira për tu bërë President, tek propozimi për Konsull në New York

    Qeveria e Albin Kurtit e ka rekomanduar për Konsull të Përgjithshëm të Kosovës në New York ish-ministrin e Integrimit Evropian në Qeverinë Kurti 1, Blerim Rekën, ndonëse nuk lejohet që konsujt të jenë politikë.

    “Mbështetur në nenin 93 pikë 8 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 2 të Ligjit Nr.03/L-044 pikë 7.2, 7.3, 7.4, 7.7 dhe 7.8 në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju dërgoj në besim emrin e z.Blerim Reka, duke e propozuar për Konsull të Përgjithshëm, më New York, Shtetet e Bashkaura të Amerikës.”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz.

    Në këtë dokument thuhet se Blerim Reka i plotëson të gjitha kriteret e parapara sipas nenit 6 të Ligjit Nr.03/L-44 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.03/L-207/, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Kush është Blerim Reka?

    Reka ka lindur në Shkup të Maqedonisë më 1960. Ai u diplomua në Universitetin e Prishtinës, për të nisur më pas një karrierë prej politikani.

    Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Maqedoni të Veriut, Reka ishte kandidat i pavarur për president, dhe ishte i vetmi shqiptar në garë për këtë post.

    Blerim Reka ishte edhe ambasador i Maqedonisë në Bashkimin Evropian në Bruksel. Gjithashtu ai ka mbajtur disa pozita këshillimore diplomatike dhe ligjore si këshilltar.

    Nga viti 2002, Reka ka qenë profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të Drejtës së BE në Universitetin e Evropës Juglindore. Ai mban një doktoraturë në të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe Ligjin Civil dhe Ekonomik.

    Ai është është autor i disa librave, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark