×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Vërshimet “gjunjëzuan” Mitrovicën, dëmi mbi 10 milionë euro – Kryetari flet për Insajderin

    Insajderi
    23 January 2023 - 15:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Mbi 10 milionë euro po vlerësohet të jetë dëmi i shkaktuar pas vërshimeve në Mitrovicë të Jugut. Kështu tha për Insajderin kryetari i Komunës, Bedri Hamza.

    Hamza në prononcim për Insajderin thotë se dëmet janë të mëdha janë dëmtuar shtëpi, biznese e objekte publike.

    Gjendja ka qenë serioze, fati i madh që ne nuk kemi pasur viktima. Kemi arritur t’i evakuojmë dhjetëra familje me qindra anëtarë. Dua t’i falënderojë të gjithë ata që kanë kontribuar edhe institucionet e komunës, policinë, zjarrfikëset dhe sidomos klubin e Zhytëseve në Mitrovicë që kanë kryer një punë të jashtëzakonshme”, ka thënë ai për Insajderin.

    “Kemi arriti t’i strehojmë njerëzit sepse uji ka depërtuar nëpër shumë shtëpi. Janë qindra shtëpi të vërshuara. Dëmet kanë fillu me u vlerësu, vlerësimet preliminare tregojnë se janë dëme shumë të mëdha, edhe në ekonomitë familjare, edhe në biznese, edhe në infrastrukturën publike”, potencoi ai.

    Kryetari shtoi se vetëm një sallë sportive kap dëmin e mbi 1 milionë eurove.

    “Shifrat kalojnë mbi 10 milionë euro dëme për shkak se ka edhe shtëpi të dëmtume, edhe prona, edhe biznese por po e marr veç një objekt publik e ki dëmin që është mbi 1 milionë e gjysmë që është i vlerësuar, që ka të bëjë me Omni Sportin ”, tha ai teksa premtoi se shume shpejt do të dalin me rezultate zyrtare.

    I pyetur se si ka qenë raportimi me nivelin qendror, Hamza shtoi se përveç vizitës që kanë bërë ditë më parë krerët e shtetit ende nuk kanë ofruar ndonjë përkrahje financiare.

    “Ka qenë në vizite presidentja dhe kryeministri i Republikës, kanë qenë në vizitë ministrat e Republikës së Kosovës, pres që qeveria të reagojë dhe të shoh se cila do të jetë ndihma konkrete për komunat të cilat kanë pësuar nga vërshimet”.

    Takimi Kurti-Hamza

    I pari i Mitrovicës shtoi se kanë pasur ndihma emergjente nga FSK si dhe Agjencioni i Emergjencës, por financiarisht tha se ende nuk kanë ndonjë informatë zyrtare, se cila do të jetë përkrahja nga niveli qendror.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e shiut, të cilat kanë shkaktuar edhe vërshime e përmbytje, pritet të vazhdojnë deri më 25 janar.

    Megjithatë, nga ky institut është paralajmëruar se nesër do të ketë reshje shiu në tërë vendin, të cilat mund të përkeqësojnë situatën në zonat e prekura nga vërshimet gjatë ditëve të kaluara.

    Komunat më të prekura nga vërshimet janë Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Zubin Potoku. 

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark