×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Armend Zemaj jep urdhër për përdorimin e oksigjenit të palicencuar, shteti në heshtje totale

    Insajderi
    24 November 2020 - 14:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Visar Duriqi & Vranina Kelmendi

    Në kohën kur pandemia nga Covid-19 është në kulm, dhe shumë pacientë të infektuar kanë nevojë për oksigjen medicinal, shteti nuk ka mundur ta sigurojë atë, në masën sa ka qenë e nevojshme.

    Madje në shumë spitale rajonale nuk është ofruar oksigjen nga kompanitë e licencuara, që në Kosovë këtë shërbim e bëjnë vetë dy kompani: “Medical Group” dhe “Medica”.

    Këto janë gjetjet kryesore të dokumentarit hulumtues “Indoks”, prodhim i Gazetës Indajderi, i cili është transmetuar të dielen.

    Dy dikasteret më të rëndësishëm për menaxhimin e pandemisë Covid-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor i Kosovës nuk kanë gjetur kohë që të përgjigjen në pyetjet e emisionit rreth gjetjeve për oksigjenin.

    InDoks për një javë ka pritur përgjigje nga drejtuesit e Shërbimit Spitalor Kosovar, që menaxhon me sistemin publik të shëndetësisë në vend, për të ditur numrin e pacientëve që kanë vdekur nga Covid-19 pasi janë futur në oksigjeno-terapi.

    As në Ministrinë e Shëndetësisë, që po ashtu udhëhiqet nga njeriu i partisë së kryeministrit Avdullah Hoti, ish-deputeti Armend Zemaj nuk kanë dhënë asnjë përgjigje rreth çështjes së oksigjenit.

    Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në Kosovë nga virusi që ka prekur gjithë botën kanë vdekur mbi 900 persona, ndonëse dy institucionet përgjegjëse të shëndetiti kanë refuzuar të tregojnë se sa nga këta kanë ndërruar jetë pasi janë futur në oksigjen.

    Për krejt kë probleme që janë hasur në vazhdimësi në spitalet e Kosovës, gjatë kohës së pandemisë, ka folur gazetari i specializuar në fushën e shëndetësisë, Bujar Vitija.

    Ai për InDoks ka folur specifikisht edhe për situatën me oksigjenin medicionale.

    “Në Klinkën Infektive, familjarët e kanë humbur besimin në raport me njësitin intensive ku nevojitet trajtim me oksigjen. Ata i kanë dyshimet se nuk ka oksigjen të mjaftushëm. Është dashur që Prokuroria të zbardhte shkaktarët që kanë dërguar vdekjen e pacientëve”.

    “Furnizimi me oksigjeni nga kompania që ka kontratë me QKUK-në vazhdon të ketë problem dhe nuk po arrin të i përmbush nevojat e trajtimit, kjo ka  dërguar edhe furnizimin e spitaleve rajonale me oksigjen të pa licencuare, ku edhe vetë drejtorët e kanë pranuar publikisht njëri prej tyre ai i Vushtrrisë”, ka thënë Vitija, i cili drejton edhe Gazetën Shneta.

    Vitija ka thënë se furnizimi i sistemit shëndetësor kosovar me oksigjen medicional, është krijuar në biznes të majmë. Ai ka treguar shumat milionëshe që kanë fituar këto kompani.

    “Fitimet janë milionëshe të kompanive, në QKUK në fillim të këtij viti është nënshkruar një kontratë 1.2 milionë euro për furnizim me oksigjen për dy vite, mirëpo parashikimet kanë qenë të një situate normale jo çfarë kemi sot”.

    “QKUK është detyruar ta procedojë një kontratë emergjente me oksigjen nga një kompani tjetër e cila ka mbështetur QKUK me furnizim shtesë, tani një kontratë tjetër 12 muajshe rreth 2.2 milionë euro me furnizim me gazra medicionale”, ka shtuar Vitija për InDoks.

    Çfarë oksigjeni po ju ofrohet pacientëve të prekur me Covid-19?

    InDoks ka tentuar që të kuptojë nga Dogana e Kosovës se cilat janë kompanitë që kanë importuar oksigjen në Kosovë.

    Doganës i është kërkuar që të tregojë se cilat nga kompanitë importojnë oksigjen industrial, dhe cilat medicional, dhe se ato që importojnë oksigjen të lëngshëm industrial a e shesin atë tek spitalet si medicional, por në këtë institucion kanë treguar vetëm sasinë oksigjenit të importuar këtë vit në Kosovë.

    Aty del që nga janari i këtij viti e deri në mesin e nëntorit, pa i ndarë fare oksigjenin medicional e atë industrial, janë futur në vend mbi 2.7 milionë litra oksigjen derisa vlera e deklaruar e tij në doganë ka qenë mbi 1.1 milionë euro në gjendje të lëngët, ashtu siç sillet.

    Nga këto të dhëna del që pjesën më të madhe, apo mbi 2.1 milionë litra janë importuar nga Maqedonia, dhe mbi 600 mijë litra të tjera nga një kompani gjermane me bazë në Serbi.

    Gazetari tjetër që ka raportuar për çështjen e oksigjenit, Arben Rashiti, ka gjetur se në Kosovë pesë kompani i kanë furnizuar spitalet me oksigjen të palicencuar.

    “Gjatë hulumtimit, kam marrë vesh se spitalet rajonale, Spitali i Vushtrrisë po blen oksigjen dhe pa hapur as tender. Shkova në AKKPM edhe pyeta sa firma janë të licencuara thanë dy. Pastaj kuptova se janë pesë firma që furnizojnë SHSKUK-në me oksigjen”, tha Rashiti për InDoks.

    As Rashiti, sikur Gazeta Insajderi, dhe emisioni InDoks, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga MSH dhe SHSKUK për të gjeturat rreth oksigjenit.

    Sa duhet të jetë cilësia e oksigjenit për të mos shkaktuar vdekjen e pacientëve?

    Dokumentet që ka siguruar InDoks tregojnë që niveli i pastërtisë së lejuar për përdorim të oksigjenit tek pacientët nuk guxon që të jetë më pak se sa 99.5%. Dhe, një certifikatë e tillë duhet të lëshohet nga prodhuesi.

    Dokumenti që tregon nivelin e pastertisë së oksigjenit për pacientët

    Besim Cena që është një ekspert i gazrave industriale e ka shpjeguar në detaje krejt këtë çështje.

    “Në çdo autocisterne që e bjen oksigjenin duhet me ardh një atest 99.7%, nën 99.5% nuk guxon me qenë pastërtia, po ashtu nuk bën mu përdor për medicinë sepse ndikon keq në frymarrjen e njerëzve, 99.5% ma lartë është e lejushme”, ka thënë Deva, që dikur drejtonte prodhimin dhe përpunimin e gazrave për industri e atyre medicional në Kosovë, në ndërmarrjen shoqërore “Deva”.

    Zemaj “luan” me jetën e pacientëve, jep urdhër për mbushjen e oksigjenit të palicensuar në spitale

    Kompania e cila ka ofruar oksigjen të palicencuar nëpër spitale është: “Lindi Gas”. E njëjta i ka mbushur bombolat me dhjetra herë, ndonëse s’e ka certifikatën përkatëse.

    Madje thonë se këtë veprim e kanë bërë me dijeninë e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

    “Kjo është bërë me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, ne i kemi certifikatat e cilësisë së gazit edhe është një cilësi që i arrin qato kushtet. Po direkt me urdhërin e ministrit Armend Zemaj”, ka thënë Arianit Hoxha, përfaqësuesi i kompanisë “Lindi-Gas”.

    Edhe spitali i Gjilanit ka pasur telashe me furnizimin me oksigjen.

    Disa muaj më parë ata kishin lidhur kontratë me kompaninë “Autogeni-Ada-Gas”, pronë e Ridvan Muratit. Kompani pa licencë për oksigjen medicional.

    InDoks ka folur me pronarin e kësaj kompanie. Murati pos që jep disa shpjegime për rastin e kontratës së anuluar, hedh akuza për hajni.

    “Realisht për me kry njëfarë obligimi, ju kam dërgu si donacion e kam lënë  atë punë me qit në gazetë. Ma shumë u bo e madhe përkundrazi nuk ka pas asgjë, nuk kam pas interes, por kur kan hy hajnat për tendera kur një bocë e oksigjenit shitet 30 euro. S’kam furnizu kurrë me kanë lut se qytetarët e mijë ishin keq edhe në pozitë të keqe se, kurrë në jetë nuk dua të marr me ta se puna shtetit hajr s’kam pa. Jo unë licencë po kerkush në Kosovë nuk ka”, ka thënë ai për InDoks.

    Në MSH dhe SHSKUK nuk kanë pranuar që të japin përgjigje për InDoks as se si u bë që të angazhohen kompani të pa licencuara për furnizimin me oksigjen, dhe as se a është kontrolluar cilësia e oksigjenit që ato kompani kanë furnizuar. /Gazeta Inajderi, InDoks/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark