×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Botohet libri studimor i Adelina Xhaferit

    Insajderi
    16 May 2023 - 17:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autorja dhe kritikja e re letrare, Adelina Xhaferi, ka botuar një monografi studimore për romanet e Fatos Kongolit, njërit prej shkrimtarëve më të rëndësishëm shqiptarë, të përkthyer në shumë gjuhë të botës.

    Monografia studimore ka titullin “Proza e Fatos Kongolit mes modernes dhe eksperimentales” dhe është botuar nga shtëpia botuese “Menada” nga Tetova.

    Redaktorë të kësaj monografie janë Dr. Luljeta Isaku dhe Dr. Ejup Ajdini, recensentë Dr. Fatmir Sulejmani dhe Dr. Esmije Veseli, ndërsa lektor i saj është Mr. Nertila Ramadani.

    Pjesë nga vlerësimi i autores së re për prozën e Fatos Kongolit:

    “ASGJËJA E SËMURË”, ajo që (ri)jetohet falë Kongolit, është ajo që gjithnjë më ka lënë përshtypje gjatë leximeve të mia ndër vite, jo vetëm për faktin se si ky shkrimtar sjell risi në mënyrën e vendosjes së personazheve të tij në hapësira të ndrydhura e të ngushta shqiptare, por edhe për vetë karakterizimin dhe çjerrjen e shpirtrave të personazheve të tij. Ai dëshmon se të tillët aq sa janë vetja jonë të mbetur diku në kujtesë të shekujve, apo të gjetur kohëve të fundit, po aq janë edhe të huajt tanë të detyruar për t’u harruar netëve të jetës së vonshme. Njohja e tyre është njohja e qenies sonë, njohja e “dëshirave të sëmura” dhe “ëndrrave të dala jashtë normales”.

    Njohja e personazhit të tij të “çmendur”, të “(për)dhunuar” e të “dashuruar mbrapsht” është kapërcimi i guximshëm i vetes sonë dhe mëtimi për tu afruar me të largëtën e një (pa)kohësie. Kongoli aq sa është shkrimtar që me anë të karakterizimit të personazhit të tij na bën t’i ngjizemi shpirtit, po aq na bën të mendojmë nëse ajo që gjendet në faqet e tij (nuk) është vetja jonë.”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark