×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Humbja i vije prej xhipave të zinj – debakli i partisë së Kurtit në zgjedhjet lokale, ku gaboi kjo parti?

    Insajderi
    22 November 2021 - 12:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Humbja i vije prej xhipave të zinj”, është dokumentari i transmetuar të dielën nga InDoks. Flasin njerëzit që dikur ishin afër Kurtit e edhe oponetët politik. Me 14 shkurt, simpatizantë të Albin Kurtit po festonin, siç e thonin ata, çlirimin e Kosovës. Ndryshe ndodhi me 14 nëntor. Rrotullim total.

    InDoks

    Tetë muaj më vonë, në Qendër të Prishtinës prapë pati festë. Prapë u grumbulluan shumë njerëz. Prapë arsyeja ishte rezultati i zgjedhjeve. Me vetëm një dallim: Nuk po festonin simpatizantët e Albin Kurtit. Po festonte Lidhja Demokratike e Kosovës që pas dy mandatesh po e rikthente Kryeqytetin, dikur një bastion i kësaj partie.

    Janë dy momente që ndryshuan rrënjësisht pamjen e skenës politike kosovare. Kanë veç tetë muaj në mes. Albin Kurti që u tha që e çliroi Kosovën dhe siç thotë ai, bëri shkapjen e shtetit të kapur, u nda me vetëm katër kryetarë komunash nga partia e tij. Një komunë të madhe, Gjilanin, një komunë pakëz më të vogël, Podujevën, dhe dy komuna të vogla, aq sa edhe organizatat që bënin sondazhe, disi përtonin të dërgonin staf atje, Shtime e Kamenicë.

    A është kjo arsyeja e vërtetë e humbjes së partisë së Kryeministrit? A fshihet diçka më e madhe pas konstatimit të tij për defekt brenda partisë? A është ai duke folur për një situatë si ajo kur u nda grupi që më vonë mori partinë PSD?
    Apo, është qeverisja e tij duke shpërfillur pjesën tjetër të skenës politike, pasi që ai ka shumicën e votave në Kuvend? Ajo që po ia përshkruajnë si arroganca e numrave?

    Dikush i tha që populli, në emër të të cilit flet jo rrallë herë, ia ktheu shpinën Albin Kurtit. Ai ishte identifikuar në opozitën e tij të gjatë me vite, si njeri i popullit, dhe modest, por tash edhe fushatën e bënte me luksin e një politikani të rëndomtë ballkanik: me xhipa të zinj e shumë turpëroje. A i erdhi Kurtit humbja nga xhipat e zinj?

    I shtyrë nga gazetarët pas një heshtje të kobshme të dielën kur partia e tij përfundoi veç me 4 komuna të fituara, Kryeministri Albin Kurti dha një sqarim që më shumë dukej si gjuhë e eksperteve të makinave. Ekspertëve të xhipave të zinj. Ai po fliste për defekte.

    Madje, fajin po ia linte prapë personave të paspecifikuar me emra brenda partisë, por assesi vetës.

    Por, a ka faj Albin Kurti, në krejt atë që i ndodhi partisë që ai e drejton? A ishte ai arrogant e shpërfillës kur kandidatë për kryetar komunash vendosi të kishte edhe persona që të gjithë i tallnin? Dhe, për 8 muaj qeverisje, a zhgënjeu ai njerëz të strukturave të partisë, aktivistë të zellshëm e edhe votues që kishin pritje të mëdha nga ai, pritje që ai i kishte ushqyer për vite me një fushatë agresive duke përdorur edhe terme si “regjimi i vjetër”, për krejt partitë e tjera politike?

    Dukagjin Gorani tash ofron analizën e tij për zhvillimet politike në televizion, por e njeh mirë lëvizjen Vetëvendosje, pasi që ishte pjesë e strukturave të larta të kësaj partie e madje edhe deputet i saj. A e befasoi atë rezultati i zgjedhjeve?

    Dukagjin Gorani – analist

    “Jo, dorën në zemër unë kam prit që LVV do të ketë rezultat më të mirë, mirëpo është e vërtetë që fushata zgjedhore dhe ditët para fushatës zgjedhore e jepen një indikacion që partia kryesore që është në pushtet, LVV nuk ka ditë me u gjete në procesin zgjedhor sidomos nuk ka ditë me u gjetë në kontekstin kadrovik, kandidatë që I ka pasë, mënyra qysh u zhvillu fushata, e ka lënë një përshtypje të indiferencës së paku në pjesën e parë të procesit dmth fushatës e mandej në pjesën e dytë të një lloji të mos përfilljes, të një lloji të arrogancës publike meqenëse që ishte partia që ishte e bindur në avantazh, gati automatik – mirëpo mandej rezultatet tregun që është ndryshe, ndryshe është interpretu nga ana e votuesve ai qëndrim I LVV-së edhe duke qenë që është interpretu ndryshe ka qenë rezultat unë mendoj katastrofal për të. Ka qenë katastrofal jo për faktin që kanë qenë zgjedhjet lokale, meqenëse partitë fitojnë e humbin dhe ajo është normale por për faktin që është parti që është në pushtet qendror, me përqindje dhe fuqi ekzekutive të pa parë deri sot në Kosovën e pas luftës, e nga ky kontekst është rezultat shumë i dobët. Unë mendoj që është arsye shumë e madhe për me u brengos dhe për me u ri-rreshtu dhe për me nis diskutimin e madh brenda organizatës me pa ku gabuan”.

    Pal Lekaj – AAK

    Pal Lekaj është prej deputetëve të opozitës që, që në ditët e para të qeverisjes së Albin Kurtit i kishte rënë shumë temës së arrogancës së numrave. Ia kishte thënë këtë Kurtit edhe në Kuvend edhe në platforma të tjera. Tetë muaj pas ai ende beson që kjo është ajo që e solli partinë e Kryeministrit të tkurrej nga partia më e madhe në vend në një parti që do të drejtojë për katër vite veç katër komuna. Që madje e humbi edhe Kryeqytetin ani pse kandidoi njëri nga personat e përkëdhelur nga lideri.

    “Ajo çka e kam thënë dhe prapë e them arrogance e numra në Kuvend dhe meqë i ka pas 50+1 deputetë në Kuvend ka menduar se do të vulosë gjitha proceset, mirëpo kjo nuk është reflektuar tek qytetarët sepse sa më tepër të kesh votë aq më tepër duhet ta vlerësosh mendimin e qytetarëve që të reflektosh me projekte dhe ti realizohesh kërkesat e tyre”.

    “Unë nuk kam pa përpos arrogancës së tyre, shkarkimit të bordeve nuk kam pa diçka që qytetarët për këta 8-9 muaj të qeverisjes Kurti që kanë përfituar dhe ajo që më ka bë përshtypje në kohën e zgjedhjeve pothuajse e hapën kuletën dhe ad hoc pa ndonjë analizë ti joshin qytetarët sidomos pensionistët, shtresat sociale që kjo mendoj ju ka hakmarrë edhe në vota, tjetra ka qenë, po shihet që VV nuk ka pasur njerëz të duhur, kandidatë që t’ju ofrojë qytetarëve sepse brenda 1 muaji nuk krijohet një politikan apo një kryetar komune dhe këta me të vërtetë kanë bërë injorancë totale ndaj qytetarëve”.

    Zgjim Hyseni – PSD

    Zgjim Hyseni është një nga zyrtarët e Partisë Socialdemokrate. Edhe ai, si figurat kryesore të kësaj partie, është një ish-aktivist i zëshëm i Vetëvendosjes. Këtë intervistë e ka dhënë për Insajderin para balotazhit të 14 nëntorit.

    “Kur flitet për kuadro, çka thuhet për dështimin total që e ka pësu LVV në këto zgjedhje është mungesa e kuadrove, pra Kurti nuk na paska njerëz të mirë etj etj… dhe si rezultat e kemi marrë këtë rezultat që e kemi marrë, kjo është e vërtetë është kështu, bash për shkak se Albin Kurti ka dashtë kështu”.

    Hyseni thotë në Lëvizjen e Kurti ka dy lloje të njerëzve.

    “Sot në Lëvizjen Vetëvendosje i ke dy lloje të njerëzve, dy arketipe, dy lloje të figurave. Figura e parë është figura e oportunistit e cila është e veshun me petkun e ekspertit, janë këta njerëzit që kanë ardhë dy-tri vitet e fundit kur e kanë pa mundësinë për pushtet. Nuk po du me përmend emra, besoj të gjithë e dinë kush janë ata edhe figura tjetër është e personit dogmatik, i cili është thjeshtë zbatues i verbër i asaj që thotë partia. Këto dy figura i ki ose opurtunistin që ka ardhë aty thjeshtë pse e ka pa mundësinë me realizu interesa personale është një prej tyre Haki Abazi, një tjetër Armend Muja ose figura tjetër e dogmatikut që bën çka thotë partia, plotë të tillë kemi – p.sh Salih Zyba”, tha ai për InDoks.

    Ani pse Albin Kurti në adresimin pas natës së kobshme për partinë e tij, fajin assesi nuk ia la vetës, por defekteve brenda partisë, Hyseni që ka një njohe edhe për funksionimin e kësaj partie edhe e njeh karakterin politik të Albin Kurtit, megjithatë fajet për disfatën ia hedh atij.

    “Çka dimë me thënë është që kryeministri i atribuon vetës vetëm suksese, e kur kemi të bëjmë me përgjegjësi e dështime ka gjithmonë arsyetime që janë jashtë vetës. Njëjtë qysh ndodhi në ditën e zgjedhjeve qysh doli dikush tjetër me na fol ( e ka fjalën për Fitore Pacollin), e ma na i kumtu rezultatet e ‘suksesshme’. PO na e mbajmë mend poashtu se kur kemi pasë FITORE është Kurti që e ka kumtu fitoren, kjo tregon për mënyrën qysh komunikon me publikun dhe çfarë raporti ka me përgjegjësinë. Kur vetës ia atribuon sukseset dhe dështimet të tjerë kujt ndërkohë që po flasim për të njëjtin subjekt dhe për të njëjtat fenomene politike”, deklaroi Hyseni.

    Edhe Dardan Sejdiu e njeh mirë funksionimin e Vetëvendosjes, por pashmangshëm edhe vet Albin Kurtin. Pos pozitave brenda partisë, aktivizimit, ai ishte edhe deputet i kësaj partie. Madje si kuadër i Vetëvendosjes ka mbajtur pozita edhe në pushtetin lokal, në Kryeqytet. Intervista me të është realizuar nga InDoks para balotazhit.

    “Së pari e ka një problem karshi aktivistëve të LVV-së pra krejt punën e tyre e hedh poshtë sepse I bie që ata janë të parëndësishëm përderisa nuk është Albini në krye. Pra nëse është Albini gjithçka përfundon, për mua kjo është problematike, por gjithsesi zotëri Kurti njihet për kësi deklarata që janë një çik në kufi të megalomanisë. Kjo nuk i bën nder figurës së tij as nuk i bënë nder LVV-së e cila për një kohë të gjatë, modestinë dhe punën e ka pasur vlerë kryesore. E kjo nuk është as modeste e që besa nuk është as e lidhur me punë – ka të bëjë me emër të përveçëm, të mjaftueshëm për me fitu zgjedhje”, ka thënë Sejdiu.

    Rezultati i Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit lokale, që e la këtë parti të kënaqet veç me 4 komuna, për Sejdiun është edhe rezultat i mënyrës së si ka qeverisur në nivelin Qendror, Qeveria Kurti 2. Ani pse janë veç tetë muaj qeverisje.

    “Ta themi troç, kushdo që është në pushtet merr faturën, çfarëdo që është, pra nëse je në pushtet 8 muaj, fillojnë faturat për veprim mos veprim për kalim, injorim, arrogancë për gjithçka sepse qytetarët janë njerëz që vrojtojnë, shohin e vërejnë në jetët e tyre a po ndryshon diçka për të mirë apo jo dhe secili e personalizon, individuanilozon normalisht që kur vijnë zgjedhjet pas një periudhe të caktuar mbi qeverisjen qendrore dhe atë e reflekton edhe në qeverisjen lokale.

    Në anën tjetër, zgjedhjet e 14 shkurtit i ka fitu zotëri Kurti jo Vetëvendosja dhe në zgjedhjet lokale, zotëri Kurti nuk garon dhe qytetarët janë të vetëdijshëm që kandidatët për kryetarë dhe kryetarët do të qeverisin me komunën dhe jo kryeministri. Po do të jetë ndoshta një lajm i mirë që kryetari i komunës dhe kryeministri me qenë i të njëjtës parti por kjo nuk dmth kurgjo hiç ka komuna që janë qeverisur prej dikujt tjetër dhe asnjëherë komuna nuk ka pasur telashe me qeverisjen qendrore”.

    PDK-ja dol të jetë partia me më së shumti komuna të fituara, nëse arrin që ta kthej në favor të saj situatën e krijuar me votat me postë në komunën e Dragashit. Për InDoks, para balotazhit ka dhënë intervistë nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku.

    Vlora Çitaku – PDK

    Ajo kishte folur më shumë për nivelin qendror të qeverisjes së Kryeministrit Albin Kurti, që pashmangshëm ka ndikuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve lokale. Sidomos ajo kishte vënë theksin te raportet e tij me Shtete e Bashkuara të Amerikës, dhe projektin tashmë të shumë përfolur të gazit amerikan, që kjo Qeveri thotë që nuk e ka refuzuar krejtësisht, por deri tash as nuk e ka pranuar.

    “Ky ka qenë një gabim strategjik i qeverisë Kurti, pasojat e së cilës do t’i vuajmë për një kohë të gjatë. Çështja e gazpërçuesit e mbështetur nga qeveria amerikane më së paku është çështje ekskluzive energjetike, kjo nuk ka të bëjë ekskluzivisht vetëm me sigurimin e pavarësisë energjetike, ky projekt si i tillë ka qenë një kundërpërgjigje e drejtpërdrejt ndaj institucioneve, qeverisë ndaj gazpërçuesit rus”.

    Ajo në këtë intervistë të dhënë javë më parë, ka folur edhe për reagimet amerikane, por edhe për rëndësinë që vet projekti ka për Republikën e Kosovës.

    “Mjafton ta përcillni dëgjimin që para disa ditësh zotëri Escobar e pati në kongresin amerikan aty një pjesë e madhe e debatit u përqëndru përreth diversifikimit të burimeve të energjisë në këtë pjesë të Evropës si dhe rritjen e shkallës së pavarësisë energjetike të rajonit tonë nga influencat e rrezikshme, dashakeqe. Ky ka qenë një projekt energjetik po aq sa mos më shumë ka qenë një projekt politik strategjik. Ky është një gabim i cili do të na kushtojë neve, se ky projekt, gazpërçuesi do të bëhet u kyçem ose nuk u kyçem ne por ne si Kosovë do të paguajmë një kosto për shkak se kemi humbur rastin që të hyjmë në sferën gjeostrategjike të bllokut i cili i kundërvihet projektit rus në Ballkanin Perëndimor”.
    Arben Vitia, njeriu i përkëdhelur nga Albin Kurti e humbi garën për ta marrë edhe një mandat qeverisje të Kryeqyteti partia e Albin Kurtit.

    Nuk i ndihmuan madje as spotet luksoze që ai i realizoi bashkë me Kryeministrin. Pse dështoi njëra nga figurat e promovuar nga Vetëvendosje që nga Qeveria Kurti 1?

    “Ndoshta z.Vita është dhe fatkeqësia që e përcolli atë, në kuptimin e menaxhimit të vetvetes ndoshta paraqet shembullin më të mirë të mënyrës qysh një indiferencë e më vonë edhe një mos përfillje nga ana e një organizatë politikë është në gjendje me pësu dhe është në gjendje me u hakmarrë, gjatë një procesi zgjedhor. Z.Vitia edhe kur u bë ministër i Shëndetësisë e ka përcjell një jehonë, një konotacion të një suksesi të parapamë, të një ekselence profesionale gati automatike edhe krejt ajo situatë e një çmendine e të madhe mediale”, tha Gorani

    “z.Vitia ka mujt me ndërtu një imazh të mirë medial për vete, mirëpo ai imazh medial nuk i ka ndihmu fare në menaxhim të pandemisë që ka qenë problem jashtëzakonisht I madh dhe vazhdon të mbetet, rasti e deshti që menaxhimi I pandemisë u bë në mënyrë po ashtu pjesërisht mos-përfillëse dhe në masë të madhe kam frikë që ka qenë mënyrë edhe naïve nga ana përgjithësisht e Qeverisë po mandej edhe z.Vitia”.

    Pal Lekaj nga Aleanca rreshtohet përkrahë atyre që thanë se Vitia, kandidati i LVV në Prishtinë e nisi vonë fushatën e tij për Prishtinën. Ka disa fjalë të mira për kandidatin e LDK-së, Përparim Rama.

    “E thënë plotësisht me të drejt se me vonesë është kyçur dhe ju ka ofruar program qytetarëve të Prishtinës, thuajse qytetarët e vlerësojnë njeriun me duar në xhepa…Unë e kam përcjell shumë mirë debatin, z.Rama tani kryetar i Prishtinës ka qenë shumë më përmbajtjesor, gjërat i ka shtjelluar ashtu siç duhet dhe qytetarët këta e kanë vlerësuar dhe mendoj që kjo është një mësim për të gjitha subjektet politike, që të mos sjellën me arrogancë ndaj qytetarëve dhe ndaj numrave që i fitojnë, kjo është për kryetar të komunave”.

    Gorani në intervistë për InDoks, sqaroi pse emërimi i Vitisë si kryetar për Prishtinën, ishte gabim. Thotë se në një moment Arben Vitia rrezikonte të shndërrohej në objekt tallje.

    “Prej një situate të tillë prej një imazhi në rënie, si ministër atë e emërojnë ose e kandidojnë si kryetar të mundshëm të Prishtinës, çka ndodh aty ajo është tash z.Vitia duhet të transformohet prej një ministrit të Shëndetësisë, prej një mjeku profesionist duhet të transformohet në një personalitet i cili duhet të jetë menaxher i komunës, të merret me planifikim hapësinor, të merret me urbanizëm me zgjidhje konkrete rreth infrastrukturës e kanalizimit dhe ky kapërcim i madh në kontekstin e imazhit dmth zhbërja të një lloji të imazhit dhe ndërtimit të një tjetrit brenda një periudhe shumë të shkurt 2-3 javësh unë mendoj që ka qenë vdekjeprurëse për të”, deklaroi ai.

    “Në një moment të caktum z.Vitia rrezikojke të shndërrohej në objekt të talljes, të opinionit sidomos pas publikimit të video spoteve, pas përpjekjeve me dizajnu një fushatë të veçante për të kjo formë e manipulimit medial përmes transformimit të identiteti dhe imazhit të një njeriu, kjo nuk u përshëndet nga publiku. Kjo vetëm aspekti dmth vizuel dhe aspekti i marrëdhënieve publike që po e marrin parasysh kurse aspektet tjera çfarë janë ekspertiza, profesionalizmi, oferta programore ato e kanë përbë atë problemin tjetër”.

    Pal Lekaj i AAK në anën tjetër ka edhe një shpjegim, pse humbi Vitia. Merita i lë partisë së tij, por edhe PDK-së.

    “Është e vërtetë sepse nuk është zbuluar deri në ditët e fundit se kë e kemi përkrahë e them me plotë kuptimin e fjalës që elektorati I AAK-së është rreshtuar për Ramën dhe e ka votuar, nuk mund të them 100% po për mbi 75% e kanë votuar z.Rama dhe ajo diferenca është bërë nga Aleanca nga PDK dhe qytetarët e tjerë që kanë menduar që me z.Rama do të përfiton Prishtinë”, tha ai për InDoks.

    Vetëvendosje doli humbëse edhe në Mitrovicën e Jugut. Besimi iu dha Agim Bahtirit. Vetëvendosje pas 8 vitesh e humbi edhe këtë qytet shumë të rëndësishëm.

    “Personazhet si Agim Bahtiri sidomos, nuk kanë qenë as të përshëndetura as të lavdume edhe për qeverisjen e më hershme lokale mirëpo edhe për imazhin dhe brendinë e VV-së së paku për mënyrën qysh ka ajo dëshirë të shihet në publik, si një organizatë e pa kompromis, e pa korruptume si një organizatë mbi të gjitha bashkëkohore. Asnjëra prej këtyre karakteristikave nuk mishnohej në personazhin çfarë shembull ishte Agim Bahtiri”.

    “…kjo ka qenë shkarje shumë e madhe, e cila sipas meje flet për një mungesë kronike të përfaqësimit adekuat brenda partisë VV dhe kjo mungesë tashmë ka fillu edhe t’i pësojë goditjet e para, meqenëse nuk mund të mirëmbahet vetëm percepsioni teorik dhe vetëm një përshtypje ideologjike përderisa ajo nuk është në gjendje të argumentohet dhe përfaqësohet nga njerëz real. Kështu që ajo cka e kemi pa në shumicën e komunave ku LVV ka garu me kandidatë ka qenë një cilësi shumë e ulët e përfaqësimit e cila mundohej të kompensohej me llogon e partisë”, shpjegon Gorani.

    As ushtruesja e detyrës së shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes nuk arriti që të merrte votat për tu bërë edhe një herë Kryetare e Gjakovës. Pal Lekaj që vije nga partia e cila e mori këtë komunë, thotë me ironi që do ta ketë atë ende kolege në parlament.

    “Unë e kam thënë edhe përmes një postimi edhe 4 vite ju kanë dashtë Gjini, Gjakovës ndërsa unë nuk kam mundur ta lejojë që znj.Kusari-Lila bashkë me Gjinin ta fitojë Gjakovën sepse mu ka dashtë të jem koleg i mirë në parlament sepse nuk më kishe shku koha pa znj.Kusari-Lila”, tha Lekaj derisa fliste për Gjakovën.

    Një nga kandidaturat që është vlerësuar e qëlluar nga Vetëvendosje, është ajo e Gjilanit. Alban Hyseni mundi madje njëri nga njerëzit që konsiderohen me fuqi politike në LDK, Lutfi Hazirin. Këtë e thotë edhe Dukagjin Gorani.

    “Po, ka qenë një fitore e meritume e një kandidati i cili ka garu në mënyrë korrekte dhe ka pasur simpatinë dhe besimin e një numri të madh të votuesve, dhe z.Alban Hyesni me ia uru dhe patjetër me i dëshiru punë të suksesshme për atë komunë”, tha Gorani.

    “Mirëpo e vërteta është që përveç Gjilanit, humbja nëpër komuna të tjera ka qenë dashtë të pritet ose të vështrohet nga një këndvështrim që është më korrekt, kushtimisht thënë më elegant, nëse i humb zgjedhjet humbja në politik nuk do të thotë vdekje përfundimtare”, potencoi ai.

    Për sjelljen e tij, fillimisht duke heshtur e pastaj duke anashkaluar urimin për partitë që e mundën në zgjedhje, Albin Kurtin e cilëson edhe si paranojak deputeti i AAK-së. Ia përmend edhe sasinë e votave që ka humbur, duke e krahasuar fitoren e kësaj partie me 14 shkurt në zgjedhjet nacionale, dhe humbjen më 14 nëntor në zgjedhjet lokale.

    “Mendoj që kryeministri i Kosovës është dashur ti qaset ndryshe mbarimit të zgjedhjeve lokale, t’i urojë gjithë kryetarët. Unë mendoj që z.Kurti nuk po e luan rolin e kryeministrit, gara është garë pas përfundimit të zgjedhjeve, ai është kryeministër i gjithë qytetarëve, në fjalimin e parë ai u pa si prokuror “ne do të shkojmë bashkë, do ti kontrollojmë kryetarët e komunave nuk bën kontroll kryeministri dhe qasja e tij ka qenë mjaftë e gabuar dhe mendoj që në këtë drejtim z.Kurti duhet të mendoj që është kryeministër për të gjithë qytetarët dhe sidomos kur e quajti mafi të ndërtimit, mendoj që është dështimi më i madh një fjalor i tillë dmth e ka ataku një segment ku janë, që kontribuojnë shumë në buxhetin e Kosovës sepse pa ndërtim nuk zhvillohet vendi, ata që tejkalojnë vijat e ndërtimit që nuk kanë leje që e keqpërdorin janë organet autonome që duhet të ndjekun”, tha Lekaj.

    “…ta quash një segment të madh të zhvillimit të Kosovës, kriminel të ndërtimit, mafia e ndërtimit është e pakuptimë dhe ndoshta është gabimi më I madh pas zgjedhjeve dhe po duket që z.Kurti është pak paranojak dhe këtë drejtim po mendoj që krejt ajo është kah i shkon negativisht tek partia LVV dhe kjo u pa prapë po e them që i kanë humbur diku 300 mijë vota për 8 muaj”, u shpreh nënkryetari i AAK-së”.

    Zgjim Hyseni, dikur pjesë e VV tash në PSD, parashikon rënie të votës edhe në nivelin nacional.

    Dardan Sejdiu – analist

    “Bindja ime është që edhe sipas sondazheve tashmë LVV edhe në nivelin qendror ka rënie, jo me rezultatet që i kemi pa por rënie ka patjetër”, tha ai.

    Hyseni thotë se veçse kishte vërejtur një rënie të disponimit të VV-së pas rezultatit të 17 tetor.

    “Pritjet e Vetëvendosjes kanë qenë që të fitojnë gjysmën pa balotazh nëse nuk gabojë, kështu e kanë nis ata kur kanë thënë qa konsiderojnë ata vet sukses. Tash po thonë që këna me fitu në balotazh unë nuk e di nuk i kam shumë në qejf prognozat, por cka po vërej pas këtij rezultati, cili për shumë kë nuk ka qenë i pritshëm duke i pasur parasysh zgjedhjet qendrore që kanë qenë vetëm 6 muaj ma herët. Pas këtji rezultati çka po vërej është ndryshim të disponimit dhe një lloj ngurrimi dhe mungesë motivi te LVV vet dmth për herë të parë unë po shoh në Facebook që kanë ndërru disponimet sa i përket kush mundet me fitu e kush jo në Prishtinë në Prizren ose qytete tjera”, u shpreh ai.

    Dukagjin Gorani, ish-Deputet- VV, ritheksoj se LVV gaboi me përzgjedhjen e kandidatëve.

    “Bëhet fjalë për përfaqësim të dobët, në kuptim të kualitetit bëhet fjalë për fushatë e cila është dalë të ketë qenë e gabueshme dhe kjo përsëri po them duhet të shihet si leksion, sido që ata e shohin po ka qenë menaxhim i dobët, ka qenë menaxhim i cili e ka dëmtu edhe imazhin e organizatës edhe mendoj që fitorja e partive tjera që janë në opozitë në pushtet qendror ka qenë poashtu jo shumë edhe falë punës së vet, por shumë ma shumë falë zgjedhjeve ose zgjidhjeve të gabueshme që I ka ndërmarrë LVV”, ka deklaruar ai në InDoks.

    Në anën tjetër, Lekaj parashikon se do të ketë sërish përçarje brenda partisë së Albin Kurtit.

    “E kur jemi që tha kemi pasur gabime të brendshme mendoj që ai mes rreshtave tha që ka përçarje në VV dhe kjo do të shihet në ditët në vijim, edhe pse unë nuk jam për të analizuar politikat e tyre por ju e dini që edhe kur është nda PSD-ja ka qenë hermetikisht e mbyllur edhe pse disa individë e kemi ditur se ka telashe, përçarje, mos-pajtime dhe me deklaratën e para dy ditëve mendoj që e ka dhënë një sinjalizim që ka përçamje e mos-pajtime në LVV që do t’i kushtojë shumë shtrenjtë”.

    Pavarësisht rezultatit të shënuar, analisti njëherit ish-deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu thotë se Kurti do të mbetet gjatë në skenën politike. Sipas tij “Albin Kurti është politikani i fundit i gjeneratës së vjetër dhe do të qëndrojë në skenën politike”./Insajderi.org

    InDoks | Humbja i vije prej xhipave të zinj

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark