Dy vite më parë, Gazeta Insajderi raportoi ekskluzivisht se si logopedi, Iljasa Fazliu nga Gjilani kishte abuzuar psiqikisht në ordinancën e tij një fëmijë 3 vjeçar të diagnostikuar me autizëm. Vetëm pas raportimit, u kuptua se Fazliu nuk kishte as licencë pune. I njëjti ishte pezulluar nga puna, por ishte rikthyer me vendim të Komisioni Disiplinor të QKUK-së. Gazeta Insajderi ka kuptuar se logopedi në fjalë ani pse ka aktakuzë po vazhdon të bëjë biznes përmes klinikës së tij.
Që vazhdon të mos ketë licencë pune për Insajderin e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë.
“Në regjistrin e institucioneve shëndetësore private të licencuara në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të institucioneve Shëndetësore, nuk kemi asnjë institucion të licencuar, ku Iljasa Fazliu është themelues apo personel me licencë aktive”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.
Përkundër përgjigjes së Ministrisë, përgjigje kërkuam edhe nga vet logopedi, Iljasa Fazliu për të parë se si po e vazhdon punën pa licencë.
Përkundër që ministria konfirmoi se nuk ka licencë, Iljasa Fazliu deklaroi se ka, madje kërkoi t’ia dërgojmë licencën.
“Jam nxan, jam tu punu dhe nuk jap kurrfarë informacioni…qysh skam bre licencë, a ty duhet me ditë patjetër a e kam a, e qon inspeksionin e këqyre, hajt ditën e mirë”, tha ai derisa e mbylli telefonin pa dhënë përgjigje për deklarimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Gazeta Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht lidhur me rastin duke publikuar video incizime e detaje nga keqtrajtimi profesional që logopedi Iljasa Fazliu nga Gjilani ushtroi ndaj një 3 vjeçare ordinancën e tij AAR Logo+.
Pasi familja e kishte kuptuar sjelljen e logopedit ndaj vajzës së mitur ata ishin konfrontuar fizikisht me të meqë rast u arrestuan babai dhe daja i vajzës por edhe logopedi Iljasa Fazliu.
Çka thuhet në aktakuzë për logopedin e pandërgjegjshëm?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan në dhjetor të vitit 2022 që e kishte siguruar Gazeta Insjaderi, Iljasa Fazliu dyshohet se gjatë seancës me një fëmijë të moshës 3 vjeçare që është me autizëm ka përdorur fjalë fyese ndaj tij duke i bërtitur me tonë të larta.
Fazliu madje e kishte sharë “Ti koke budallic..ta q.. bota nënën“, kështu duke shkelur parimet gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor.
“Më datë 26.Nèntor 2022, në intervalin kohor prej orës 10.00-11.00 min , në ordinancën private “AAR Logo Plus” që ndodhet në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan , i pandehuri Iljasa Fazliu , në cilësinë e mjekut Logoped , haptas ka përdorur metodë të pa përshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit te llokopedit, ashtu që gjatë seancës për trajtim të fëmiut FSH të moshës 3 vjeçare; me gjendje të autizmit, i njëjti ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese, ku ndër të tjera duke i bërtitur me tone të larta i ka thënë “k .ik atje … Ti koke budallic..ta q.. bota nanën … “kështu që i pandehuri me veprimet e tij bie ndesh me nenin 94 paragrafi 4 nenparagrafi 4.4 tè Ligjit mbi shëndetësinë ,duke mos iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor”, thuhet në aktakuzë.
Pas rastit familjarët e 3 vjeçares, kishin reaguar duke përdorur dhunë ndaj Fazliut.
Sipas aktakuzës ata i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore. Ndërsa edhe kanë pranuar fajësinë.
“Më datë 26 nëntor 2022, rreth orës 12.52 min , në kafiterinë ” Metro” që ndodhet në rrugën Mulla Idrizi në Gjilan, të pandehurit I.Shala dhe R.V , shkak të trajtimi të pandërgjegjshëm të fëmiut me autizëm, me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore të pandehurit tani të dëmtuarit iliasa Fazliut , ashtu që fillimisht i pandehur, prindi i fëmiut i revoltuar nga sjellja e mjekut ndaj fëmiut , hyn në kafiteri dhe i drejtohet të dëmtuarit Iljasa Fazliut , duke e fyer me fjalë e më pas e sulmon duke e goditur me grusht në fytyrë dhe në atë moment ndërhyn edhe i pandehuri R,V ,duke e kapur të dëmtuarin për krahu duke e mbajtur nën kontrolle, e më pas duke e tërhequr varre për t’a rxjerrë jashtë lokalit“, thuhet në aktakuzën që ka siguruar Insajderi.
Prokuroria Themelore në Gjilan, kishte pranuar kallëzimin penal, 26 nëntor 2022,ndaj të pandehurve llijasa Fazliu për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshmesh mjekësor“.
Theksojmë se në janar të 2023-ës, Komisioni Disiplinor i QKUK-së ia hapi dyert logopedit Iljasa Fazliu për rikthim në punë, në Klinikën e ORL-së. Bazuar në vendimin e Këshilli Gjyqësor që Fazliu nuk ka dënim të formës së prerë dhe bazuar në vërtetimin që abuzimi nuk është kryer në QKUK, ka bërë që logopedi të kthehet në punë përsëri.
Çka kishte deklaruar Iljasa Fazliu para Prokurorisë?
Logopedi nga Gjilani në mbrojtje, kishte deklaruar para gjykatës se ka trajtuar 10 raste me autizëm dhe se rasti konkret ka qenë një lëshim i momentit.
Në dosjen që kishte siguruar nga Insajderi, Fazliu ka thënë se fëmijën në fjalë nuk e dëmton asgjë sepse e njëjta ende nuk është diagnostifikuar plotësisht me autizëm.
“I pandehuri Iljasa Fazliu ka deklaruar se e mbështet deklarimin e mbrojtësit të tij duke shtuar se i njëjti është ekspert i kësaj lëmie dhe 24 vite përvojë punë, ku ka trajtuar mbi 10 mijë raste të tilla dhe sa i përket rastit konkret i njëjti ka ndodhur si një lëshim i momentit dhe fëmijën nuk e dëmton asgjë sepse e njëjta ende nuk është diagnostifikuar plotësisht me autizëm dhe e kuptoj ndjeshmërinë e prindit dhe atë thellësisht”, thuhej në dosje.
Për sjelljet e pandërgjegjshme të logopedit në Gjilan ishte organizuar edhe një protestë./GazetaInsajderi
Lexo edhe: