×
Hulumtime/Analiza

Miliona për tenderuesit e PAN-it e mikun e Durmishit, hesht Ministria e Liburn Aliut

Insajderi
13 June 2023 - 15:49
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kanë kaluar afro një javë që Insajderi ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu për tenderët milionësh që u janë dhënë tenderuesve të kohës së PAN dhe mikut të zëvendësministrit Hysen Durmishi, por deri tash nuk kanë pranuar që të komentojnë, derisa në mes te kësaj kohe kanë ndërruar Sekretarin Permanent.

Gazeta Insajderi

Mbi 38 milionë euro është vlera e parashikuar e tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Dhe, nga vendimet e para të Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, që drejtohet nga Liburn Aliu, del që miliona tashmë janë në rrugë për t’iu ndarë firmave që ose ishin tenderues të madhej të kohës kur Qeveria drejtohej nga koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), ose për miq të zëvendësit të Aliut, Hysen Durmishit.

Afro një javë më parë Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në këtë ministri për të marrë një koment për mënyrën se si u dhanë këto pjesë të këtij tenderi, dhe se a pati ndikim për shkak të lidhjeve miqësore të pronarëve të kompanive me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, por deri tash gazeta nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Derisa Ministria nuk ka pranuar që të komentojë këto afërsi të zyrtarëve me pronarë firmash që u parakualifikuan për të marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, bash këto ditë Ministri Aliu vendosi që ta liroi nga detyra ish-Sekretarin Permanent, Servet Spahiu dhe ta kthej në këtë zyrë si ushtrues detyre të Sekretarit, ish-Sekretarin Izedin Bytyqi.

Deri tash nga Ministria e drejtuar nga Liburn Aliu nuk kanë dhënë asnjë shpjegim në publik për këtë ndërrim që erdhi pikërisht në kohën e tenderit prej 38 milionësh për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Dëmet që mund ti shkaktohen buxhetit në tenderin 38 milionësh

Siç raportoi Insajderi javën që shkoi, Qeveria Kurti le që nuk e ka në plan ta ndalë të ashtuquajturën gjakderdhje financiare, por edhe po e shkakton atë. Duke përzgjedhur operatorët ekonomikë me ofertat ndër më të shtrenjtat për tenderin për zgjerimin e rrugës Nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë, ka shkaktuar dëm buxhetor prej afro tre milionë eurove.

Kontrata iu është besuar një numri të madh të kompanive përfituesve më të mëdhenj të PAN-it, përfshirë këtu ‘kokën’ e tenderëve të asaj kohe, ARBOTEC SH.P.K.

Tender për njërin lot të kësaj rruge nacionale e ka fituar edhe miku i Hysen Durmishit, që posedon kompaninë “Bageri”, raporton Gazeta Insajderi.

Për Lotin 0, Ministria e Infrastrukturës e ka shpërblyer grupin e operatorëve ekonomik Pro & Co Group SH.P.K.; Levantina Ingenieria Y Construccion sl, të cilët kanë ofertuar afro 6,5 milionë euro. Ministria e Liburn Aliut ka neglizhuar në këtë rast ofertuesin më të lirë prej 5,828,275 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit për 656,579 euro.

Ndërkaq, Loti 1 iu është besuar Grupit të Operatorëve Ekonomik 2A Group, SHPK; Vega SH.P.K, të cilët ofertuan 8,447,447 euro. Duke neglizhuar ofertën më të lirë prej 7,917,644 eurosh nga Grupi i Operatorëve Ekonomik Arbotec SH.P.K; GEO Construction Sh.P.K, Mineral L.L.C, BM GROUP SH.P.K, Qeveria Kurti çoi dëm 529,803 euro.

Për mikun e zëvendësministrit Hysen Durmishi, i cili posedon kompaninë BAGERI SH.P.K, është “rezervuar” tenderi për Lotin 2. Për të, qeveria i ka dhënë 8,644,259 euro, duke paguar afro një milion euro më shtrenjtë sesa ofertuesin më të lirë ekonomik.

Ministria e Infrastrukturës shpërblen me 8.6 milionë euro tender mikun e Hysen Durmishit

Ministria e Aliut, siç raportoi Insajderi javën që shkoi e ka shpërblyer kompaninë “Bujar Shabani B.I. dhe “Bageri” ani pse pronari i saj tashmë po përballet me një proces gjyqësor, nën akuzën që ka falsifikuar dokumente dhe ka bërë deklarim të rremë nën betim për një tender në komunën e Lipjanit.

Bëhet fjalë për kontratën: Ndërtimi i rrugëve në lagjet Sllovi, Gadime, Smallushë, Gumnasellë, Llugaxhi dhe Babush, i cili kap vlerën e 734 mijë eurove.

Sipas të gjeturave të AVONET, kompania Bageri në këtë prokurim publik ka aplikuar me dokumente të falsifikuara. Prokuroria vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë kundër biznesmenit Bujar Berisha për mashtrime në tenderët publikë.

Qeveria Lotin 3 të rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë ia ka besuar Arbotec SHPK, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderëve në kohën e qeverisë së PAN-it. Arbotec SHPK me një grup operatorësh ekonomik e kanë fituar tenderin prej 9,254,811 eurosh. Me këtë, Ministria e Infrastrukturës ka neglizhuar ofertuesin më të lirë të operatorëve ekonomik në vlerë prej 8,550,387 euro, duke e paguar kompaninë përfituese në kohën e PAN-it 704 mijë euro më shtrenjtë.

Rreth 152,846 euro vlerësohen dëme buxhetore me përzgjedhjen e një nga ofertuesve më të shtrenjtë prej operatorëve konkurrentë ekonomik nga ana e Ministrisë së Aliut për Lotin 5. Tenderuesi i suksesshëm i këtij loti është grupi i operatorëve ekonomik është BENI – COM SH.P.K; SABA BELCA Dega në Kosovë; SHERIF SH.P.K.

Përmes përzgjedhjes së ofertuesve më të shtrenjtë për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Besi – Podujevë, Qeveria Kurti që zotohej të ndalte “gjakderdhjen financiare”, ka dëmtuar buxhetin për 2,882,304 euro. /Insajderi.org/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark