×
  • Lajme
  • Insajderi

    Pas aktakuzës, avokati i “Currit” flet për Insajderin: Prokuroria nuk ka prova

    Insajderi
    20 November 2021 - 20:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Alban Arifi, avokati i Ismet Osmanit, i njohur si “Curri”, ka thënë se Prokuroria nuk ka prova kundër klientit të tij.

    “Pranimi i njoftimit nga ana e mediave lidhur me ngritjen e aktakuzës ndaj klientit tim është fillimisht i padrejtë dhe le të nën kuptojë se kjo aktakuzë është ngrit për shkak të opinionit dhe mburrjes së Prokurorisë si hartues i kësaj aktakuze duke pas parasysh se ne si mbrojtje ende nuk jemi pajisur me shkresat e lëndës dhe me aktin akuzues”, ka thënë Arifi për Gazetën Insajderi.

    Ai thotë se aktakuza është ngritur pas asnjë provë.

    “Konsiderojmë se aktakuza e dorëzuar nga ana e Prokurorisë në Gjykatë është ngritur pa asnjë provë të vetme që e implikojnë të mbrojturin tim lidhur me dyshimet e ngritura nga ana e Prokurorisë”.

    Arifi i ka thënë Gazetës Insajderi se Prokuroria këtë rast e ka nisur me media dhe po e përfundon me to.

    “Prokuroria këtë rast e ka filluar me media dhe po e përfundon me media me qëllimin e vetëm që t’i mbulon të metat e veta në fazën e hetimeve ku dihet se hetuesit të cilët i kanë zhvilluar hetimet në bashkëpunim me prokurorin janë arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pranim të ryshfetit”.

    Avokati i “Currit” vijon të thotë se hetimet janë kryer nga hetues të korruptuar.

    “Prandaj kur kemi parasysh se këto hetime janë udhëhequr nga hetues të korruptuar vijmë në përfundim se kjo aktakuzë ka prapavijë të dyshimtë e cila do të dëshmohet gjatë shqyrtimit gjyqësor pafajësia e klientit tim, për arsye se sa i përket klientit tim ne raport me palën e dëmtuar nuk njihet dhe se me të njëjtin asnjëherë nuk ka pasur ndonjë marrëveshje kontraktuale, nuk e ka kërcënuar, nuk ka pranuar dhe dorëzuar të holla palës së dëmtuar”, tha Arifi për Gazetën Insajderi. 

    “Prandaj jemi te bindur se gjatë këtij procesi gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim”.

    Avokati që mbron “Currin” ka folur edhe për kërkesën e Prokurorit për sekuestrimin e pasurisë së jashtëligjshme.

    “Sa i përket kërkesës së Prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme kjo është procedurë e cila do të zhvillohet në Gjykatë dhe Prokuroria nuk mund të vendos për sekuestrimin e pasurisë së askujt”.

    Ndryshe, Prokurorisa Themelore të Prishtinës, ka ngritur aktakuzë kundër Ismet Osmanit, i njohur si “Curri”.

    Aktakuzë është ngritur edhe kundër Ilir Bojkut, Adil Thaqit,  Mentor Maqanit dhe  Sami Nikës.

    Që të gjithë këta akuzohen për veprat penale: fajde, mashtrim dhe detyrim./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark