×
  • Sport
  • Sport

    “Shko te Allahu, majmun”, kryetari i FC Ferizajt Abazi incizohet duke e abuzuar lojtarin me ngjyrë

    Insajderi
    10 January 2023 - 11:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i FC Ferizajt, Lulzim Abazi, e ka përbuzur në mënyrë racore futbollistin e vet me ngjyrë Moussa Kamara, duke e quajtur majmun, pasi ai s’e kishte pranuar kërkesën e tij për të qëndruar në klub edhe për disa ditë të tjera pas skadimit të kontratës, për ndeshjen e fundit të klubit në pjesën e parë të këtij sezoni në Superligë.

    Kamara, 23 vjeç, kishte nënshkruar marrëveshje afatshkurtër me Ferizajn, nga 6 tetori 2022 deri më 20 nëntor 2022, dhe vendosi përfundimisht të largohej pas skadimit të saj, para se të abuzohej nga kryetari i klubit për mosvazhdimin e saj.

    Kamara, ish-përfaqësues i Gambisë, i zhvilloi vetëm shtatë ndeshje për Ferizajn dheu largua në mënyrën më të keqe të mundshme kah fundi i nëntorit.

    “Për pesë ditë po më bën problem ti mua, majmun”

    E gjitha filloi me këmbënguljen dhe përpjekjet dëshpëruese të presidentit të Ferizajt Abazi për ta pasur patjetër Kamaran për ndeshjen kundër Dukagjinit, një duel i drejtpërdrejt për mbijetesë, më 26 nëntor, e fundit për pjesën e parë të sezonit 2022/23, dhe ngurrimin e lojtarit për të luajtur pa kontratë.

    Kamara ishte pa kontratë nga 20 nëntori dhe donte të largohej më 21 nëntor, ditën e bisedës së incizuar, pavarësisht se Abazi ia ofroi edhe 200 euro shtesë për të qëndruar për pesë ditë të tjera dhe për të luajtur kundër Dukagjinit.

    Ne i ndërpresim të gjitha bisedat, sepse ti nuk dëshiron të bëhesh djalë i mirë.Unë luaj edhe pa ty, ti do t’i marrësh paratë vetëm për 14 ditë tani – nga 6 deri më 21 – edhe ec të shpija. Banesën duhet ta lirosh nesër, në banesë nuk do të rrish më”, dëgjohet Abazi në incizim duke i thënë Kamaras në shqip. Fjalët e tij përktheheshin në anglisht nga drejtori i klubit Betim Isufi.

    Abazi pastaj e kërcënoi futbollistin e lindur në Paris se do ta pezullonte në FIFA dhe UEFA.

    Kontrata e Kamaras me Ferizajn ngre edhe disa pikëpyetje, pasi një e tillë aq afatshkurtër nuk lejohet me rregulla të FIFA-s dhe vetë FFK-së.

    Marrëveshja mes lojtarit dhe klubit s’u bë publike asnjëherë, sepse u arrit në tetor pas mbylljes së afatit kalimtar veror dhe Abazi është i vetëdijshëm për këtë.

    Prapsëseprapë, ai e kërcënoi Kamaran: “Do të të suspendoj në FIFA e UEFA unë, që sot nuk dolët në stërvitje”.

    Kamara – dikur pjesëtar i të rinjve dhe pastaj i ekipit të dytë të Toulouse në Francë – ia kthen: “Dhe unë do ta bëj të njëjtën”.

    Kur Kamara i kërkon përkthyesit t’ia bëjë me dije Abazit se ai i di të gjitha dhe se ai ka avokatin e vet, ky i fundit me nervozizëm i bërtet atij: “Mbaroi, mbaroi. Jashtë, jashtë. Thuaji që mund të ecë. Nesër duhet ta lirojë banesën.”

    Kamara do të largohej me kënaqësi, por po priste pagën e premtuar me kontratë: “Nuk ka problem, unë ec nëse i marr paratë e mia.”

    Abazi – i cili u emërua president i Ferizajt më 2021, pastaj tha: “Nuk ka para”.

    Kamara: “Natyrisht që ka para. Allahu është i madh.”

    Abazi: “Ani shko me Allahun.”

    Biseda filloi të përshkallëzohej dhe kaloi në racizëm kah fundi kur më sa duket Abazit iu sos durimi dhe e kuptoi se Kamara nuk do të qëndronte. Ai e humbi toruan dhe filloi ta cilësojë Kamaran si djalë të keq, mysliman të keq dhe mashtrues, para se ta quante majmun.

    Ti nuk je njeri i mirë. Ti je djalë i keq, mashtrues je. Ti nuk je mysliman. Ec, hajde. Hajde në p*dh të nanës. Nesër banesën me lëshu. Nuk të lejoj më në banesë. Shko në Francë lypi paratë prej Francës. As biletën e aeroplanit nuk ia paguaj

    Pesë ditë ti problem mua a? Në p*dh të nanës, hajde ec. Në p*dh të nanës shko, majmun”.

    Kamara e dinte paraprakisht kuptimin e fjalës majmun dhe i reagoi menjëherë Abazit, siç dëgjohet në incizim, duke e konfrontuar: “Majmun a? Monkey a?”

    Presidenti i Ferizajt Abazi nuk ka qenë i qasshëm në kërkesën e Nacionales për koment rreth kësaj çështjeje.

    Largimi me gjysmë page borxh dhe pasi pagoi për ushqimin që s’e hëngri

    Megjithëse në incizim dëgjohet duke thënë se nuk do t’ia paguante as biletën e aeroplanit për në Paris, Abazi ai pagoi biletën e largimit, e pranoi Kamara për Nacionalen.

    Por francezi e akuzon klubin se i hoqi para nga rroga e dytë e premtuar në marrëveshje për shujta ushqimore që nuk i kishte ngrënë kurrë në një restorant në Ferizaj dhe për ta cilat thotë se ishte pajtuar t’i paguante përgjysmë me klubin.

    “Ata filluan të bënin llogaritje në përpjekje për të më dhënë sa më pak para që është e mundur. Unë kisha marrëveshje nga 6 tetori deri më 20 nëntor dhe do të paguhesha 3.200 euro. Kur vendosa të vija, menaxheri më tha se do të paguhesha dy herë nga 1.600 euro. Por në fund ata ma llogaritën ushqimin që e hëngra dhe ata, duke e njohur pronarin e restorantit, shtuan ditë që unë nuk kisha ngrënë atje”, theksoi Kamara për Nacionale.

    Ai shtoi: “Po ashtu, m’i llogaritën ditët që qëndrova për të më paguar, duke më thënë se duhet të qëndrosh 30 ditë për ta marrë një pagë të plotë. Në fund unë e mora vetëm një pagë e gjysmë. Mbase pakëz më shumë se një e gjysmë.”

    Kamara thotë se Abazi ishte njeriu i vetëm me të cilin kishte telashe gjatë qëndrimit pothuajse dymujor në Ferizaj dhe se asgjë nuk ishte siç ishte premtuar në kontratën afatshkurtër.

    I pyetur se si u ndje kur e dëgjoi fjalën majmun, të cilën e kuptoi menjëherë siç u mor vesh edhe nga incizimi, Kamara tha: “Kur luaj nuk jam majmun, por tani që nuk pajtohem me ty jam majmun. Nuk është e drejtë. Si mund ta trajtosh një njeri kështu si mut? Ky njeri, për shkak se është i pasur, mendon se është mbi të tjerët. Por të gjithë janë të njëjtë.”

    “Ti mund ta quash dikë majmun sepse mendon se bëri problem për pesë ditë? Pse nga të gjitha fjalët e botës në gjuhën ai e zgjodhi fjalën majmun. Jo, jo, në ndeshje dhe rrugë jo. I vetmi me të cilin kisha telashe gjatë qëndrimit në Kosovë ishte presidenti.”

    “S’kam ardhur nga Franca të fle në kolltuk në Ferizaj”

    Kamara tha për Nacionalen se ishte i pakënaqur me kushtet kur erdhi në Ferizaj, duke e akuzuar klubin se nuk ia plotësoi ato siç i kishte premtuar para se të vinte.

    Ai thotë se i ishte premtuar një banesë për të banuar gjatë qëndrimit në klub, por ishte dërguar në hotel fillimisht e pastaj në një banesë me një bashkëlojtarë, ku i ishte kërkuar të flinte në divanin e dhomës së ndejës.

    U thashë atyre se nëse nuk do ta kem një banesë vetëm nuk do të vij. Ata më thanë se nuk ishte problem. Por ku erdha më futën në hotël. Një ditë, para një ndeshje kundër Prishtines, në orën 9 të mëngjesit presidenti dhe menaxheri i hotelit më thanë se duhej të largohesha nga hoteli sepse ishte mbushur. Më thanë se duhej të shkoja në një banesë për të jetuar me një lojtar tjetër, ku duhej të flija në divan”, theksoi ai për Nacionale.

    Unë i thashë presidentit që nuk kam ardhur nga Franca që të fle në kolltuk”, shtoi ai.

    Në fund, pas shumë këmbënguljeve ai e kishte marrë banesën me një dhomë gjumi ku donte privatësi.

    Presidenti tha që djali i trajnerit po pranon të fle në dhomën e ndejës, pse Kamara mos të pranojë? Por pas disa ditëve që banova të një bashkëlojtar i cili më ftoi, ata gjetën zgjidhjen dhe unë shkova në një banesë me tre veta, ku më në fund e kisha dhomën time të fjetjes, të paktën”, u rrëfye francezi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark