×
Insajderi

U dërguan SMS me reklama pa leje, gjobitet kompania e biznesmenit turk në Kosovë

Insajderi
05 December 2022 - 14:21
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Agjencia për Informim dhe Privatësi, e ka gjobitur kompaninë “Kayalar Telekom”, pasi që është konstatuar se e njëjta ka dërguar mesazhe me reklama pas pasur lejen paraprake të biznesit në Kosovë.

Sipas vendimit që është marrë nga Agjencia për Privatësi, kompanisë “Kayalar Telekom”, i është shqiptuar gjoba prej 4 mijë eurove, shkruan Gazeta Insajderi.

“ Shqiptohet gjobë kundërvajtëse ndaj Kompanisë ”Kayalar Telekom” Sh.P.K, me adresë në Rr…, në shumë prej €4,000.00 (katërmijë euro), për përpunimin e kundërligjshëm të të dhënave personale”, thuhet në pikë e parë të vendimit.

Përvec kësaj, agjencia urdhëron kompaninë turke që të ndaloj përpunimin e të dhënave personale, të grumbulluara pa pëlqimin e subjektit të të dhënave, me qëllim të realizimit të marketingut të drejtpërdrejtë.

“Urdhërohet Kompania ”Kayalar Telekom” Sh.P.K, të shkatërroj të dhënat personale, të grumbulluara pa pëlqimin e subjektit të të dhënave, me qëllim të realizimit të marketingut të drejtpërdrejtë”, thuhet në vendimin e AIP-së që i jep 30 ditë kohë për pagesën e dënimit.

Sipas arsyetimit të AIP, ky vendim ka ardhur pas ankesës së dyqanit “Next”, i cili kishte shprehur shqetesim në lidhje me mesazhet me qëllim marketingu të drejtëpërdrejtë pa pëlqimin paraprak të tij.

“Dyqani Next aplikon marketingun e drejtëpërdrejtë për klientët të cilët kanë dhënë pëlqimin, I cili merret në momentin kur klientet bëjnë pagesë tek arka dhe futen në sistemin e tyre. Gjithashtu në rastet kur kanë zbritje, 2 herë në vit paguajnë kompaninë “Kayalar telekom” për dërgimin e  100 mijë mesazheve, me të cilën nuk kanë kontratë të nënshkruar, por që kompania “Kayalar Telekom” ofron si shërbim, e që supozojnë se se kjo kompani e kanë pëlqeimin e subjekteve të të dhënave për realizimin e marketingut të drejtëpërdrejtë meqenëse kjo kompani është e thirrur për ofrimin e këtyre shërbimeve”, thuhet në arsyetimin e Agjencisë.

Kjo agjenci ka kontaktuar edhe me zyrtarë të kompanisë ”Kayalar Telekom”. Në përgjigjen e tyre rreth rastit ata e pranojnë se kanë dërguar këta sms por thonë se ka ndodhur një gabim teknik.

Për më tepër ata kanë sqaruar mënyrën se si dërgohen sms që kanë për qëllim marketingun e drejtpërdrejtë.

Thonë se e kanë opsionin që u dërgohet klientëve nëse duan të pranojnë sms apo jo, dhe në rastet kur ata përgjigjen se nuk duan t`u dërgohen sms, sistemi e bllokon automatikisht numrin e tyre.

“Kompania jonë “Kayalar Telekom” Sh.p.k ofron shërbime të dërgimit të SMS. Kompania jonë ka deklaruar përgjegjësitë e saj ligjore ndaj klientëve të saj që duan të dërgojnë sms me kontratën që ajo ka përgatitur, madje këto rregulla janë të postuara në faqen zyrtare të kompanisë sonë. Ndalohet dërgimi i sms në çdo numër pa pëlqimin e klientit”.

“Në fakt në fund të tekstit që u dërgohet abonentëve me pëlqim është shtuar një link. Abonenti që klikon në këtë link i jepet edhe opsioni Dua sms” dhe “Nuk dua sms”. Kur abonenti klikon në “nuk dua sms”, në atë numër nuk dërgohet edhe një herë sms. Sistemi e bllokon automatikisht, kompania jonë i jep përparësi kënaqësisë së klientit. Edhe pse jemi shumë të kujdesshëm, ndonjëherë ndodhin gjëra që nuk i duam. Numri i klientit i përmendur në e-malin tuaj është ngatërruar me numrin e klientit me emrin “CC”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të “Kayalar Telekom”.

Lidhur me këtë që kompania e quan gabim teknik, në sqarimet dërguar Agjencisë thuhet se i kanë paralajmëruar punonësit e tyre për dërgimin e sms që ata thonë se dërguan gabimisht. Për më tepër thonë se janë të gatshëm të kërkojnë edhe falje.

“Na vjen shumë keq për këtë gabim teknik, punonjësit tanë janë paralajmëruar për këtë çështje. Ne jemi të gatshëm t’i kërkojmë falje pronarit të numrit të përmendur për këtë gabim Teknik”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

“Kompania jonë nuk dërgon sms abonentëve që nuk kanë pëlqimin e tyre, dhe ndjeshmërinë e kësaj çështje e përcjell tek klientët që përdorin sistemin tonë. Shitësit tanë shpjegojnë se sa të ndjeshme janë ligjet ndaj klientëve tanë, të cilët përdorin sistemin tonë të para-shitjes, me fjalë të vërteta të shkruara. Si rrjedhim ju kërkojmë ndjesë për pasaktësinë teknike aktuale edhe premtojmë se nuk do të përsëritet më”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të “Kayalar Telekom”.

Pas inspektimit të Agjencisë në të dyja bizneset dhe sqarimit të të gjitha rrethanave që lidhen me ankesën ka dal në përfundim se ”Kayalar Telekom” ka shkelur ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Si rrjedhoj e kësaj, AIP shqiptoi gjobën prej 4 mijë eurove dhe urdhëroi ”Kayalar Telekom”, për shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark