×
  • Lajme
  • Insajderi

    Aksioni në zonën e Brezovicës, Rasim Maloku: Operacioni ka në fokus vërtetimin e fakteve

    Insajderi
    09 August 2022 - 12:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rasim Maloku, prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, në rastin e njohur si Brezovica, ka thënë se operacioni i sotëm ka në fokus “vërtetimin e fakteve”.

    Ai ka treguar për Gazetën Insajderi se aksioni që janë duke e zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës nuk e ka për qëllim ndalimin e personave, por inspektimin e zonës së Brezovicës.

    “Qëllimi i këtij inspektimi është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin”.

    Aksioni i sotëm është vazhdimësi i veprimeve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica”.

    Shiko edhe:

    Rasti “Brezovica” ndër muaj

    Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021, në muajin janar, dhe marsa të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”.

    Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

    Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurse, në aksionin e muajit janar janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

    Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.

    Aksioni “Brezovica” ka vazhduar edhe gjatë marsit. Policia atë kohë ka arrestuar dy persona dhe ka bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, përfshirë edhe objektin e Komunës së strukturave paralele të Serbisë aty.

    Në këtë aksion ishte arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica” dhe një doganier, si të dyshuar për veprën penale “marrja e ryshfetit”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

    Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

    Lexo shkrimet e Gazetës Insajderi rreth personave të përfshirë në rastin “Brevovica”:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark