×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    E akuzon Kryeprokurorin – Rrëfimi ekskluziv i Dukagjin Gërvallës

    Insajderi
    14 June 2022 - 12:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dukagjin Gërvalla një kosovar që jeton në Zvicër ka vite që ka tentuar të bëjë biznes në Kosovë. Në udhë për këtë qëllim thotë që i doli një grup njerëzish që i akuzon për mashtrim. E akuzon edhe vet Kryeprokurorin e Gjilanit, Arben Kadriun.

    Visar Duriqi/Donjeta Islami

    Historia e tij me tendencën për të investuar në Kosovë nis diku në fund-vit 2004 dhe fillim-vit 2005, kur thotë se u takua me disa njerëz që iu besonte në atë kohë. Donte që të blinte toka në privatizim, për të vazhduar me biznesin e ndërtimit që veçse kishte një përvojë në Zvicër.

    Grupi do të bëhej. Edhe marrëveshjet. Ai do të investonte qindra-mijëra euro për pronat që as pas më shumë se një dekade e gjysmë nuk mund ti gëzojë. Madje nuk mund ti gëzojnë as ata që ai i akuzon që e mashtruan. Janë toka që vazhdojnë të mbesin shkret derisa gjykata si rëndom në Kosovë vazhdon të zvarris proceset e pronave deri në pafundësi.

    Dukagjin Gërvalla – Biznesmen

    “Jam taku me disa shokë që më ka taku faktikisht në Zvicër, në Gjenevë, që më kanë bërë disa propozime për privatizimin ka qenë 2005 më duket, edhe kemi rënë dakord që me investu dikun deri në 600 mijë euro kam investu për patundshmëri për toka dhe kam rënë dakord me ta, gjë që u realizua por nuk që nuk u realizu për mua deri sot. Unë kam ngecur me një fjal në Komunën e Vitisë, në Ramjan e Kllokot kemi intervistuar si bashkë aksionar me investitorin konkret që kemi qenë 4 fillimisht, për 300 e 15 hektarë tokë ku ka qenë diku çmimi ka 340 mijë euro më duket përafërsisht ndërsa në Kllokot kemi investu për 450 mijë përafërsisht euro, diku i kemi marr 23 hektarë tokë”, shprehet Gërvalla.

    Ky biznesmen ka rrëfyer për planet që i kishte për të investuar në ato prona që thotë që pjesa më e madhe u blenë me paratë e tij. E kishte edhe një projekt me Legjendën e Futbollit, Fadil Vokrri, për një qendër rehabilitimi sportistësh për të përmbushur krejt nevojat e regjionit. Idenë po e diskutonin bashkë, pos me Vokrrin edhe me FIFA-në.

    Historia e tij, që ai priste të ishte një sukses, e doli afro 17 vite zhagitje nëpër gjykata, nisi me pak persona. Pashmangshëm në mesin e tyre e përmend Arben Kadriun, aktualisht Kryeprokuror i Gjilanit.

    “Faktikisht fillimisht kemi qenë katër, Dukagjin Gërvalla, Mehdi Zymberi, Fahredin Muja dhe Sherafedin Kastrati. Por tokën kur e kanë fitu se ka qenë në ankand kush e fiton në Kllokot e ka fitu Mehdi Zymberi ndërsa tokën në Ramjan me akordimin e neve tjerëve megjithëse Mehdi Zymberi kishte marrë tokë shokë tha nuk kam mundësi unë me qit hala në emër tem, po ja jepi njëfarë zotëria që e ka emrin Arben Kadriu”, tha ai.

    Mashtrim e ndikim në gjyqësor – akuzat që Dukagjin Gërvalla i bën kundër Kryeprokurorit

    “Në 2005-ën, atë herë ai u hy në ankand dhe e ka marrë tokën për 340 mijë euro në emër të tij, unë kur i kam sulmu në gjykatë në Kllokot e kam sulmu Mehdi Zymberin me 23 hektarë tokë, i kam paditë .  Arben Kadriu për 315 hektarë tokë që i ka pasur në emër të vet, ia kam kërku pjesën time përafërsisht diku 42%. Aq sa kam pagu, unë në Ramjan i kam pagu atëherë 150 mijë euro në Kllokot 150 mijë euro dmth me % 33 per qind Kllokot 42.42% në Ramjan”, rrëfen ai.

    Dukagjin Gërvalla, në kohën kur iu prezantua Arben Kadriu do ta trajtonte veç si një i njohur i disa të njohurve të tij. Nuk do ta kuptonte atëherë që karriera e tij brenda sistemit të drejtësisë do ta sillte në pozitën e njeriut më të rëndësishëm të organit të akuzës për krejt regjionin e Gjilanit. Pa marrë parasysh fuqinë e ndikimin e njerëzve me të cilët do të përballej, ai nisi një proces gjyqësor.

    “U ndamë në 2008-2009, ti e ke pjesën tënde ai të vetën edhe ato mbetën vetëm fjalë. Nuk u realizuan asnjëherë, u dashtë me u fut në procedurë, në gjykata dhe sot e asaj ditë nuk u rregullu, ndërsa projektet e mija, paralele kam këqyr unë me i bë vetëm, si e pashë që me ta kur ish në pyetje vetëm për punë të vogla nuk mujtum me gjetë ujdi e pamë që kanë mashtrime dhe nuk kanë seriozitet dhe kom vendos përmes gjykate unë i kam bë ato paditë e para që të ndahem. Kam besu në gjykatë dhe për mua ajo punë u kanë normale, që po e kërkojë pjesën time, i kam pasur avokatët e mijë  për mua ka qenë shumë e thjeshtë por faktikisht dul shumë e komplikuar deri sot po e përsëriti nuk kemi mujt me rregullu asnjë gjë sa i përket Kllokotit e Ramijanit”, deklaroi ai.

    Pjesa më e madhe e pronave për të cilat Dukagjin Gërvalla ka pretendime e hedh akuza edhe drejt Arben Kadriut, aktualisht Kryeprokuror i Gjilanit, gjenden në fshatin Ramjan.

    Për nevoja të procesit gjyqësor, ai ka përgatitur edhe këto dokumente, me pronat që pretendon se duhet të i takonin atij, që të ishin me tapi në emër të tij.

    Pjesa tjetër e pronave që janë të kontestuar gjendet në Kllokot. Jo fortë larg burimit të ujit mineral, që po ashtu ka biznese të rehabilitimit fizik të pacientëve dhe njerëzve në nevojë për këto shërbime.

    Edhe për këtë tokë, tek pjesa që pretendon se duhet të i takojë atij, Gërvalla për nevoja të procesit gjyqësor ka përgatitur dokumente, skica e fotografi.

    Për këto prona, e për paratë që thotë që i pagoi për to, por pronat kurrë nuk kaluan në kontroll të tij, Dukagjin Gërvalla tash e drejton gishtin kah njëri ndër njerëzit më të fuqishëm në regjionin e Gjilanit. Hiç më pak se sa Kryeprokurori Arben Kadriu.

    “Së pari unë e kam bë padinë ndaj tij dhe ai (Arben Kadriu) nuk ka ardhur asnjëherë në seancë njëherë ka ardhë dhe ka qenë shumë agresiv në seancë dhe ka thënë mua mos më thirrni këtu, në njëfarë mënyrë që aspak se kam quajt normale për një prokuror se atë kohë ka qenë prokuror se ska qenë kryeprokuror atë kohë”.

    “…më kujtohet më është kthyer prapa, se ne që e kemi bë padinë kemi qenë mbrapa dhe më tha mos më thirrni mua për me thënë, unë nuk kam për çka vi zgjidhni ju punët. Thashë qysh ti prokuror je, na kemi nevojë ti me na ndihmu, emër tëndë është toka ti duhesh me i thirrë krejt në  zyre dhe jo më më thënë mua mos më thirrni mua. Edhe ato seancat e kam pa që nuk janë aspak normale, kanë qenë me stres gjyqtarët i vetmi kam qenë unë që skam qenë i stresum se unë me të vërtetë nuk e di qysh funksionin këtu Kosova. Kur kam shku në gjykatë kam thënë vend më të sigurt nuk ka pse mu frikësu prej kujt, ky është gjykatës, ky avokat, ky prokuror jam duke e lyp tokën tem sjam ka e lypi me marrë, parat i kam dhënë por me të vërtetë ka qenë tension, shumë jo normale seancat që i kemi zhvillu”.

    Në rrëfimin e tij të gjatë për InDoks, Gërvalla ka treguar se sipas tij si ka hyrë në këtë histori ai vet, e si është përfshire edhe Arben Kadriu, që më vonë do të ngjitej hapave të karrierës në sistemin prokurorial, deri në pozitën e Kryeprokurorit të Gjilanit.

    “Fjala është për këto dy parcela unë jam i zvarritur prej 2005-ës e kemi blloku se kjo tokë ka qenë e shtetit i kemi blloku 315 hektarë pa asnjë zhvillim janë mbete therra edhe në Kllokot janë 23 hektarë tokë, toka më e mira aty ku është burimi i ujit tek fabrika, te nëna Naile që është krejt qajo pjesë deri pas Banjës së Kllokotit është komplet e bllokume e pa zhvillume duke prit procedurat prej 2005-ës, e kemi zaptu tokën e shtetit pa ndërtu asgjë, shteti i ka shit me i zhvillu sepse ska pasur mundësi vet dhe ka kërku ndihmë nga jashtë nga njerëz që kanë mundësi financiare, fillimisht unë i tregova që i kam mundësitë por pastaj e pashë që këta janë mashtrues dhe e kanë qëllimin me përfitu dhe normal që thash Stop, do të ndahem dhe e kërkova pasurinë timë. Për ato para që i kam unë, me u nda me ta”.

    “Marrëveshjet i kemi me shkrim, kemi bë deklarata por na si shqiptarë që jemi kemi qenë paritot edhe me gojë i kemi bë sepse këta shoktë që i kam njoftë unë se si kam njohur kurrë unë Arben Kadriu janë prej Gjenevës, prej Gjeneve mu kanë përgatitur mua e deri këtu, e njohim Mehdi Zymberin është arkitekt por mua ka qenë njeri me perspektiv, por realiteti dul diçka tjetër”

    Për këto akuza të Gërvallës, InDoks e ka pyetur edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që drejtohet nga Jetish Maloku. Maloku ka qenë Kryeprokuror në Gjilan, pozitë në të cilën pas Malokut u zgjodh Arben Kadriu.

    Dukagjin Gërvalla në rrëfimin e tij ekskluziv për InDoks, e përmend edhe Jetish Malokun, gjë për të cilën e ka njoftuar InDoks para transmetimit, por i njëjti nuk ka komentuar.

    KPK-ja në përgjigjen për InDoks thotë se si institucion nuk ka pranuar asnjë shkresë apo dokument, i cili ka të bëjë konkretisht me rastin përkatës. “KPK-ja, si institucion, nuk ka mundësi të veprojë dhe të hetojë rastin, siç thoni ju, kur nuk ka në dispozicion asnjë të dhënë, për çka edhe nuk është kompetente në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre për InDoks.

    InDoks e ka pyetur edhe ushtruesin aktual të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Ai ka thënë që nuk ka dijeni për këtë rast, dhe se përgjigje të kërkohet në KPK, që drejtohet nga Jetish Maloku.

    InDoks e ka kontaktuar Arben Kadriun për krejt akuzat që kundër tij dhe të tjerëve i bën Dukagjin Gërvalla. Ai nuk është pajtuar që të japë një intervistë para kamerës.

    Por, ka premtuar që të japë një përgjigje me shkrim, e gjeni nga minuta 16:20.

    Arben Kadriu ka deklaruar që ka në pronësi dy lokale që iu ka vënë vlerën afro 200 mijë euro. Ka në pronësi, me kontratë për ndërtim edhe katër banesa që i thotë se vlejnë mbi 300 mijë euro. 7 garazha që bashkë vlejnë 35 mijë euro, dhe mbi 21 mijë euro para në bankë.

    Pos pagës së Kryeprokurorit, në muaj ka të hyra edhe nga katër banesa e një lokal që i ka lëshuar me qira.

    Ai është ende pronar në kompaninë e regjistruar si Ndërmarrja e Re “Agronorava Ramjan”, bash prona në Ramjan që për të cilën Dukagjin Gërvalla po e përmend. “Kjo kompani është jo aktive, nuk ka qarkullim është e pamundur të shuhet, meqë është  regjistruar nga AKM ne vitin 2005. Aset i vetëm i kësaj kompanie është toka bujqësore, e cila në tërësi prej 315 hektar. Në disa parcela evidentohet ne emrin tim, e qe ne baze te ujdise gjyqësore të dt. 23.05.2016, ne Gjykatën Themelore ne Gjilan – dega Viti, është bërë ndarja e tokës, ashtu qe mua me takojnë 68778 metra katror”, shkruan në dokumentin e deklarimit të pasurisë së Kryeprokurorit Kadriu.

    Gërvalla në këtë intervistë ekskluzive për InDoks ka treguar edhe një moment në të cilin e përfshin edhe Jetish Malokun. E përshkruan si personi që e mbrojti Arben Kadriun, atë kohë veç Prokuror, dhe thotë se Maloku nuk e lejoi as që të hapte rast kundër tij.

    Dukagjin Gërvalla

    “Avokatët më sugjeruan, shiko këtu është duke u bë mashtrim i madh me pajtim gjyqësor nuk donë me ta dhënë tokën ti duhesh me bo një padi penale, ndaj Mehdi Zymberit dhe Arben Kadriut, prokurorit dhe i kam marrë dy partnerët e mijë që janë kanë Sharefedin Kastrati dhe Fahredin Muja dhe Xhavit Islami i Vitiës është 4, dhe jemi shku qeshtu drejt në Polici në Gjilan, ka qenë një komisieri për cka jeni ardhë, duke fol me të më së miri duke ia shpjegu punën veç kur tha zotëri, ne e kemi një problem të vogël, këtë punë nuk mundemi me ju dhënë zgjidhje. Për mua ishte jo normale ne ishim shku në polici me bë padi. Tha është duke ju kërku kryeprokurori është njëfarë… Jetish Maloku është ka ju thërret në zyre, unë i thashë ne jemi ardhë me bë padi, dhe pastaj shkojmë jo tha duhet aje me shku me bë një sqarim dhe thashë okej më mirë kryeprokurori edhe më mirë, u gëzova thashë qenka bë e madhe e punë eih zot dikush po dojka me dal me na mbrojte se ne të drejtën tonë po e lypim”.

    Gërvalla në ato momente, siç rrëfen për InDoks kishte besuar që Jetish Maloku, si Kryeprokuror do ta priste. Do ti bënte qare, për telashet që ai besonte atëherë, dhe vazhdon të thotë edhe sot, që po ia shkaktonte Arben Kadriu. Ajo se çka do ti ndodhte në takim me Malokun, do të ishte edhe një histori zhgënjimi me sistemin e drejtësisë kosovare.

    “Edhe prej Policisë… edhe drejt tek ai jemi hy të gjithë ishte një zyre e madhe si këtu dhe u prezantuam, tha për çka jeni ardhë  tha, thashë qeshtu qeshtu kemi shku me bë padi atje tha po kjo padi, a jeni civile, unë bazë cka më treguan policia e ju, spo hi në detaje unë nuk shoh që ka vend këtu për një padi penale, ju kisha lutë jeni civile dhe rrini civile thashë qysh nuk ka vend këtu, mua mi kanë marrë 600 mijë euro, Mehdi Zymberi dhe nuk është ka mi jep dhe këto lekët po i bjen që mi kanë vjedh e më kanë mashtru, tha të lutna Gërvallë mos e quaj në zyrën tem, Mehdi Zymberin hajn, e qysh me quajt thashë atë që mi ka bollku parat e mija që 15 vjet dhe nuk mi jep”.

    “Tha nuk ki të drejt në asnjë mënyrë nuk të lejojë përndryshe tha kështu më kërcënoni tha unë bëjë padi ndaj teje. Thashë unë jom ardhë këtu me lyp ndihmë, e ju po doni edhe më më denu pse po ë kërkojë tokën timë kur njerëzit më kanë mashtru, këta janë mashtrues dhe dmth na qiti prej zyrës sikur sot më kujtohet qaq më ka ardhë rëndë, e kisha këtë çantë ku i mbajë dokumentet edhe dulëm, deshta me fol me të se tha ecni se nuk kam kohë, për mua këtu nuk ka vend për vepër penale, vazhdoni me civile edhe ata u qun se të Gjilanit e njohshim, mua nuk më bëri përshtypje ajo punë, civile ai nuk më kallxon mua cka me bë, unë kam të drejt bazohem në ligjin evropian, kam drejt me bë padi edhe ndaj kryeprokurorit e prokurorit e tanëve. Duke i marrë qeto letra vec kur u qel dera dhe u fut Arben Kadriu, u hap dera si më ka pa mua, deshta mi fol, e mbylli derën dhe iku dhe s’më la as ky me fol u bë nervoz e mora qantën edhe dola”.

    Gërvalla rrëfimin e tij e vazhdon duke akuzuar direkt Arben Kadriun, tash Kryeprokuror i Gjilanit, për ndikim. Dyshon që edhe gjyqtarët po frikësohen nga ai që të i japin një epilog rastit të tij.

    Gjykatësit e Policia edhe krejt janë tutë me më mbrojte, janë tutë prej situatës se ka qenë shumë e acarume edhe kjo funksionojë deri më sot, dhe kom vendos që 17 vjet e kom mshel gojën, nuk mundem më që jam lodh, jam ka lypi drejtësi edhe njerëzit që nuk janë në vend të duhur me i largu. Unë nuk kam kurrfarë force, unë kam drejt me i denoncu gjërat që ndodhi në Kosovë. Në rrugë me pa diçka thërras në  telefon, nuk mundem unë mos me fol e lë më këtu që është në pyetje parja jeme, puna jeme, 30 vjet me mu hëngër mu nëpër avokatë e gjykatë nuk është në rregull”.

    Dukagjin Gërvalla është familjar i afërt i Krye-diplomates Donika Gërvalla. Ai thotë se ajo mund ti mësoj telashet që ai ka me sistemin e drejtësisë në vend përmes InDoks, pasi që nuk ia ka treguar asaj këtë hall. Nuk i ka kërkuar ndihmë. Madje nuk i ka kërkuar ndihmë asnjë politikani deri tash.

    Gërvalla tregon për InDoks, që saga e tij me këtë grup personash, përfshirë këtu edhe Kryeprokurorin e Gjilanit, Arben Kadriu është aq e gjatë. Nuk i mjafton një emision. Kjo pasi që janë së paku 60 seanca. Shumë vite. Shumë para të shpenzuara. Por thotë se do të tentoi që ta përmbledh me pak fjali krejt këtë sfidë për ta marrë tokën që thotë se e ka paguar.

    “Unë po them që këtu prej fillimi ka pasur një mashtrim dhe asgjë tjetër kanë mëndu që unë lodhem, e lëshojë dhe përfitojnë por vërtetë unë kam bë lëshime për me i bë qeto dy deklarata që i kam bë tek noteri mua mi kanë marrë diku 10%, kushti me i dhënë 10% tokë jo parë, tokë pra nëse i kam 140 hektarë tokë me mi marrë dikun 10% sa i bije, për mua fatkeqësisht për mua se jo për ata, për me i nënshkru këto dy kontrata mua mi kanë marrë diku 40 hektarë tokë, 38 mi ka marrë Mehdi Zymberi edhe 8 ka thënë me ai dhënë kryeprokurorit Arben Kadriu se edhe ai ka participu e ka qit emrin e vet, e ka dëmtu unë duhet me ia dhënë atij, edhe e kam pranu me zorr nuk më kanë shti unë për me zhblloku e pranova me ua dhënë ato 40 hektarë tokë”.

    “Sot jemi 2022, 7 vjet pas këtij rasti unë jam do të thotë pa i zgjedhur problemet e kundërta duhet prapë me hy në procedura me gjykatë me gjetë zgjidhje me ardhë deri tek mirëkuptimi me marrë pjesën time që më takon, spo du asgjë tjetër veç atë që më takon”.

    InDoks Gërvalla ka folur edhe për veprime jashtë gjyqit, për njerëz që i kanë dërguar, e për fjalë që ka dëgjuar rreth tij.

    “Po sigurisht krejt qojnë njerëz, e kom qu jemi mundu në çdo mënyrë, por nuk ka këtu ka mashtrim. Qëllimi i kësaj pune është me të tutë ose me të thanë nuk ka rrugë tjetër, unë jam këtu, unë vendosi qysh na tha edhe kryeprokurori atëherë, që këtu nuk ka vend për vepër penale vazhdoni me civilin dhe mos më merrni kohë, dhe nuk na la me shku me vazhdu padinë në polici. Dhe kush nuk ka guxu, ju kam thënë disa herë partnerëve të mijë qaq janë frikësu unë sot nuk e kuptojë pse janë frikësu, na kemi dhënë lekë, po e lypim tokën tonë prej kujt me u frikësu”, ka deklaruar ai.

    Edhe pse i ka kaluar mbi një dekadë e gjysmë duke pritur për të marrë në pronësi, tokën për të cilën thotë se veçse i ka paguar paratë. Edhe pse për vite të tëra zvarriten seancat gjyqësore e nuk i jepet rastit vendim final, Dukagjin Gërvalla megjithatë këmbëngul që do të vazhdojë me rrugën ligjore.

    Ndërkohë, pasi që Arben Kadriu u bë Kryeprokuror, disa ndryshime kadastrale kishin ndodhur bash në pronën që po kontestohet në fshatin Ramjan. Në ato dokumente është edhe emri i Kryeprokurorit Arben Kadriu. Gërvalla në këtë intervistë për InDoks tregon se çka sipas tij ka ndodhur në këto dokumente të noterizuara.

    “Në 2021 unë thashë ja ma jepni tokën 11 hektarë përafërsisht që i kam në Kllokot, ja do ti prishi krejt marrëveshjet dhe do të fillojë prej fillimi krejt prej A deri në ZH, çka ndodhi këtu tokën nuk ma dhanë, pas shpinës, Arben Kadriu qe e ka edhe nënshkrimin e vet që i ka në emër të vet 148 hektarë tokë të mijat, Arben Kadriu vitin e kaluar u mbledh me gjithë me Mehdi Zymberin me tjerët grupit që kanë qenë edhe janë hi as që më kanë thirre janë hi, edhe e kanë nda tokën dhe më kanë përjashtu mua kanë thënë Duka, ja jepim në Kllokot qysh e kemi vendos gojarisht me të as që më ka thirrë kush me më vet, se muhabetet kur i kemi bë ndërrimet unë po ti jap ti 148 hektarë tokë në Ramjan, ti po mi jep mua 3 hektarë në Kllokot”.

    “Qeky është qëllimi sikur po i ndërrojmë makinat unë e tij – ti mi jep çelësat mua unë ti jap ty, edhe i ndërruam makinat. Faktikisht, ata mi murën çelësat mua, mi morën dy kerret dhe mua po më thonë tash prit – këta të rrafshit të Dukagjinit thonë “prit magar derisa të del barë” e kemi shprehje… edhe mua më lanë duke prit dmth Arben Kadriu kur e ka bë për mua gabimin e madh ai në asnjë mënyrë si prokuror si kryeprorkur as si avokat që ka qenë as si qytetar i lirë me ua dhënë aprovimin, mundësinë se ne emër të tij ka qenë toka, jau ka qit tokat në bazë të fjalëve që i ka fol secilit qysh e ka bë ndrrimin me mua pa më pyetur mua, Dukë a e ke ndërruar makinën me Mehdinë a se ke ndërru. E ka qit tokën tem në emër të Mehdi Zymberit dhe njëfarë Sharafeqin Kastratit dy hektarë”.

    Është shumë tokë. Janë shumë para të dhëna. Janë shumë vite të kaluara nëpër seanca gjyqësore. Janë shumë njerëz të përfshirë. Sipas Gërvallës, i përfshirë direkt është Kryeprokurori Arben Kadriu. Por, sipas tij, sa është dëmi që ia ka shkaktuar ky grup njerëzish, që ai nuk heziton ti etiketojë me termin mashtrues?

    “Nuk mundem me i llogaritë sot por janë shuma shumë të mëdha, nuk është problemi se sa është dëmi ekonomik kështu por projektet të cilat unë kam mujt me i realizu në 2016-ën”.

    “Mua më ka dëmtu se më është bërë një mashtrim, e bëmë një pajtim gjyqësor dmth më mashtruan dhe unë u shpalla tek investitor tek shokët e mijë që është rregullu, tash veç në terren edhe dalim, kur dolëm thanë jo ti në breg të rrugës nuk bën me marrë se ki shumë shko atje në therra, dmth ma pshtjellun dhe dmth apetitet e tyre spo ndalen dhe po mundohen me përfitu në  çdo mënyrë, kam bë lëshime për 40 hektarë tokë, dhe ju kam thënë më asnjë centimetër nuk ua lëshojnë e kundërta nëse nuk bijnë në pajtim na ja fillojmë prej fillimit por nëse fillojmë prej fillimit jo vetëm që kam me i kërku 10 cm e tokës por edhe dëmshpërblimin ka me ia kërku deri në fund””.

    “Unë si biznesmen jam dëmtu shumë, kohë ka rëndësi se në Zvicër koha ka më shumë rëndësi se sa lekët, se lekët i fiton sot a kohën nuk mundesh me kërku”.

    Lexo edhe:

    Gërvalla akuzon Kryeprokurorin e Gjilanit e Shefin e KPK-së, kjo është përgjigja e këtij institucioni

    Mashtrim e ndikim në gjyqësor – akuzat që Dukagjin Gërvalla i bën kundër Kryeprokurorit

    DOKUMENT | Si u ndryshua pronësia e tokës së privatizuar pasi në 2005-ën pasi Arben Kadriu u bë Kryeprokuror

    Banesa, lokale e para të ruajtura në bankë – kjo është pasuria e Kryeprokurorit të Gjilanit i përfshirë në një histori të dyshimtë pronash të privatizuara

    Telashe për mexhë, historia një prone të privatizuar në 2005-ën nga Kryeprokurori që ende nuk është zgjedhur

    Jetish Maloku nuk e lejoi as të hapte rast kundër prokurorit, InDoks sjell rrëfimin e biznesmenit Gërvalla

    “Grup i mashtruesve”, akuza e Gërvallës për ish-partnerët e tij në biznes ku përfshihet edhe Kryeprokurori i Gjilanit

    Rrëfimi ekskluziv i Gërvallës që akuzon Kryeprokurorin, tregon se si e mashtruan e sa dëm i kanë shkaktuar për 17 vite

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark