×
  • Lajme
  • Insajderi

    Hesht ministrja Haxhiu, nuk kallëzon nëse e denoncoi qytetarin Blakaj në Polici

    Insajderi
    06 September 2022 - 15:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndonëse mbrëmë e pati për ngut njoftimin, sot ministrja nuk e konfirmoi nëse shkoi tek dyert e Policisë për ta denoncuar qytetarin, ose jo.

    Gazeta Insajderi

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbrëmë pak para mesnate, bëri një njoftim kërcënues në profilin e saj në Facebook.

    Tha se do ta raportonte në Polici, Korab Blakajn, pasi sipas saj ishte tallur më fëmijët e dhunuar.

    Sot, kur dita çeli, nuk dihet nëse znj. Haxhiu e denoncoi rastin në Polici. Ajo dhe kabineti i saj kanë heshtur, pavarësisht interesimit të Gazetës Insajderi.

    Ndonëse mbrëmë e pati për ngut njoftimin, sot ministrja nuk e konfirmoi nëse shkoi tek dyert e Policisë për ta denoncuar qytetarin, ose jo.

    Për të njëjtën çështje, asnjë informacion nuk e dha as Policia, ndonëse u pyet nga Gazeta Insajderi.

    Si nisi përplasja Haxhiu-Blakaj?

    Dje, ministrja Haxhiu e nisi ditën, duke treguar se prindi i një vajze 14 vjeçe kishte shkuar në dikasterin e saj, dhe i kishte njoftuar se dhjetorin e kaluar vajza e tij kishte pasur një tentim dhunimi.

    “Ndonëse emri dhe mbiemri i personit të dyshuar dihet, i njëjti nuk është dënuar dhe as nuk është në burg. Personi i dyshuar është i lire”, kishte shkruar Haxhiu në profilin e saj, duke thënë se postimin e kishte bërë me lejen e prindit që kishte shkuar për t’u ankuar mbi rastin që i kishte ndodh vajzës së tij.

    Nisu nga ky postim i ministres, qytetari Korab Blakaj, kishte bërë një shkrim në profilin e tij, duke ironizuar me Haxhiun.

    E kur ministrja kishte thënë se Blakaj po tallej me viktimat e dhunimit, dhe se do ta denonconte në Polici, ai kishte thënë se po tallej me paaftësinë e saj.

    Ndërkohë, i kishte treguar ministres se jeton në Austri, dhe se është i gatshëm të paraqitej në Polici nëse do të thirrej.

    Reagimet kundër “denoncimit” të Haxhiut

    Avokati Besnik Berisha e ka cilësuar si veprim të paditur, njoftimin e ministres për ta denoncuar në Policia, qytetarin Blakaj. Sipas tij kjo nuk ndodh as në Bangladesh.

    “Me ndjek penalisht dikë për këtë koment?!!  Kjo s’bën vaki as ne Bangladesh e Kore Veriore, e lëre më në një vend demokratik ku vepra penale është e përcaktuar me ligj, e jo me maliq”, ka shkruar ai.

    Tutje ai ka shkruar se Ministrja e Drejtësisë do të duhej të dinte se komenti nuk paraqet veper penale.

    “Po shpresoj se ne polici se paku do ketë një jurist që e dine se çka përben vepër penale e çka jo, e nuk do e marrë mundin as te ftojë personin për intervistim sepse atëherë vërtet do bënin krim. Edhe Ministria e Drejtësisë do ishte mirë me e ditë se çka përbën vepër penale sepse Kodi Penal nga aty ka dalë. Lexoni”, ka përfunfuar ai. shkruan Gazeta Insajderi.

    Se komenti nuk përbën vepër penale e ka thënë edhe avokati Arianit Koci.

    “Statusi i Korab Blakaj, po tingëllon rëndë shumë rëndë, edhe për shijën time, por nuk është vepër penale. Thjesht, Korabi ka bërë tallje, satirë, humor! Këtë lloj statusi e mbron liria e shprehjes”, ka shkruar Koci në Facebook.

    “Revista satirike javore Charlie Hebdo, e ka humorin edhe më të rëndë; humor të zi me primesa të fyerjes së rëndë dhe sakrilegjit, por nuk i bëjnë kallëzime penale. Sidomos jo, zyrtarët e lartë të shtetit”.

    “Më falni zonja ministreshë Albulena Haxhiu, ashtu funksionon shoqëria e cila lirinë e shprehjes e ka një prej postulateve kryesore”, ka deklaruar ai.

    “Prandaj, mos humbni kohë. Mos e bëni kallëzimin penal”, i ka sugjerur Koci, ministren Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi.

    Derisa, drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, ka thënë se “nëse ministrja e Drejtësisë ndjek penalisht një person që është tallur në Facebook – sado e papranueshme dhe e pashije tallja e tij – atëherë të gjithë duhet t’i kërkojmë asaj si ministre t’i procedojë penalisht të gjithë ata militantë që shajnë, kërcënojnë, fyejnë e tallin nëpër rrjete sociale”.

    Kelmendi ka thënë nuk duhet harruar se numri i atyre që bëjnë “vepra penale” të tilla nëpër rrjete sociale “janë militantët partiakë dhe fetarë, shpesh të ndërsyer nga zyrtarë të lartë partiakë dhe klerikë fetarë”.

    “Nuk ka standarde të dyfishta”, ka thënë tutje ai, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pas këtyre reagimeve, ka shkuar sërish Haxhiu.

    “Pedofilët dhe ata të cilët i normalizojnë e tallen me këto krime nuk dallojnë dhe aq. Relativizimi dhe përqeshja e pedofilisë, vetëm sa do ta rëndojë situatën dhe do t’i shtojë pedofilët e do ta normalizojë këtë krim”, ka shkruar Haxhiu, transmeton Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark