×
Hulumtime/Analiza

Mashtrimi i Kurtit me rrymën që po i kushton popullit tepër shtrenjtë

Insajderi
23 February 2022 - 13:49
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

“Cili mashtrim, ma thoni premtimin e zotit Kurti, përveç rrymës çka ka mashtru, cili është mashtrimi”, ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci teksa konfirmon për mashtrimin që iu bë qytetarëve nga Qeveria Kurti.

Visar Duriqi/Donjeta Islami

Vetëm pak ditë para përfundimit të vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje, publikoi një edhe një material me ato që i quajti sukseset e Qeverisë Kurti. Në videon pesë minutëshe, ndër të arriturat përmendet edhe moslejimi nga qeveria i shtrenjtimit të rrymës.

“Nuk kemi lejuar shtrenjtimin e energjisë”, shkruhet në këtë video. Por, vetëm një muaj e ca, pas publikimit të kësaj video – do të thotë, – Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Nga 8 shkurti kosovarëve ka filluar të ju vijë fatura me rritje. Krejt kjo pasi Qeveria aktuale e Kosovës ndërmori hapa të vonshëm që të mënjanohej kjo situatë, edhe përkundër propagandës që nuk do të lejonin rritjen e çmimit të energjisë.  

Nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritje preken vetëm ata konsumatorë familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj; ata që shpenzojnë nën këtë sasi, nuk do të vërejnë ndryshime në faturë.

Për krejt këto dështime në keqqeverisje, Kurti, po e ka një arsyetim. Fajin sipas tij e kanë qeveritë e kaluara. E edhe për shtrenjtimin e rrymës në qeverisjen e tij.

“Çka s’keni bë ju mirë për 20 vjet e çka keni bë keq, unë s’mundem me i’ua bë mirë për 10 muaj, për besë kisha dashtë edhe ma shumë se ju”. Kjo është esenca e pothuajse çdo arsyetimi që e ka Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti për kritikat që i bëhen. 20 vitet i ka si arsyetim.

Sa qëndrojnë arsyetimet e Kryeministrit që krejt është faj i ish-qeverive. Sa ka faj Qeveria që ai e drejton? Sa pati hapësirë që çmimi i rrymës të mos ngritje bash në këtë kohë dhe të merrej një vendim që të ishin këto tarifa deri në vitin tjetër, kur pritjet janë që së paku gjatë verës vendi të mos importojë energji? Çka pati për ngut Albin Kurti? Për më shumë, sa do të rritet energjia dhe sa do të ketë efekt ajo në buxhetet familjare të kosovarëve?

Për (mos)veprim e Qeverisë Kurti karshi situatës me energji elektrike, InDoks kontaktojë me gazetarin Berat Buzhala e Valon Syla, analistin njëherit ish-kryetarin e VV-së, Visar Ymeri, ish-zyrtaret e VV-së tani në PSD, Teutë Rrusta e Natyra Kuçi, kryetarin e Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi, e edhe me kryetarin nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Valon Syla, pos si gazetar ka edhe eksperiencë edhe në fushën e energjetikës. Është marrë me këtë sektor direkt. Ai për InDoks ka folur për situatën e re që është krijuar: Zyra e Rregullatorit të Energjisë në vend ka miratuar tarifa të reja. Thënë shkurt: Është rritur çmimi i rrymës. Çka thotë Syla?

Valon Syla – Gazetar

“Sa i përket rritjes, personalisht kam prit që deri në 22% të ketë rritje sepse është krizë e politikave të këqija që i ka udhëheq Bashkimi Evropian dhe ka ndiku në rritjen dhe fuqizimin e Rusisë, dhe në momentin kur Rusisë i nevojitet të rritet çmimi për të rritur influencën e vet dhe për të shkaktuar krizë sidomos në Evropë Lindore ku atje tash i ka interesa edhe më drejtpërdrejti që po shihen ashiqare, që ka interesa ekspansioniste të pushtimit ndikojë në ngritjen e rritjes së çmimit të energjisë dhe kjo është normale me ndiku edhe në vendet tjera”, ka thënë Syla për Insajderin.

Syla komentoi edhe qasjen refuzuese të projekteve të reja për energji të kryeministrit, Albin Kurti.

“Këtu si kisha vënë faj Albinit sepse kanë faj edhe qeveritë e tjera por faji i Albinit është që në momenti e fundit ja dha gabimin më të madh, pra, i përzani Kosovën e Re, amerikanët dhe turqit për thëngjill gjë që ishte qëndrim i tij politik dhe i përzani termocentralin që patë të gatshëm që nuk duhet të ishte ajo zgjedhje e shpejt, por të ishte zgjedhje afat-gjatë për 3-4 vitet e ardhshme. Por, gaz-përçuesin amerikan një projekt i Bashkimit Evropian dhe amerikanë i përbashkët për një termocentral nga gazi dhe kjo për një elektron nga gazi me thënë më saktë dhe këto janë dy vendime që ka mujt me i marrë p.sh për me i ikë krizës, ky i ka ndalë të gjitha format për prodhime, licencat e atyre që ishin të gatshëm me prodhu rrymën, me shti në sistem siç ishte projekti gjermano-izraelit me mbi 100 megavat orë prodhim në ditë, ata nuk i licencojë tek pas krizës e kuptojë se duhet të fillojë të licencoje”, u shpreh gazetari Syla.

Gazetari Berat Buzhala e cilëson si gënjeshtër të madhe të Kurtit arsyetimin se fajin për gjendje e rëndë në vend e kanë qeveritë e kaluara.

Berat Buzhala – Gazetar

“Po edhe pse tash mënyra se si kanë qeverisur qeveritë e kaluara edhe më tutje po i’ua jep një hapësirë, i kanë edhe disa vite unë mendoj deri kah viti i tretë i qeverisjes ku qytetarët fillojnë me i harru kapak edhe atje me i thënë Albinit hej nuk mundesh ti me nejt 10 vjet qeveri e me i akuzu ata 20 vjet për gjërat që i kanë bë, plus qekjo 20 vjet është një rrenë e madhe, kur thu që 20 vjet shkatërrim qysh e propagandon Albini dhe makineria  propaganduese e tij”.

“Kjo është një gënjeshtër e madhe po që deri diku ka pasur suksese sepse një gjeneratë që ka lind në vitin 99’ ata perime nuk e dinë, perime një pjesë e tyre mendon që një pjesë e tyre u kanë ma keq se sa 10 vjet nën pushtetin serb, ata nuk e dinë që s’kemi pas autostrada, kemi pasur reduktime me rrymë 8 më 2, që na përsëriten tash vitet e fundit. Pra Kosova ka qenë shumë më keq, pa krahasimisht ma keq vitin 2000 sa ka qenë në momentin kur e mur Albin Kurti, ta këqyrim sa inç, sa pe bon më mirë Albin Kurti i cili ka premtu parajsën e me gjasë deri qetash vetëm le të më tregon dikush a jem afër parajsës a ma larg parajsës atëherë unë isha përgjigje”, ka thënë Buzhala për InDoks.

Skënder Krasniqi nga Oda e Afarizmit Kosovar tregon që kriza energjetike që tashmë solli edhe rritjen e çmimit të energjisë me vendim të ZRRE-së, ishte paralajmëruar. Por, Qeveria Kurti nuk u mor me të me kohë. Si do të ndikoi ky vendim në jetën e qytetarëve e edhe tek bizneset?

Skënder Krasniqi – Oda e Afarizmit

Krasniqi është shprehur se “se edhe për problemin me energji vendi jonë nuk reagoi në kohë, tash po reagon me një gjendje emergjente do të thotë ne çdo herë i sjellim situatat në gjendje emergjente”.

“Ka ndikuar jashtëzakonisht, do të duhej shteti që tek sektorë të caktuar që ndikohen shumë, që këtë rast është parapa me u rrit çmimi vetëm buxheti i familjes, do të dëmtohet familja e jo biznesi se edhe biznesi kështu ashtu se ka qind për qind më shtrenjtë çmimin se qytetari, çka nuk ndodh në vendet e tjera në përgjithësi, çmimi i rrymës për biznese është më i lirë se për qytetarët në perëndim për shkak se biznesi është prodhues dhe e rrit prodhimin e rrit punësimin e rrit mirëqenien do të thotë nuk është konsumuesi i fundit këtu tek ne qysh në fillim kanë qenë qind për qind më të shtrenjtë për bizneset sesa për qytetarët”, tha Krasniqi për InDoks.

“Do të ndikojë keq sepse do të ulet shporta e familjes, familja do të ketë më pak të holla për konsum edhe për jetesë dhe kjo do të dëmtojë. Duhet përfundimisht Kosova të krijojë shportën familjare. Ne jemi i vetmi vend që nuk kemi shportë familjare, për me familjarizu buxhetin e familjes edhe pse është i punësuar mjetet mos me i dalë për me i pas për familje 2  ose 5,7 anëtarëshe dhe këtu në çdo vend është buxheti familjar ne asnjëherë nuk kemi hy në atë analizë qe me kriju buxhet familjar edhe pse i punësum, mjetet smund ti dali për me mbijetu”, thotë ai kryetari i Odës.

Në anën tjetër Visar Ymeri foli për qasjen që e ka pasur Qeveria Kurti karshi krizës me energjinë. Por, më shumë se sa mungesën e nismës për të mbrojtur qytetarët nga faturat e shtrenjta, ai analizon mënyrën, sipas tij qesharake se si Qeveria ka komunikuar me qytetarët për këtë punë.

Visar Ymeri – analist

“Ju kujtohet atëherë qeveria ka pasur kësi deklarata jashtëzakonisht qesharake, ku ministria thoshte le të mos ngrohen me energji le të ngrohen me diçka tjetër, po me çka ministre me çka të ngrohen qytetarët dhe tash në pikun e krizës qeveria u aktivizu dhe si u aktivizu, i ndatji mbi 100 milionë si në formë të subvencionit sepse nuk ditë çka të bëjë tjetër, pra kjo ka qenë – qeveria ka qenë absolutisht e papërgatitur për krizën e që është jashtëzakonisht e rëndë kur qeveria nuk di të sillet fare në momente krize e dyta pastaj është ZRrE-ja nuk ka pas kurrfarë aktiviteti për me u siguru që nuk do të vimë në këtë situatë e që e ka edhe përgjegjësi e pastaj edhe operatorët në treg e në veçanti furnizuesit, i cili nuk është interesu me bë kontrata afat-gjate për energji elektrike që sado pak me i zbutë çmimin e faturave…”, tha Ymeri.

Sipas tij faji sa i qeverisë është edhe i ZRRE-së.

“Është faji i Qeverisë por unë mendoj që është edhe i ZRrE-së nuk duhet me shfajësu ZRrE-në këtu fare sepse është dashtë me kërku momentin kur ja ka nis kriza energjetike me kërku nga të gjithë operatorët në treg që të përgatitet për krizë. Kjo nuk është një gjë për të cilën nuk është ditë ne si institut kemi lëshu komunikatë për këtë çështje qysh në tetor të vitit të kaluar ku kemi thënë që kjo krizë natyrisht do të vijë edhe në Kosovë gjatë muajve të dimrit dhe do ti kemi dy mundësi ose me shtrenjtu energjinë elektrike ose me reduktu, nëse nuk përgatitemi”, potencoi ai.

Analisti Ymeri ka folur edhe për rrjedhën kronologjike se si erdhi tek rritja e çmimit të rrymës, si u bë që dikastere të Qeverisë lanë hapësirë edhe për ndryshime të tjera, dhe në fund: ZRRE-ja vendosi që të ketë shtrenjtim.

“Edhe ministri i Financave edhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik kanë kërkuar që të rishqyrtohet dhe të ulën këto të hyrat maksimale të lejuara që janë të propozuara nga propozimi i parë i ZRrE-së. Le të na tregojnë nga ZRrE nëse i kanë ulë ose i kanë mbajte në të njëjtin nivel, nëse i kanë mbajte në të njëjtin nivel atëherë duhet me na shpjegu pse nuk janë ulë kur sipas ministrave të qeverisë kjo ka qenë e mundshme, sepse edhe kjo është pyetje shumë me vend”.

“Minstrja Rizavalloni po ashtu ka kërkuar të merren edhe parametra të tjerë në mënyrë që pastaj që mazha e profit për furnizuesin të ri kalkulohet as kjo nuk na shpjegohet a ka ndodh ose jo, ka shumë pikëpyetje në këtë vendim të ZRrE-së që e bën të paqartë se pse po dashka me u shtrenjtu kaq shumë energjia elektrike. Për interes të kujt sepse arsyetimi që duhet me mbulu importin i cili qartazi është shumë më shtrenjtë sesa ka qenë vitet e kaluara kjo është e vërtetë mirëpo nuk duhet të harrojmë një gjë që ne do të importojmë energji elektrike edhe dy muaj pastaj kur fillon me u ngrohë koha kur shpenzimi është shumë më i ulët këto tek ne atëherë ne i mbulojmë nevojat tona të ardhshme që i bije do të kemi, ne do të marrim energji elektrike shumë të lirë që e blejmë prej KEK-ut pse duhet fatura me na u shtrenjtu prej sotit e deri në prillin e vitit 2023 për me i mbulu vetëm dy muajt e importit”, tha ai.

Ndërkohë Armend Zemaj, deputet i opozitës komentoi mënyrën se si u morë vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend. Çka ndodhi me grupin e deputetëve të pushtetit?

Armend Zemaj – LDK

“Ne e kemi thënë edhe në të kaluarën, qeveria nuk duhet të fshihet prapa veprimeve apo të mbrohet nga esenca se ky është Rregullator i Pavarur Kushtetues dhe i përgjigjet Kuvendit të Kosovës”, u shpreh ai.

Zemaj shprehet se prapa vendimi për rritjen e çmimit të energjisë qëndron: Qeveria Kurti.

“Asnjë vendim edhe në demokracitë më të zhvilluar nuk e ka shkëputje nga hallkat e përgjegjësisë dhe dhe demokracisë andaj kjo fshehje se gjoja rregullatori është detyruar të rrit energjinë elektrike qindpërqind dhe qeveria ka dhënë disa variante kozmetike por në fund është deklaruar që edhe grupi parlamentar i ka të përafërta ose ai propozim ka ecur tregon se prapa kësaj rritje qëndron Qeveria Kurti dhe interesat të cilat përfaqësojnë, fatkeqësisht kundërshtim të plotë me atë që është deklaruar që është insistuar nga papërgatitja për këtë fazë nga mos përgjegjësia që gjatë verës të bëhen përmirësime dhe të ketë ndërhyrje, të ndërhyjnë në infrastrukturë, të tentohet të rezervohet energji dhe ta kalojmë në mënyrë të përballueshme”, tha Zemaj për InDoks të Gazetës Insajderi.

 “Tani qytetarët paguajnë trefishin, KESCON, rrymën, TVSH, paguaj katërfishin sepse paguajnë edhe për serbët në Veri. Kjo është një situatë kaotike si dhe besoj dhe shpresoj që reagimet nuk do të ndalen deri sa të vijë një vendim që e ndalon këtë rritje që ka ardhë në kundërshtim me kërkesat e qytetarëve, jo kërkesat dëshirore por ato të mundësive për ta përballuar këtë pagës”.

Për padrejtësitë që po ju bëhen qytetarëve konsumatorë për InDoks foli edhe Selatin Kaçaniku nga OJQ Konsumatori. 

Selatin Kaçaniku – OJQ, Konsumatori

“U tha 1 miliardë por unë kam një informatë ndoshta më valide që nga 99’ e këndej janë investuar në KEK mbi 2 miliardë e 600 milionë nuk po dyshojë sa janë investuar por ne si qytetarët konsumator si gjenerues, taksapagues nuk po i shohim ato , nuk kemi fryte nuk ka qëllime të mira në politike për arsye se xhepat e qytetarit, konsumatorit familjeve konsumatore shfrytëzohen vetëm për skllavëri për zhvatatje për mbulimin e paaftësisë së politikanëve një shembull edhe për politizimin e agjencioneve, mekanizmave, inspekcioneve të gjitha të politizuara në krye me ZRRE-në”, tha ai.

“Shembulli 2016-15-ën ndodhi një avari një shpërthim në KEK dhe në atë rast ZRRE na imponojnë përmes qeverisë një 5.8% ngritje të çmimit në emër të kompensimit të dëmeve thuajse ne si konsumator ishim shkaktarë të dëmit por nejse, si masë e përkohshme vlen sdisa muaj maksimumi 1 vjet por po zgjatë deri më sot jemi në 2022-ën 6-7-8 vite ne po paguajmë për atë që ne nuk do të duhej të paguajmë me izen me vendimin e ZRRE-së me subvencionimin e qeverisë më mirë të them të qeverive, ku është qytetari konsumator dmth në këto politika denigruese me këto politika shkallëruese ne nuk mund të bashkëbisedojmë sepse ne gjithmonë jemi të gatshëm të bashkëbisedojmë sepse pala tjetër na injorojnë sepse nuk ka tekst, ska fjalë material për të diskutuar me ne”, tha Kaçaniku.

Teuta Rrusta nga Partia Socialdemokrate e Kosovës ka folur për mënyrën se si sipas saj Qeveria Kurti u mor me problemin e energjisë elektrike për interesa të një kompanie private, ani pse ka edhe probleme të tjera urgjente në vend.

Teutë Rrusta – PSD

“Ai (Albin Kurti) po thotë që i duhet kohë apo, mirëpo për disa gjëra po i duhet shumë kohë, e për disa problem që tash janë shkaktuar nuk iu desh kohë i zgjedhën menjëherë. Pra si u bë që për gjërat që janë jetike të mirëqenies të qytetarëve nuk po ka intervenime të menjëhershme, por urgjenca me i siguru KEDS-it fitimin po është e menjëhershme. Tash ne mundemi me thanë po kriza energjetike është tani tu ndodh, jo varfëria e qytetarit është e cenune moti, nuk ka kurgjo ma urgjente se ndërhyrja në ato. Krejt çka e shohim Kurti duke bërë, është këto politika e vogla sociale të cilat ma shumë janë ad-hoc që nuk e  rregullojnë një farë sistemi që qytetari nuk bie në varfëri të skajshme”, tha Rrrusta.

Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate thekson se me shtrenjtimin e energjisë po shkaktohen dy dëme të rënda.

Natyra Kuçi – PSD

“I kemi përcjell prej fillimit detajet i kemi hi analiza e kemi parë raporte financiare të ndryshme për të ardhur në konkluzionin se çka po ju bëhet qytetarëve të Kosovës me këtë shtrenjtim të energjisë, 1 është padrejtësi e madhe, 2 është totalisht mungesë e përgjegjësisë që  e ka pasur qeveria e Kosovës në inkasimin që KESCO dhe KED-si i kanë pasur borxh KEK-ut, në vend që inkasoheshin nga KEK-u 50 milionë euro borxh që kompania private ja kishte kësaj të fundit ne si subvencionuam humbjet e tyre, ne rimëkëmben profitin e një kompanie private në kurriz të taksapagueseve tonë”, tha Kuçi për InDoks të Gazetës Insajderi.

Partia Socialdemokrate, që deri tash ka organizuar një protestë e disa aksione kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike, pati edhe një aksion veçse kësaj radhe në zyrat e Rregullatorit për Energji. U fjalosën për një kohë të gjatë me drejtues të këtij institucioni. Ua ndalën siguresat e rryemes. Kërkuan dokumente e nuk i morën. Përfunduan edhe në duar të Policisë për këto veprime. E vetëm më pas u liruan.

Ditën kur Partia Socialdemokrate po e bënte aksionin, në ZRRE lanë shumë pyetje pa përgjigje. Por, gjatë javës së dytë të shkurtit, drejtuesi i bordit në këtë institucion ka dhënë disa përgjigje, derisa edhe është publikuar vendimi të cilin po e kërkonte PSD-ja.

Kryetari i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu ka folur rreth kërkesës së KESCO-s që vendimi për hyrjen në fuqi të tarifave të reja të mos zbatohet nga data 9 shkurt 2022, por të nisë së zbatuari nga data 1 mars.

Kryetari Fejzullahu pas mbledhjes së bordit konfirmoi se tarifat e reja për energjinë elektrike llogariten nga data 9 shkurt, ashtu siç ishte marrë vendim më herët. Ai theksoi se vendimi ka hyrë në fuqi që nga data 9 shkurt dhe është përgjegjësi e KESCO-s që ta implementojë këtë vendim.

Ymer Fejzullahu – ZRrE

“E kemi thënë edhe në takimin që kemi pasur me ta(KESCO), që vendimi hynë në fuqi prej datës 9 shkurt. Është obligim i KESCO-s që ta implementojë atë vendim sipas vendimit të Bordit të ZRrE-së”, theksoi Fejzullahu”, tha kryetari i ZRRE-së.

Fejzullahu ka përmendur një skenar të rrezikshëm. Ai ka thënë që nëse nuk do të kishte subvencion prej 100 milionë euro nga Qeveria, shtrenjtim të rrymës do të kishte edhe për konsumatorët që shpenzojnë deri 800 kilovatë dhe për bizneset.

“Meqenëse Qeveria ka ndarë një subvencion prej 100 milionë euro, ai ka ndikuar që të gjithë konsumatorët që konsumojnë deri në 800 kilovatë orë nuk do të kenë rritje apo do të faturohen me tarifat ekzistuese. Faturat e tyre do të kalkulohen duke përfshirë edhe zbritjen që ka rezultuar nga fondi apo subvencionimi i Qeverisë. Pra, tarifat që janë kanë marrë parasysh edhe subvencionimin prej 100 milionë eurove. Ne e kemi thënë edhe në raport konsultativ, sipas kalkulimeve pa subvencionimin e Qeverisë do të kishte rritje të tarifave edhe për bllokun deri në 600 por edhe për bllokun deri në 800. Do të kishte rritje për të gjitha bizneset ose ata komercial. Në bazë të vlerësimit të raportit konsultativ, ne i kemi prezantuar numrat se si do të ishte pa subvencionimin e Qeverisë dhe si do të ishte me subvencionim”, deklaroi ditë më parë Fejzullahu.

Për sa i përket numrit të ankesave nga konsumatorët, Fejzullahu pret që pas faturimit të energjisë elektrike me tarifa të reja ky numër të rritet.

“Presim domosdo ndoshta do ketë një rritje të numrit të ankesave, por deri më tani s’kemi pasur ankesa meqenëse s’ka filluar ende publikimi i tarifave të reja. Por, domosmdoshmërisht ne gati çdo mbledhje kemi ankesa të konsumatorëve, të cilat i trajtojmë”.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 cent, por këtu duhet shtuar edhe TVSh-ja, në tarifën e ulët apo atë të natës, kurse 6.75 cent në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 cent ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 cent.

Zyra e Rregullatorit për Energji në arsyetimin e vendimit për rritjen e çmimit të rrymës thotë se ka vendosur ta aprovojë këtë strukturë tarifore, pasi vlerësojnë se ajo reflekton drejt kostot e shërbimit sipas kategorive të konsumatorëve dhe nxit kursimin e rrymës.

ZRRE tregon se tarifat e reja të rrymës do të jenë në fuqi nga 9 shkurti deri më 31 mars të vitit 2023, ndërsa përmend edhe skenarin e shtrenjtimit të rrymës pa subvencionimin nga Qeveria. Në këtë rast, sipas ZRRE-së, çmimi i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 KiloËat rrymë në muaj do të rritej për 21%.

ZRRE-ja pas presionit publik ka nxjerr në faqen e saj edhe krejt komentet që u dërguan nga institucione  grupe te interesit në procesin për tarifat e reja- ose me shkurt: në nismën për ta rritu çmimin e rrymës.

Në këto komente, dallohet dokumenti i Zyrës së Presidentes së Kosovës. Në këtë dokument Presidenca i rikujton ZRRE-së se humbjet janë të mëdha në Veri të vendit, dhe siç e përshkruajnë: 6.8% të humbjeve si rezultat i konsumit të paautorizuar në katër komunat veriore në vend. Presidenca i ka kërkuar ZRRE-së që të ktheheshin modelet e tarifave të vitit 2017.

“Një strukturë e tillë tarifore do të ndihmonte që të bëhej dallimi në mes të konsumatorëve që me konsumin e energjisë elektrike mbulojnë nevojat më bazike, konsumatorëve të cilët paraqesin një ekonomi familjare me shpenzime mesatare, dhe konsumatorëve të cilët me raste të caktuara e shfrytëzojnë energjinë elektrike për nevoja të luksit”, thuhet në komentet e Presidencës.

Edhe partia e Kryeministrit Albin Kurti ka dërguar komente. Aty bëhet me dije që humbjet në veri të vendit, do të kalojnë vlerën mbi 30 milionë euro. Vetëvendosje kishte propozuar këtë që tashmë është vendosur: çmim më të shtrenjtë paguajnë ata që shpenzojnë më shumë se 800 KlioËatë.

Sipas LDK-së, tarifat e propozuara janë të papërballueshme dhe propozojnë që të mbeten të pandryshuara deri në fund të këtij viti. LDK kishte propozuar që Qeveria të heq TVSH-në për energjinë elektrike për të gjithë konsumatorët. Sipas tyre, qeveria duhet të subvencionojë energjinë për të gjithë konsumatorët njëjtë, në mënyre që të mbajë tarifat ashtu siç janë deri në fund të këtij viti.

Në komentet e LDK i kërkohej që ZRrE-ja që tek në muajin qershor të hap diskutimet me të gjitha palët e interesit për shqyrtimin e tarifave, zbatimi i të cilave do fillojë prej datës 1 janar 2023.

Partia e Ramush Haradinajt kishte dërguar disa komente po ashtu.  Ky subjekt politik, thotë se raporti i ZRrE-së nuk pasqyron në mënyrë të drejtë dhe të qartë përballueshmërinë e tarifave të propozuara.

“Në një situatë të rënduar socio-ekonomike, si refleksion i të ardhurave të ulëta, si dhe ndikimeve zinxhirore të krizave, qoftë shëndetësorë apo në tregje, shtrenjtimi i energjisë elektrike, në masën e propozuar, bëhet i pa përballueshëm për shumicën e familjeve në Republikën e Kosovës”, thuhet në komentet e dërguara nga AAK-ja.

Tutje, thuhet se qytetarët diferencohen në qasje radikale dhe këtë e konsiderojnë si frymë që del jashtë Kushtetutës.  “AAK-ja kundërshton çmimin e papërballueshëm të tarifave,  duke përfshirë edhe bllok tarifat e propozuara nga ZRrE-ja”, thuhet në komente.

Partia Demokratik e Kosovës kishte vendosur që të mos dërgonte asnjë koment.

Një protestë kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë tashmë është mbajtur. Morën pjesë mijëra persona. Herën tjetër, kur inkasantët të sjellin faturat e rrymës, a do të sjellin vetëm ato, apo do të jetë një lloj ftese për të tjera protesta?

InDoks | Tepër shtrenjtë – Dokumentari i plotë:

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark