×
Hulumtime/Analiza

Misteri i oksigjenit nën hetime – me çka u furnizuan kosovarët gjatë pandemisë?

Insajderi
04 April 2022 - 14:33
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Me 13 mars të 2020 në Kosovë u lajmëruan rastet e para me Covid-19. Me shfaqjen e kësaj pandemia situata u alarmua, Kosova po ballafaqohej me diçka krejt të re. U gjetë e pa përgatitur. Herë-herë situata alarmohej, sidomos, kur në pyetje vinte sasia e cilësia e oksigjenit – gazit medicinial, i domosdoshëm për pacientët e prekur nga koronavirusi.

Visar Duriqi/Donjeta Islami

Gjatë fazave me shumë pacientë të hospitalizuar me Covid-19 kërkesat për oksigjen ishin rritur tej mase.

Me çfarë oksigjeni u furnizuan institucionet publike të shëndetësisë kosovare? A patën licenca valide kompanitë që u angazhuan që të bënin biznes me oksigjen në kohë pandemie? Pse në Kosovë numri i vdekshmërisë nga ata që u prekën me këtë sëmundje ishte më i lartë se sa në Shqipëri, Mal të Zi, e madje edhe në Serbi?

Një hetim i ri i Inspektoratit Farmaceutik bashkë me Policinë e Kosovës ka nisur në mars të këtij viti. Kompania që bëri furnizimet më të mëdha të oksigjenit të lëngshëm është denoncuar.

InDoks ka sjell detaje ekskluzive nga ky hetim.

Rrëfime nga ata që e përcollën nga fillimi procesin e furnizimit me oksigjen e alarmuan për të.

Raporti i vitit 2021 i Inspektoratit Farmaceutik alarmonte që madje edhe institucionet publike po e blinin oksigjenin nga kompani të pacilësuara. U injorua.

Pesë vite pas këtij alarmi, ky injorim do të godiste në qendër të sistemit. Disa pacientë do të vdisnin në shtatorin e vitit 2017. Vdiqën derisa ishin futur në operacion në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Dyshimi i parë ishte se ata vdiqën si pasojë e oksigjenit. E doli që kompania që kishte furnizuar këtë oksigjen ishte “Bubeari Komerc” nga Kaçaniku, e njëjta kompani që 5 vite më parë ishte identifikuar si kompani që merrte kontrata publike e nuk e kishte licencën adekuate për këtë veprimtari. Pronari i saj Naser Guri do të arrestohej atë kohë.  Këtë rast ende e mbulon një mister.

Por, kush po furnizonte me oksigjen? Çfarë ishte cilësia e tij? Nga cili vend sillej e sa i kushtoi buxhetit të shtetit. Pse inspektorati Farmaceutik tash bashkë me Policinë ka nisur një hetim?

Kompania që ka pasur hisen kryesore për furnizim me oksigjen të lëngshëm të ShSKUK-së është kompania “Medical Group” pronë e biznesmenit Skënder Kutllovci, që është i autorizuari i kompanisë italiane “Sol Spa Italy”. 

Në mars të këtij viti kundër  “Sol” në Inspektoratin Farmaceutik është deponuar një denoncim, dyshime për vet validitetin e letrave të tij, gjë që paraprakisht është njoftuar Agjencia për Produkte Medicinale.

Te organet shtetërore denoncuesi thotë që “Sol Spa Italy” posedon Marketing Autorizimin pranë AKPM dhe ndërkohë ka regjistruar si variacion edhe piken në Maqedoninë Veriore nga edhe ku behet importi i oksigjenit medicinal në Kosovë. Sipas pretendimeve të denoncuesit, pika në Maqedoninë Veriore nuk posedon Autorizim Prodhimi nga institucionet e Maqedonisë për prodhim te Oksigjenit Medicinal.

Denoncuesi përmend që kompania lokale e ndërlidhur me “Sol Spa Italy”, kompania TGS në të gjitha ofertat për furnizim me oksigjen të institucioneve shëndetësore në Maqedoni nuk aplikon me autorizim të vetë Maqedonisë, por me Autorizim nga Bullgaria e Greqia. Denoncimi thellohet duke kontestuar edhe vetë regjistrimin e këtij varaiacioni të oksigjenit në Kosovë me një dokument të Rregullatorit anglez të medicinës e kujdesit shëndetësor.

Me këtë dokument të këtij institucioni anglez ishte regjistruar në Kosovë ky variacion i oksigjenit me të cilin u furnizuan spitalet, por denoncimi thotë se ai dokument nuk gjendet në bazën e të dhënave të po këtij institucioni.

Madje e tillë është edhe përgjigja me e-mail që rregullatori i kujdesit shëndetësor ka kthyer po për këtë dokument me të cilin AKPM-ja në Kosovë ka licencuar variacionin e oksigjenit që u soll nga Maqedonia e u përdor në Kosovë.

Krejt këto  dyshime i ka marrë në shqyrtim Inspektorati Farmaceutik i Kosovës.  Nuk po merret vet me to- e ka marrë me vete edhe Policinë.

“Inspektorati Farmaceutik në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke kryer inspektime në të gjitha subjektet që operojnë me oksigjen medicinal. Në të gjitha subjektet ku janë takuar parregullsi janë marrë masa konform legjislacionit në fuqi. Për të gjeturat është duke u njoftuar Policia e Kosovës në vazhdimësi, dhe Agjencia e Kosovës  për Produkte dhe Pajisje Medicinale për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Inspektoratit për InDoks.                       

“Në rastet ku janë gjetur parregullsi, jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, për vazhdim të mëtutjeshëm të hetimeve”, thuhet tutje në.

Policia nuk ka dhënë më shumë detaje, derisa në kompaninë që është denoncuar nuk kanë pranuar që të flasin para kamerës.

Ata në përgjigje  më shumë kanë hedhur akuza ndaj denoncuesit se që kanë dhënë sqarime për çka janë pyetur.

“Regjistrimi i produkteve farmaceutike dhe dosjes së produktit janë përgjegjësi e prodhuesit, mbajtësit të Autorizim Marketing, në rastin tonë SOL SPA Itali. I vetmi informacion që kemi pranuar është denoncimi Medica. Besojmë se Sol SPA Itali si bartës i Marketing Autorizimit do sqarojë detajet”, thuhet në përgjigjen e tyre, derisa thonë që deri tash nuk janë kontaktuar nga hetuesit policor ani pse Inspektorati po e vazhdon hetimin me Policinë.

Tutje ata thonë që AKPM ka kryer një hetim dhe nuk ka gjetur që Autorizimi i tyre ka probleme ligjore dhe ai është valid, derisa shtojnë që Inspektorati ka pasur vizita të rregullta, ku është konstatuar se të gjitha importet janë në rregull dhe të deklaruara në mënyrën e duhur në Doganë dhe Administratë Tatimore.

Kur janë pyetur për atë që “Sol-Spa Italy” nuk ka autorizim në Maqedoni prej ku importohet oksigjeni për në Kosovë nga ta, Medical Group thotë se nuk kanë njohuri. “Nuk kemi autorizime apo interes raportet ligjore të degës lokale te Sol Spa Itali në Maqedoninë Veriore dhe licencat e tyre nacionale” thuhet në përgjigjen e tyre.

Të pyetur për dokumentin e Rregullatorit anglez të kujdesit shëndetësor që është përdorur për të regjistruar në Kosovë variacionin e oksigjenit që sillet nga Maqedonia, ata përsëri përgjegjësinë ia hedhin Sol Spa Itali.

“Është tentim mashtrimi përzierja e licencave nacionale në Maqedoni me CPP e Britanisë së Madhe dhe të BE-së dhe se këto nuk munden asesi të krahasohen apo shqyrtohen bazuar ne dosjen Evropiane. Megjithatë, ne nuk kemi njohuri për këto komunikime, e cila është përgjegjësi e mbajtësit të Autorizim Marketi SOL Spa Itali”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kjo kompani nuk ka pranuar që të tregoi se sa para ka përfituar nga institucionet publike të shëndetësisë gjatë afro dy viteve pandemi ku kishte edhe hisen kryesore të furnizimit me oksigjen të lëngshëm në kontratat e ShSKUK-së.

Në platformën e prokurimit të hapur del që “Medical Group” nga vitit 2019 ka marrë 17 tenderë në vlerë mbi 6.3 milionë euro.

Tenderi për furnizim të ShSKUK-së me oksigjen që nisi në pjesën e parë të vitit 2021 u zvarrit me muaj vetëm brenda niveleve të qeverisjes aty. Në mes të qershorit 2021 u anulua nga vet ShSKUK-ja me një arsyetim të Barnatores Qendrore se nuk iu duhej ajo sasi e madhe që ishte planifikuar.

Muaj më vonë do të përkeqësohej dhe përfunduan duke nënshkruaj tender emergjent, me çka dyshohet se çmimi pastaj ishte edhe më i shtrenjtë. “Medical Group” u angazhua edhe me këtë tender emergjent.

Pa kaluar as dy javë nga kur u bë denoncimi kundër “Medical Group”, kompania që e denoncoi tashmë është futur nën hetime nga Administrata Tatimore e Kosovës, ani pse kontrollin e fundit e kishte përfunduar në shtatorin e vitit 2021. Në ATK nuk kanë treguar se hetimi i ri i tyre a lidhet me denoncimin. As nëse është formë për ta heshtur.

“Sikurse çdo rast për të cilin pranojmë raportime/denoncime, Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës verifikon fillimisht faktet, njëjtë ndodhë edhe për rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka hedhur dyshimet se vdekjet nga Covid-19 ndodhën për shkak oksigjenit jo cilësorë.

Bekim Haxhiu – PDK

“Unë mendoj që prej vitit 2017-të kur në Kosovë patën ndodhë rastet e para të vdekjeve për shkak të oksigjenit që është konstatu në atë periudhë kohore, çdo shkelje dhe mos respektim i furnizimit me oksigjen sipas standardeve të kërkuar nga Agjencioni i Kosovës për Produktet dhe Mjetet medicionale  dhe mos licencimi I kompanive ose furnizimi me oksigjen, gaz nga kompani të pa licencuara atëherë paraqet vepër penale, paraqet rrezik të shëndetit të qytetarëve duhet të hetohet nga Prokuroria”.

Ky deputet i opozitës vazhdimisht gjatë pandemisë ka kritikuar për keq-menaxhim të pandemisë. Edhe për vaksinat. Edhe për spitalet. Edhe për oksigjenin.

“Ju e dini që në qershor të vitit të kaluar edhe më herët edhe 2020-ën e kam ngrit problemin e oksigjenit sepse nuk janë ndërmarrë hapa e duhur që te këtë një furnizim stabil me oksigjen ka qenë krejt e natyrshme që të kuptohet që për shkak të Covid-19, kërkesa për oksigjen të rriten edhe të punohet me procedura të përshpejtuara për të furnizuar spitalet tona me oksigjen, në  mungesë të oksigjenit me miratimin e Bordit të SHSKUK-së dhe menaxhmentit në mënyrë edhe gojore që është thënë prej drejtorëve të Spitaleve regjionale por edhe përmes imellave është konfirmu që ata mundem me u furnizu edhe prej kompanive tjera, me oksigjen dhe ju e dini që ato kompani nuk janë të licencuara për furnizim me oksigjen. Është gaz industrial nuk është gaz medicional, kjo ka ndiku për mendimin tim, ka dyshime që mund të ketë ndikur edhe në rritjen e rasteve të vdekjes”.

Haxhiu në këtë intervistë për InDoks ka sqaruar tutje se ku e bazon dyshimin që ngrit se vdekjet nga Covid-19 mund të lidhen edhe me oksigjenin. Shifrat janë alarmante.

“Raportet e furnizimit janë të cilat janë publikuar edhe nga mediat që disa prej spitaleve janë furnizuar me gaz industrial siç është rasti i Spitalit të Gjilanit, Prizren, Vushtrri edhe Kamenicë do të thotë Qendra e mjekësisë familjare atje dyshimet edhe statistikat flasin duke njohur përbërjen e popullatës tonë, që kemi një popullatë të re dhe Covid-19 ka atakuar kryesisht më shumë moshat e vjetra dhe ka rrezikuar më shumë ata në aspektin e shëndetit dhe humbjes së jetës, dhe kur kemi pas një popullate të re, ne do të duhej të kishim natalitetin apo sic e themi ne, numrin e rasteve të konfirmuara pozitiv dhe numrin e rasteve të vdekjes do të duhej ta kishim shumë më të ulët se vendet rajonit e BE-së sepse ne e kemi popullatën më të re”.

Cilat janë shifrat që gjatë hulumtimeve të tij i ka gjetur Haxhiu? Me cilat vende i krahason ai?

“Krahasojmë me Serbinë që ka një popullatë të shtyrë, Serbia e ka letalitet 0.8% ndërsa Kosova e ka 1.37% tash krahasojmë letalitetin mes Kosovës, rastet e vdekjeve me Serbi atëherë i bie që do të duhej të ishte e kundërta sepse kemi popullatë më të re, njësoj është edhe Shqipëria, ka letalitet 1.2%, numrin e rasteve të vdekjeve të konfirmuar dhe pozitave të Covid-19 dhe i vetmi vend rajon që ka vdekshmërinë më të lartë se Kosova është Maqedonia. Ndërsa vendet tjera e kanë më të ulët, krahasojmë edhe me vendet e Bashkimit Evropian, Franca e ka letalitetin 0.5% nëse e krahasojmë popullatën e Francës me popullatën e Kosovës e kemi shumë të re, ose me SHBA-të që është 1.2 letaliteti, pra këto janë ato argumentet që na shtinë me dyshu që ka pasur probleme edhe ky furnizim me gaz industrial mund të ketë ndikuar negativisht”.

Për InDoks foli edhe gazetari Arben Rashiti, i cili ishte ndër të parët që raportoi për përdorimin e oksigjenit të pa licencuar.

Arben Rashiti – gazetar

“Unë derisa kam shku në terren me veturë kemi parë veturën e ndihmës së shpejtë dhe kemi pa boca të mëdhaja të oksigjenit, që po mbushen nëpër autolarje e..edhe ma tërheku vëmendjen dhe nisa me  hulumtu rastin, më vonë e mora vesh se ish-drejtori i Spitalit të Vushtrrisë ma ka tregu një imell dhe më thotë se ka ardhë prej menaxhmetit që gjindeni qysh mundeni, oksigjeni vetëm këtë duhet me shpjegu që oksigjeni medicional dhe oksigjeni normal që nuk përdoret dmth nuk kanë shumë dallim, janë diku 4-5% që është më e rëndë por nuk bën me iu dhënë pacientit i cili është i shtrimë aty sepse këtij oksigjeni tani e kam marrë vesh që prej pacienti që atij oksigjeni i vjen era hekur dhe ajo është pengesë për frymëmarrjen e një personi”.

Për publikimet e tij thotë që ka kohë të gjatë që e sabotohet ShSKUK-ja e Valbon Krasniqi që e drejton këtë institucion. Dhe tregon se ku lidhet ky i fundit.

“Unë shkova tek drejtori i Spitalit të Vushtrrisë ai ma tregojë imellin por nuk mujt ime ma dhënë ama e kam pa imellin dhe tregojë qysh po blen oksigjen prej vendeve të ndryshme do të thotë. Më vonë e mora vesh se edhe Gjilani edhe Ferizaj të njëjtin sen e kanë pasur, kështu që unë raportova sepse ajo është e dëmshme për pacientët, por ajo mu kthy shumë keq me thënë të vërtetën sepse prej raportimit tim e më vonë dmth më është ndalu thuajse qasja në ShSKUK prej anës së drejtorit, Valbon Krasniqi i cili edhe ka dashtë me bë padi, por në anën tjetër i është bë padi prej personave tjerë, kështu që sa e di unë ajo punë është në polici por edhe prokuroria është duke i intervistuar njerëzit lidhur me këtë që kam raportu”, potencoi ai.

Në anën tjetër, gazetari Bujar Vitija u shpreh se gjatë pandemisë, institucionet shëndetësore kanë qenë në ‘luftë’, tregon arsyen pse.

Bujar Vitija – gazetar

“Ka qenë njëfarë lloj lufte e QKUK-së dhe Spitaleve rajonale për të siguruara bombolat e oksigjenit për pacientët e tyre, kjo pastaj ka shkaktu edhe situatën kur spitalet në njëfarë mënyre janë detyru të bëjnë zgjidhje të tjera përveç tyre ligjore, por t’u furnizu me oksigjen”, u shpreh ai.

Vitija që drejton gazetën online të specializuar për raportim në shëndetësi, “Shneta”, përmend problemet serioze që janë shfaqur me oksigjenin dhe si u deshtë të ndërhyhet me rregulla e standarde.

“Kujtojmë Spitalin e Vushtrrisë i cili është furnizu nga kompani të pa licencuara me oksigjen mjekësor e madje fatkeqësisht ka pasur dyshime që ky oksigjen ka qenë  edhe industrial nuk ka qenë fare për përdorim mjekësor. Gjë që nuk është vërtetu nga organet kompetente mirëpo gjë që do të duhej të bëhej në fakt, të vërtetohej nëse ka qenë oksigjen mjekësor apo industrial për të hequr të gjitha dyshimet sidomos për familjet e prekura nga të cilat kanë pësuar me familjarët e tyre nga Covid-19 prandaj çështja e oksigjenit ka qenë një prej problematikave kryesore të menaxhimit të pandemisë, e mira e kësaj çështje ka qenë se megjithatë është kthy vëmendja e institucioneve për rregullimin e këtij problem dhe në fund të 2020-ës në fillim të 2021-ës u bë një zgjidhje sa i përket infrastrukturës sa i përket furnizimit me oksigjen në QKUK dhe Spitale duke u shut kapacitet e rezervarëve apo tankeve dhe duke u shtu rrjeti qendror i oksigjenimit në repartin, në klinika dhe kësisoj sot megjithatë jemi në një situatë ku pothuajse të gjitha spitalet e përgjithshme dhe një pjesë e madhe e klinikave të QKUK-së tani më kanë sistem të oksigjenimit dhe kanë kapacitete të shtuara të tankeve për oksigjen të lëngët”.

Edhe deputet i opozitës, Shemsedin Dreshaj e që është anëtar i Komisionit për Shëndetësi ka vërejtjet e tij. Madje flet edhe për nevojën për hetime.

Shemsedin Dreshaj – AAK

“Sa i përket përdorimit apo mos përdorimit të oksigjenit jo cilësor mendojë që ka vend për hulumtim, duhet të shihet arsyeja e përdorimit, cilësia e gazit që sjell institucion ku sjell e që ka pranu, në këtë moment unë nuk mund të paragjykojë çka është përdorë por mund të them se nëse qëndron këto që thoni ju duhet të hetohen. Ne kemi pasur ministra të shëndetësisë dy herë në interpelancë nga grupi parlamentar por asnjëherë nuk është ngritë çështja e cilësisë së oksigjenit. Asnjëherë nuk është ngrit”.

Se çka po ndodhë në ShSKUK, pa u përjashtuar edhe oksigjeni, nuk janë vetëm deputetët e opozitës ata që kanë vërejtje. Një incizim i publikuar nga Gazeta Metro kohë më parë shpërfaq deputetin e pushtetit Mirsad Shkreta duke u përplasur e akuzuar me Kryetaren e Bordit të ShSKUK-së, Agreta Gashi. Përfundojnë duke e përmendur Prokurorinë.

Çfarë interesi ma thuaj, ma thuaj interesin publikisht, thuma – çka quan ti presion, çka quan ti presion, st’vjen turp st’vjen, turp. Hajdut ordiner je ti, ti, ti kujt i thua ashtu, kujt i thua ashtu ti, kujt i thua interes. Çfarë interesi është obligim i im kushtetues, kujt i thua ti interes, ordinere, mashtruese ordinere që rrinë me telefon e ‘screenshota’, gjithandej”, dëgjohet duke thënë Shkreta i VV-së.

Ti kujton se mua mundesh me më  fol ashtu a?, që rrinë me incizime gjithandej që pinë duhan në orar të punës, ti guxon me më fol mua ashtu me atë gjuhë. Nuk më flet dot mua ashtu, shihemi në Prokurori unë e ti. Shihemi në Prokurori për këtë”, dëgjohet duke thënë ai

InDoks muaj më parë pati transmetuar dokumentarin “Misteri i Oksigjenit në Kosovë”. Aty ishte shpërfaqur edhe pse spitalet në qytetet e tjera ishin detyruar ndonjëherë të merrnin edhe oksigjen nga kompani të pa licencuara.

InDoks pati publikuar një seri komunikimesh që janë zhvilluar në mes të Spitalit të Prizrenit dhe SHSKUK-së. Këto komunikime kanë përmbajtje shqetësuese. Në to, ka edhe reagime shumë të ashpra nga Prizreni në drejtim të institucionit që drejtohet nga Valbon Krasniqi. “A na tregoni se ku mund të shkojmë me këtë sasi kur dihet që i kemi 60 persona në oksigjeno-terapi”. “Reagoni sa nuk është vonë”, i thuhet qendrës në raste të tjera. Në një rast madje i është shënuar direkt që me këtë sasi oksigjeni që po e merrte Prizreni, e që ishte e pakët po rrezikohej jeta e pacientëve.

Pasi që pothuajse për shumë raste Spitali i Prizrenit ankohej se ka mungesë oksigjeni, përgjegjësi kjo e Qendrës, ata iu shkruajnë se ne “nuk mbajmë përgjegjësi për më të keqen që mundet me ju ndodh pacientëve”

Në këto shkëmbime Prizreni në shumë raste tregon që atyre iu mungon deri në 50% e sasisë që duhej ta kishin pasur parasysh numrin e pacientëve më Covid 19. 

InDoks pati zbuluar atëherë që edhe kompania “Lindi” nga Prizreni që në atë fazë nuk pati licencë, ishte thirrur nga atëherë Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj për shumë herë që të furnizonte me oksigjen.

“Po i përmbushim kushtet dhe në rajon nuk ka kësi objekti. Tash nuk po e di arsyet se pse nuk është dhënë kontrata. Kjo është bë me urdhër të ministrit të Shëndetësisë ne i kemi certifikatat e cilësisë së gazit edhe është një cilësi që I arrin qato kushtet. Po direkt të Ministri Armend Zemaj.  I kemi certifikatat edhe oksigjeni importohet si oksigjen medicinal. Oksigjeni vjen prej një firme që prodhohet në Itali është ‘Sol Shpk’, prodhohet në Itali vjen në Maqedoni dhe pastaj vjen në Kosovës”, ka thënë Arianit Hoxha nga kompania “Lindi”.

Armend Zemaj nuk është pajtuar që të flas për këtë InDoks kur është pyetur që të flas për procesin e furnizimit me oksigjen sa ishte ai Ministër i Shëndetësisë

As Valbon Krasniqi nuk ka pranuar që të japë një intervistë. Edhe pse ai ka premtuar që ShSKUK-ja do të përgjigjet se paku me shkrim për oksigjenin që e ka marrë nga kompania Medical Group për të cilën ka një denoncim, megjithatë as këtë nuk e ka bërë.

Në ShSKUK nuk janë përgjigjur as për anulimin e tenderit të rregullt pas të cilit nënshkruan një emergjent me Medical Group e as për të treguar se sa buxhet kanë shpenzuar për furnizim me oksigjen e sa e kanë paguar këtë firmë me tenderin emergjent.

“Gjenduni si të mundeni” – thirrja e ShSKUK-së ndaj Spitaleve Rajonale

Gazetari Rashiti thotë se ka parë vet një imell zyrtar të lëshuar nga ShSKUK, me të cilën u kërkohet drejtorëve të Spitaleve rajonale të bëjnë zgjidhje si të munden për oksigjenin.  

“Të ju them të vërtetën pak e hulumtova më vonë, por e pashë që tash është krejt në rregull sa i përket oksigjenit sepse punohet me dy firma me sa di unë, Medica dhe një tjetër, të cilat janë të regjistrume pranë AKPM-së por cilat edhe në temën time pata thënë se ato dyja janë të regjistrume por ato aq ka qenë kërkesa e madhe sa nuk kanë mujt me furnizu ShSKUK-në. për atë edhe ShSKU-ja ka dhënë njëfarë të themi ‘zgjidhje’ për spitalet tjera. Gjenduni qysh doni. E kjo ka qenë ajo që më ka pengu më së shumti sepse gjenduni qysh doni ajo i bien sikur bëni çka të doni”, ka thënë Rashiti.

Ndërkaq, Bekim Haxhiu pos që e sheh të paaftë bordin dhe drejtorin e ShSKUK-së, dhe mënyrën se si e menaxhuan deri këtu pandeminë covid-19, vendimet e tyre të fundit ku ka pasur përzgjedhje të drejtorëve shumë të afërt me partinë në pushtet, Vetëvendosjen, por ku janë ngritur edhe dyshime për favorizime tjera, e sheh si punë për Prokurorinë.

“Mendoj që janë bashkëpërgjegjës. Bordi dhe Drejtori Menaxhues e kanë një simbiozë të bashkëpunimit dhe të interferimit në përzgjedhjen e drejtorëve të klinikave, me i zgjedh do të dëgjueshëm të tyre e jo profesional, tash nuk du me shku në atë nivel por mendoj që zgjedhja e drejtorëve prej këtij Bordi dhe interferimin e drejtpërdrejt të Bordit në çështjen e drejtorëve është çështje e Prokurorisë sepse ka kandidatë për drejtorë që I ka plotësu testin 98-99% me ligjin e punës edhe ne që kemi marrë pjesë në hartimin e ligjit të punës e kemi pak me plotësu një test 99% të saktë me ligjin e punës”, tha deputeti i opozitës.

Për afro dy vite pandemi një pjesë të madhe të furnizimit me oksigjen të lëngshëm në ShSKUK e ka bërë firma Medical Group. E sjell nga Maqedonia, siç e shfaqin edhe këto dokumente që i ka siguruar InDoks. Së fundmi për këtë firmë, që ShSKUK-ja ia dha edhe tenderin emergjent në vitin e kaluar, është bërë një denoncim.

I kontestohet që partneriteti italian mund të mos ketë fare licencë në Maqedoni, prej ku e sjell, derisa janë ngritur dyshime se edhe dokumenti i Rregullatorit anglez të  kujdesit shëndetësor që përdori për ta regjistruar variacionin e oksigjenit që sjell në Kosovë nuk figuron në bazën e të dhënave të po atij institucioni.

Inspektorati Farmaceutik ka konfirmuar për InDoks se për mënyrën se si u furnizuan institucionet shëndetësore, përfshirë edhe ato private, tashmë ka nisur një hetim. Po e bënë hetimin bashkë me Policinë.

Derisa hetimi i tyre të vazhdojë,  ShSKUK-ja, Agjencia e Barnave dhe Ministria e Shëndetësisë me mos-përgjigje kanë ngritur më shumë pyetje: Çfarë oksigjeni u përdor në pandemi? A ishin krejt kompanitë të licencuara? Vdekshmëria nga covid-19 që në Kosovë është më e lartë se sa në Shqipëri, Mal të Zi e Serbi, dhe shumë më shumë se sa në Evropë ani pse vendi ka një popullatë të re, a lidhet me cilësinë e oksigjenit? A do ti japë ky hetim përgjigje këtyre pyetjeve?

/GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark