×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Motra u ngacmua nga vëllai, nusja nga vjehrri, nxënësja nga punëtori i shkollës”, rastet që tronditën Kosovën për një vit

    Insajderi
    02 January 2023 - 17:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në vitin që e lamë pas, Kosova u trondit nga rastet e ngacmimeve dhe dhunës seksuale. Vëllai ngacmoi seksualisht motrën e tij në Vushtrri. Një 11 vjeçare në Prishtinë dyshohet se u dhunua nga gjashtë persona. Një nxënëse u sulmua seksualisht nga punëtori i shkollës në Kijevë. Këto janë vetëm disa nga rastet me të rënda që janë raportuar gjatë këtij viti.

    Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Insajderi, ka treguar se deri në fund të vitit 2022 janë raportuar 183 raste të ngacmimt seksual.

    Policia e Kosovës i evidenton rastet bazuar në Kodin Penal, ne po ua përcjellim të dhënat për rastet nga neni 183 Ngacmim seksual, për periudhën janar-nëntor 2022, ku janë evidentuar 87 raste në përgjithësi, pa marrë parasysh vendin ku ka ndodhur rasti“, thuhet në përgjigjen e policisë.

    Në muajin e dytë të viti 2022 u raportua për një rast, ku babai nga Gjakova kishte dhunuar dhe sulmuar seksualisht dy vajzat e tij.

    Rastin për Insjderin e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Nysret Gjurkaj, i cili kishte dhënë detaje rreth rastit të babait i cili dyshohet se e ka dhunuar njërën nga vajzat e tij, ndërsa për tjetrën dyshohet se e ka sulmuar seksualisht.

    Përveç këtij akti që tronditi vendin, para pak javësh një rast tjetër i rëndë ndodhi në një market në kryeqytet. 50 vjeçari, pronar i marketit e sulmoi seksualisht një vajzë 6 vjeçare.

    Sipas burimeve, dy dëshmitarë, teksa kanë hyrë spontanisht në dyqanin e të dyshuarit, e kanë parë atë derisa abuzonte seksualisht me të miturën.

    Po në këtë muaj një vajzë e mitur pasi ishte martuar kishte përjetuar dhunë seksuale nga vjehrri i saj, gjatë kohës që burri i saj nuk ishte në shtëpi. E rastin në polici e paraqiti nëna e viktimës, ndërsa përmes një komunikate nga policia thonë se tashmë është bërë ekzaminimi i vajzës.

    Në gusht lajmi se një 11 vjeçare u dhunuar seksualisht për shtatë orë në Prishtinë, nga pesë persona tronditi opinioni publik në Kosovë. Më tronditës doli fakti se shteti ka qenë i njoftuar se para dy muajsh e njëjta vajzë e mitur kishte qenë viktimë.

    Ajo ishte raportuar e zhdukur nga familja e saj, dhe pasi policia e kishte gjetur ishte dërguar në strehimore. Dyshohet se gjatë kohës sa ishte e zhdukur, brenda natës është dhunuar nga gjashtë persona. 

    Me 30 shtator Alpinistja Mrika Nikqi kishte publikuar videon në të cilën është sulmuar seksualisht nga një mashkull me inicialet F.B. Sipas viktimës personi është i njohur për qytetin e Pejës.

    Rastet tronditëse vazhduan edhe në nëntor. Një nxënëse raportoi se një punonjës i shkollës në Kijevë e kishte sulmuar seksualisht.

    Ndërsa në një tjetër rast një 13 vjeçare dyshohet se ishte dhunuar nga një 19 vjeçar.

    Shokues ishte edhe raportimi se një 71 vjeçare në Skenderaj, u dhunua. E akti dyshohej se u krye nga një 25 vjeçar.

    Marrëdhëniet seksuale brenda familjes janë vepër e sanksionuar me Kodin Penal, dhe kushdo që kryen akt seksual me familjarë dënohet me burgim.

    Një kërkesë të tillë për të kryer seks, po dyshohet se ia ka bërë një 27-vjeçar motrës së tij në Vushtrri. Ky rast i tmerrshëm ishte raportuar në dhjetor nga viktima, që pasoi me arrestimin e vëllait të saj, shkruan Insajderi.

    Sipas një raporti të publikuar 15 për qind e nxënësve në Prishtinë kanë raportuar se së paku disa nga mësimdhënësit përdorin dhunë fizike ndaj nxënësve të tyre, ndërsa rreth 35 për qind e nxënësve raportuan se të paktën disa nga mësimdhënësit ngacmojnë nxënësit seksualisht. Kurse, mbi 50 për qind raportuan se të paktën disa mësimdhënës i ngacmojnë nxënësit. 

    Si mbrojtje për vajzat Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist kishte kërkuar legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje.

    Me gjithë këto raste të tmerrshme që u raportuan Qeveria kishte marrur vendim që të dënuarit për sulm seksual dhe dhunë në familje, do të përballen me masa të rënda sipas ndryshimeve të Kodit Penal. Atyre parashihet t`u ndalohet kandidimi në pozita publike në periudhën nga 3-10 vjet në të gjitha nivelet.

    Sipas statistikave të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës 85% të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 ishin vajza të mitura. Ndërkaq, të gjithë kryesit e dhunës seksuale ishin burra ose djem, shkruan Gazeta Insajderi.

    Avokatja Rina Kika përmes një statusi në Facebook ka nxjerrur këto statistika duke folur për rastin e fundit të dhunimit të një 11 vjeçare nga pesë persona.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark