20:21 - 24 Maj 2023

Partia e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje është treguar mjaft e kujdesshme sa i përket rehatimit të analistëve në pozita të rëndësishme. Nga studiot televizive ku u bën mbrojtës të pushtetit, ata u emëruan në pozita të larta, shkruan Insajderi.

Sot Luljeta Aliu – Krasniqi, analistja e cila mbronte krahun e pushtetit, është zgjedhur me 48 vota për anëtare e Komisionit të Pavarur për Media.

Aliu – Krasniqi u votua përgjatë seancës së sotme parlamentare, ku edhe ishte në rend të ditës votimi i tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, shkruan Gazeta Insajderi.

Për këtë edhe pati reagime, nga opozita. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se emërimi i Aliut dëshmon se qeveria e tanishme e ka mision të pengojë fjalën e lirë, duke synuar kapjen e medieve.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se Lëvizja Vetëvendosje e politizoi edhe KPM-në.

Luljeta Aliu – Krasniqi nuk është e vetmja analiste pro pushtetit që iu dha post i rëndësishëm.

Pasi Xhevdet Pozhari, analist, që është i njohur për afërsinë me Qeverinë Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, në shkurt të këtij viti mori një post të ri Pozhari u emëruar këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ndërsa me 1 maj Avni Zogiani  është emëruar zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Zogiani i emëruar nga kryeministri Kurti është analist i studiove televizive. Në debate ai vazhmisht ka mbrojtur partinë e këtij të fundit.

Ai është edhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, në vitin 2017 ishte edhe kandidat për kryetar të Fushë Kosovës.