×
Hulumtime/Analiza

Standardet e dyfishta të KPK, si u suspendua Prokurori Buzhala e nuk u morën masa ndaj Kadriut e Igrishtës

Insajderi
15 July 2022 - 15:06
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Të mërkurën Këshilli Prokurorial ka marrë vendim që të suspendohej Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala. Por ky institucion nuk ka njoftuar sa nëse ka nisur procedurë disiplinore e le më suspendim ndaj Arben Kadriut, Kryeprokuror i Gjilanit që biznesmeni Dukagjin Gërvalla e akuzoi publikisht për mashtrim. Nuk është suspenduar as Prokurori Igrishta, për jetimet e tanishme kundër tij Insajderi sjell detajet e fundit.

Visar Duriqi

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njoftoi të mërkurën se ka pezulluar nga detyra kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala pas dyshimeve se ka shpërndarë pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë. Themeloi edhe panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj kryeprokurorit Buzhala.

Në vend të Buzhalës KPK ka marr vendim për caktimin e prokurorit, Enis Gashi, ushtrues detyre të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

KPK që drejtohet nga ish-Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku është njoftuar edhe për denoncimin publik kundër pasardhësit të tij në atë pozitë, Arben Kadriu. Deri tash ky institucion nuk ka njoftuar as për ndonjë veprim as disiplinor ndaj Kadriut, e as për suspendim.

Kryeprokurori Arben Kadriut publikisht denoncohet për mashtrim, ende në pozitë

InDoks, prodhim i Gazetës Insajderi javë më parë ka transmetuar rrëfimin ekskluziv të Dukagjin Gërvallës, një kosovar që jeton në Zvicër ka vite që ka tentuar të bëjë biznes në Kosovë. Në udhë për këtë qëllim thotë që i doli një grup njerëzish që i akuzon për mashtrim. E akuzon edhe vet Kryeprokurorin e Gjilanit, Arben Kadriun.

Gërvalla në këtë intervistë ekskluzive për InDoks ka treguar edhe një moment në të cilin e përfshin edhe Jetish Malokun. E përshkruan si personi që e mbrojti Arben Kadriun, atë kohë veç Prokuror, dhe thotë se Maloku nuk e lejoi as që të hapte rast kundër tij.

KPK-ja në përgjigjen për InDoks kishte deklaruar se si institucion nuk ka pranuar asnjë shkresë apo dokument, i cili ka të bëjë konkretisht me rastin përkatës.

“KPK-ja, si institucion, nuk ka mundësi të veprojë dhe të hetojë rastin, siç thoni ju, kur nuk ka në dispozicion asnjë të dhënë, për çka edhe nuk është kompetente në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre për InDoks.

As pas transmetimit të këtij rrëfimi të biznesmenit Gërvalla nuk ka njoftuar se çka ka bërë me akuzat që ai i ngrit kundër Kryeprokurorit të Gjilanit, Arben Kadriu e as ndaj vet kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku.

Prokurori Blerim Igrishta i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ende prokuror

Insajderi muaj më parë po ashtu ka raportuar për rastin e Prokurorit në Prishtinë, Blerim Igrishta që po ndiqet për dyshimin për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

KPK-ja as për këtë rast nuk ka njoftuar nëse është suspenduar nga puna si Prokuror, apo i njëjti vazhdon që të punoj këtë punë derisa po vazhdon tash edhe një herë hetimi kundër Igrishtës.

Kundër tij rëndon një procedurë disiplinore, por nuk dihet në publik se deri ku ka shkuar ajo.

Avokati i Lumnije Zekajt, zyrtare e larët e Ujësjellësit “Prishtina”, e dëmtuar në këtë rast, Tomë Gashi i ka shkruar edhe një herë Zyrës së Prokurorit të Shtetit, pasi që nga kjo zyrë shkoi Aleksandër Lumesi e po e zëvendëson Besim Kelmendi.

Pas kësaj shkrese, siç merr vesh Insajderi, Prokuroria Valbona Haxhosaj nga Prokuroria në Pejë ka njoftuar që në gusht të këtij viti do të vazhdojë këtë hetim.

“Lidhur me rastin e z. Blerim Igrishta ju njoftoj për datat e caktuar për marrje në pyetje në procedurë paraprake të dëmtuarës, dëshmitarëve si të dyshuarit (Prokurori Igrishta)”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga Prokurorja Haxhosaj.

Aty bëhet me dije se vet e dëmtuara Lumnije Zekaj do të intervistohet në të njëjtën ditë me dy zyrtarë të tjerë të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa e Agim Dema.

Një ditë më vonë, me 16 gusht do të intervistohen si dëshmitarë tre policë. Një ditë pas tyre do të intervistohen edhe një polic tjetër, një zyrtare tjetër e Ujësjellësit e një prokuror.

Krejt ditën e  fundit, 18 gusht, do të intervistohen edhe dy kolegë të Igrishtës, që mund të dëshmojnë se ai as nuk ishte kujdestar e as nuk u autorizua për të hapur rastin kundër zyrtarëve të Ujësjellësit e për nevoja të kompleksit banesor ku jeton.

Për çudi, edhe pse është i dyshuar, Prokurorja Valbona Haxhosaj e ka lënë të fundit që ta intervistojë vet prokurorin Blerim Igrishta.

Historiku i rastit të Prokurorit Igrishta

I veshur me trenerka (tuta) e në ditë pushimi, Prokurori Blerim Igrishta kishte vendosur që ta merrte ligjin në duar. Me një letër në dorë që e valëviste në stacion policor e pa treguar se çka ka shkruar në të, një zyrtareje të Ujësjellësit “Prishtina” ia përmendte 48 orë paraburgim nëse nuk e rregullonte problemin e ujit bash në kompleksin banesor ku ai jeton tash e disa vite.

Në dosjen hetimore kundër tij që e ka siguruar Insajderi, dëshmitarët i tregojnë sjelljet e tija të këtilla, si dhe konfirmimin që ai madje ishte në pushim.

Krejt këtë presion ai po e bënte që kompania publike të e rregullonte problemin e rrjedhjes së ujit në kompleksin banesor të kompanisë private ‘Nderimi’, ku edhe ai ka një banesë aty.

Edhe pas kërkesës së Insajderit për disa javë, nga Prokuroria nuk kanë treguar se si e ka blerë ai këtë banesë. Por, angazhimi i tij në ditë pushimi duke ua përmendur zyrtarëve të “Ujësjellësit” 48 orë paraburgim bëri që kjo kompani publike për nevoja të kompanisë private të shpenzonte mbi 10 mijë euro.

Një hetim kundër tij ishte hapur pasi që  ushtruesja e detyrës së drejtoreshës teknike në Ujësjellës, Lumnije Zekaj u paraqit si viktimë e sjelljeve të Prokurorit Blerim Igrishta. Avokati Tomë Gashi e ka marrë rastin që ta mbrojë atë.

Hetimi për shpërdorim të mundshëm të detyrës nga Prokurori Igrishta në favor të kompleksit e kompanisë private ku ai ka banesën, u hetua për një kohë nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Valbona Haxhosaj, Prokuroria e Pejës që e hetoi këtë rast në asnjë moment, herë e parë, nuk e kishte ftuar kolegun  e saj, Blerim Igrishta për intervistim. Nuk e ftoi as viktimën. As policët hetues që e iniciuan rastin kur panë sjelljen e Prokurorit Igrishta dhe që i kërkuan që komunikimin tutje ta bënte zyrtarisht e me e-mail. Ai kurrë nuk e kushte bërë këtë.

Mblodhi prova. Deklarata. Shumë dokumente. Por, më 7 dhjetor 2021 ajo mori vendim që të e mbyllte rastin. Haxhosaj për ta mbyllur këtë rast shkroi hiç më pak se sa 11 faqe vendim.

Në pjesën më të madhe të këtij vendimi konstaton se Prokurori Igrishta u bë pjesë e këtij rasti kur ishte në pushim e jo kujdestar, se banon pikërisht në kompleksin e kompanisë private ‘Nderimi’ për të cilën bënte zhurmë që ti rregullohej telashja me ujë nga kompania private e megjithatë vendos që ta mbyll hetimin. Ajo erdhi në përfundim që nuk ka përfituar financiarisht direkt, por konstatoi shumicën e pretendimeve të rastit.

“Sipas Prokurorisë çdo keqpërdorim nuk nënkupton edhe konsumimin e kësaj vepre penale”, konstaton Prokurorja pejane Valbona Haxhosaj në dokumentin për mbylljen e hetime kundër kolegut të saj në Prishtinë, Blerim Igrishta.

Sipas dosjes që e ka Insajderi, kur përfaqësuesi ligjor i zyrtares së Ujësjellësit, Lumnije Zekaj, avokati Tomë Gashi e mori dokumentin për mbylljen e hetimeve ishte tejet i pakënaqur. Kështu, ai nisi shkresa të reja në adresë të Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi e edhe shefit direkt të Igrishtës, Kujtim Munishi.

Ky i fundit, gati dy javë pas mbylljes së hetimit kundër Prokurorit Blerim Igrishta nis edhe një shkresë tjetër. Më 28 dhjetor 2021 ai njofton përfaqësuesin ligjor të zyrtares së Ujësjellësit, avokatin Gashi që rasti, siç shkruan fjalë-për-fjalë në dokument “për shkak të funksionimit efikas të procedurës paraprake penale, mos cenimit të parimit të paanshmërisë, trajtimit profesional, si dhe heqjes së dilemave rreth qasjes së njëanshme- shmangies së konfliktit të interesit, ri-caktohet-kalon në juridiksion të Prokurorisë Themelore në Pejë- Departamenti për Krime të Rënda”.

Për më shumë, me 25 janar 2022, Prokurori Agron Qala nga Prokuroria e Shtetit njofton që ai i ka kërkuar Kryeprokurorit në Pejë, që siç thotë ai “i kam kërkuar për mundësinë e rishikimet të këtij rasti sidomos  tek ndriçimi  i rrethanave dhe fakteve si dhe ndarjes së përgjegjësisë penale nga ajo disiplinore”, thuhet në shkresën e Qalës.

E pyetur nga Insajderi, Prokuroria Valbona Haxhosaj nuk ishte përgjigjur atëherë se se a është duke vazhduar hetimin ndaj Prokurorit Igrishta.

Nuk është përgjigjur as se çka e ka shtyrë që ta mbyll këtë hetim herën e parë. As edhe nëse e ka hetuar se si i njëjti e ka blerë banesën në kompleksin e kompanisë private ‘Nderimi’ dhe pse ai në ditë pushimi angazhohej për këtë kompleks.

Prokurorja në fjalë nuk është përgjigjur as nëse do të hetoi se a u dëmtua kompania publike e Ujësjellësit Prishtina për nevoja të kompanisë private ku jeton Prokurori Igrishta, derisa dokumentet tregojnë që Ujësjellësi për atë sanim dëmi shpenzoi mbi 10 mijë euro.

Insajderi javë edhe muaj më parë kishte raportuar për këtë rast.

Sipas dokumenteve, krejt historia nisi më 31 gusht të 2021-ës, në kompleksin ku banon prokurori i Prokurorisë Themelorë në Prishtinë, Blerim Igrishta ishin prishur gypat, ku kishte pasur rrjedhje të ujit. Ai përdori fuqinë e tij si prokuror për ‘zgjidhjen’ e problemit.

 Fillimisht, prokurori kishte telefonuar kompaninë rajonale “Ujësjellësi”. Pastaj, personalisht kontaktoi ushtruesen e detyrës së drejtoreshës teknike në Ujësjellës, Lumnije Zekaj. Nga ajo kishte kërkuar që brenda 30 minuta t’ia zgjidhte problemin. Këtë kërkesë Zekaj e kishte cilësuar si shantazh e kërcënim. Vetme një ditë pas ajo dhe kolegët e saj për shkak të urdhrit të prokurorit përfundojnë në Stacion të Policisë, duke u marrë në pyetje. “Gjithçka me urdhër të prokurorit”, janë fjalët që Zekajt i janë thënë nga hetuesja policore e rastit. Nuk ishte asnjë shkresë zyrtare, urdhër për intervistim. Mjaftoi veç urdhri i prokurorit, Igrishta.

Banesa e prokurorit, që keqpërdori detyrën e tij zyrtare është ndërtuar nga kompania “Nderimi Sh.P.K”. Gypi i shpërthyer është në pronë private pasi kompania “Nderimi” e kishte ndërruar pronën me Komunën e Prishtinës dhe gypi kishte mbetur në pronë private.

Kompania “Nderimi” dhe Ujësjellësi kishin mbajtur disa herë takime dhe kishin shkëmbyer një mori e-mail-e ku kompanisë i ishte bërë e qartë se Ujësjellësi nuk ka të drejtë ligjore të ndërhyjë në prona private. Përkundër kësaj, prokurori ishte i pranishëm edhe në ditën kur zyrtarët e “Ujësjellësit” u morën në pyetje. Për të parë nëse urdhri po i shkonte deri në fund.

“Unë jam njoftuar se për shkak të këtij keqpërdorimi është iniciuar procedurë penale kundër prokurorit, Blerim Igrishta. Po ashtu nga znj.Zekaj jam njoftuar se ndaj prokurorit është iniciuar edhe procedurë disiplinore në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhej në letrën e përfaqësuesi ligjor të ushtrueses së detyrës së drejtoreshës teknike në kompaninë rajonale “Ujësjellës”, avokatit Tomë Gashi drejtuar zyrës së Kryeprokurorit së Shtetit.

 “Super Prokurori Blerim IGRISHTA. Të gjithë zyrtarët e Institucioneve të Republikës së Kosovës, kur janë nën hetime penale suspendohen nga puna së paku deri në përfundim të hetimeve penale. Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë BLERIM IGRISHTA është nën hetime penale, lënda e tij është dërguar për hetim penal në Prokurorinë Themelore në Pejë, po ashtu ndaj tij në Këshillin Prokurorial të Kosovës është inicu procedurë disiplinore kundër tij, por ai nuk suspendohet nga puna! A thua pse?”, thuhej në reagimin që ai bëri ditë më parë.

/Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark